Akuzat e Del Ponte, Ina Rama refuzon hetimet serbe në Mat
TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, refuzon hetimin e prokurorisë serbe në rrethin e Matit, për të verifikuar akuzat e ngritura nga ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte, në librin e saj “Gjuetia”. Zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, Holta Zhiti, bëri me dije dje se ka mbërritur në Tiranë prokurori serb iKrimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç, i cili gjatë takimit 1 orësh me kryeprokuroren Ina Rama i kërkoi asaj të kryejë hetime në fshatin Rribë të Burrelit. “Gjatë takimit të zhvilluar në Prokurorinë shqiptare, palës serbe i është sqaruar pozicioni dhe të drejtat procedurale të Prokurorisë shqiptare, në lidhje me kryerjen e veprimeve të kërkuara për t’u kryer nga autoritet serbe në lidhje me këtë çështje”,-thuhet në njoftimin zyrtar të zëdhënëses së Prokurorisë së Përgjithshme, Holta Zhiti. Sipas këtij njoftimi, mësohet se Prokuroria e Përgjithshme i ka vënë në dispozicion në gjuhën angleze rezultatet e hetimit të zhvilluar nga hetuesit e ardhur nga Haga dhe prokurorëve të Rrethit Mat në vitin 2005 në disa ambiente në zonën e Burrelit.
***
“Prokuroria e Përgjithshme, gjatë takimit një orësh, i vuri në dispozicion delegacionit serb rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët, që është kryer në vitin 2005, nga hetuesit e ardhur nga Haga dhe prokurorëve të rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës, së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për trafikun e organeve të shtetasve serbëqë pretendohej se kishte ndodhur në Burrel nuk rezultuan të vërteta”,-thuhet në njoftimin zyrtar të organit të akuzës. Ndërkaq, prokurori serb i Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç, ka kërkuar nga kryeprokurorja Rama t’i japë leje të zbarkojë bashkë me stafin e tij për një hetim në fshatin Rribë të rrethit Mat, ku në librin e kryeprokurores së Hagës, Del Ponte pretendohet se forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) kanë kryer operacione të transplantimit të organeve, ndaj serbëve të kapur rob në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Këtë kërkesë, mësohet se kryeprokurorja Rama e ka refuzuar, duke i bërë me dije, se asnjë veprim ligjor apo procedural nuk mund të kryhet në atë zonë, pa lejen e autoriteteve shqiptare.