Skandale dhe spote
Ndërkohë që janë shtuar spotet qeveritare, në thelb të të cilëve ka shumë vetëmburrje, vendi vazhdon të jetë i mbërthyer nga probleme të vjetra dhe të reja. Renditja keq e më keq në sondazhet e fundit për lirinë e mediave, vetiu rihap polemikën mbi zhvillimet e përgjithshme ekonomike e sociale tek ne. Më parë, edhe raporti vjetor i “Freedom House” për “Vendet në tranzicion” theksonte që, gjatë vitit 2007, koalicioni qeveritar në Shqipëri kishte shfaqur prirjen për të mbajtur nën kontroll institucionet e pavarura. Nga ana tjetër, po ky raport e shikonte korrupsionin si një nga faktorët që pengojnë zhvillimin ekonomik dhe investimet.
Forumi Ekonomik Botëror, një organizatë ndërkombëtare me mjaft autoritet, ka publikuar rreth dy javë më parë rezultatet e vëzhgimeve të ekspertëve të saj për zhvillimet ekonomike dhe sociale në mbarë botën. Për vitet 2006-2007, raporti i kësaj organizate e rreshtonte Shqipërinë në vendin e 109-të, midis 131 vendeve. Listën e mbyllte Çadi. Duhet kujtuar se asnjë vend tjetër evropian a ballkanik, nuk gjendej i rreshtuar më poshtë se Shqipëria. Çekia, bie fjala, renditej në vendin e 33-të, Sllovenia në vendin e 39-të; kështu edhe vendet e tjera të rajonit, deri tek Maqedonia që gjendej në vendin e 94-t.
Po ky Forum, në raportin e vitit 2006, me vëzhgime të vitit 2005, e ka renditur Shqipërinë në vendin e 98-të (por në një listë me 125 vende). Karakteristike është se edhe në këtë rast, vendet e rajonit ndodhen gjithnjë më lart, pavarësisht se edhe disa prej tyre nuk janë në pozita komode. Përpara disa kohësh, në një artikull të revistës prestigjioze “Forbes”, thuhej se ekonomia shqiptare vuan nga probleme serioze. I tillë konsiderohej deficiti i lartë tregtar (që e zbusin emigrantët, në punën dhe jetën e të cilëve qeveria nuk ka asnjë ndikim). Bujqësia, konstatohej më tej, është e pazhvilluar, për shkak të mungesës së makinerive moderne, por edhe problemit të pronës. (Rimerret kështu tema e ngërçit të prodhimit vendas.)
Dëshira për renditje sa më prestigjioze në raportet e organizmave botërore dhe evropiane, nuk mund të jetë thjesht e vetëm qëllim në vetvete. Po ashtu, boshllëku midis prapambetjes që kemi trashëguar, si ekonomi e si shoqëri, dhe ambicjes për të qenë sa më lart në të gjitha renditjet, nuk mund të mbushet vetëm me agjitacion, vetëm me spote.
Arritjet nuk mund të përbëjnë domosdoshmërisht spektakël. Vendi ka patur rritjen e vet të qëndrueshme ekonomike, prej vitit 2003. Prirja për ta “privatizuar” zhvillimin ekonomik e shoqëror, për të cilin kanë kontribuar gjithë qytetarët e këtij vendi, përfshi emigrantët, është qesharake; veçmas në prag të zgjedhjeve elektorale. Çdo mburrje e vetëlavdërim duhet ta ketë një kufi. Nga e vërteta, nuk ikën dot. Dhe ajo thotë se bujqësia (që duhej të ishte një nga ikonat e prodhimit vendas) përbën vetëm 21.2 përqind të GDP-së dhe industria vetëm 20.5 përqind.
E gjithë pjesa tjetër e këtij treguesi, u përket shërbimeve dhe tregtisë. Nuk do të ishte ndonjë teprim të thuhej se vetë struktura jonë ekonomike është kokëposhtë. Pati fillimisht disa përpjekje për “gjetjen” e prodhimit vendas; ato u sfumuan (edhe) për shkak të shpenzimeve të paparashikuara në infrastrukturë. Kjo gjendje ka bërë që diferenca midis eksporteve dhe importeve të thellohet nga viti në vit. Më tej, shitja apo dhënia me koncesion e të gjitha aseteve të huajve, prirja e shtetit për të qenë një tagrambledhës dhe aq, e vë ekonominë shqiptare përpara dilemash më të mëdha në të ardhmen. U fol shumë për luftën kundër informalitetit; me përjashtim të kalimit të të gjitha transaksioneve financiare përmes bankave, pakgjë mund të shënohet në këtë luftë. Një sërë biznesesh “në livadhisje”, si ai në famëkeqin Gërdec apo ato të z. Fazlliç, tregojnë se rregullat e biznesit nuk janë njësoj për të gjithë. Në Konferencën e dytë sektoriale shqiptaro - gjermane me temë “Perspektivat e tregut në Shqipëri: Energjetika - Mjedisi - Ndërtimi”, janë vënë në dukje anësi në dhënien e punëve publike, sikundër është riformuluar edhe njëherë çështja e pronës. Me këto dhe sfida të tjera bën mirë të ndeshet qeveria, ndërkohë që konsumohet vend e pa vend në luftëra politike dhe spote(para)elektorale.
Duke iu shmangur disa prej këtyre sfidave, që sot kanë dalë në plan të parë, kryeministri i vendit dhe ndjekësit më të zjarrtë të tij, vazhdojnë të trumbetojnë vetëm suksese të papara. Një sondazh i para disa kohëve mbi klimën e biznesit dhe ku Shqipëria, në disa tregues, kishte arritur një renditje mjaft inkurajuese, e bënë klanin qeverisës kaq agresiv, sa që në çdo takim me të huaj, brenda dhe jashtë vendit, Shqipëria paraqitej si Ylli Polar i rajonit dhe më gjerë. Për më shumë se tre vjet qeverisje, gjithçka që këtij pushteti i ngjan e thartë, paraqitet e paqenë. Sjellja agresive ndaj kritikave dhe veprimeve të ndërmarra së fundi nga mediat e prokuroria, provojnë se qeveria është e shqetësuar për aferat dhe mosarritjet e veta. Përballë përpjekjeve të vazhdueshme të mediave, segmenteve të caktuara të politikës dhe ndërkombëtarëve, për ta ulur qeverinë me këmbë në tokë dhe për t’i kujtuar asaj betejat reale, bie fjala edhe “gjetjen” e prodhimit vendas, ka gjithnjë reagime të pakontrolluara.
Kjo gjendje alarmi mund të rëndohet edhe më tej me afrimin e fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Publiku i gjerë është mësuar të përtypë skandale e spote; por ato nuk e zëvendësojnë dot mungesën e alternativave. Këtu duhet të rikthehet politika në tërësi; mbase edhe qeveria, në se ka ende ambicje për të rivlerësuar raportet e cënuara me qytetarët.