E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatori e gjen Prishtinën me vetëm dy shkolla të reja

Prishtinë 23 gusht – Fillimi i vitit të ri shkollor, Komunën e Prishtinës, sivjet, do ta gjejë me vetëm dy objekte të reja shkollore, ani pse  premtimet në muajt e parë të fillimit të vitit ishin për disa sosh, për më së paku katër objekte, shkruan Koha Ditore.
Objektet e vetme shkollore që sivjet do të hyjnë në funksion, sipas drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në nivel të Komunës, Remzi Salihut, do të jenë shkolla e mesme “Xhevdet Doda” dhe një shkollë fillore në fshatin Bardhosh.
Por, burime brenda shkollës “Xhevdet Doda” tregojnë se edhe ky objekt nuk do të jetë i gatshëm qind për qind për mbarëvajtje të qëndrueshme mësimore, pasi që kanë mbetur edhe disa punë të papërfunduara.
“Ende nuk është përfunduar oborri i shkollës, ku gjithsesi nxënësit do të duhej të zhvillonin aktivitete të ndryshme rekreative e sportive”, ka thënë burimi.
Ndryshe, zyrtarët komunalë, qysh në muajt e parë të vitit kishin premtuar se Komuna e Prishtinës, vitin e ri shkollor 2010-2011 do të fillojë me së paku 4 objekte të reja për filloristë dhe një për nxënës të shkollave e mesme.
Madje, zyrtarët patën shpjeguar se për këtë qëllim janë ndarë 1.6 milion euro nga buxheti vetjak.
Ndërkaq, në lidhje me vonesat për hapjen e objekteve të reja shkollore, siç janë “Shkolla e Gjelbër” në lagjen “Gallapi”, një shkollë e mesme në “Lagjen e Pajtimit” dhe një shkolle tjetër afër Fakultetit të Bujqësisë, drejtori Salihu ka thënë se ato nuk janë të gatshme ende.
Derisa për “Shkollën e Gjelbër”, ka thënë se do të mund të jetë gati në tetor, për shkollat e tjera ai nuk ka përmendur ndonjë afat, pasi që sipas tij “investimi për to është bërë nga Ministria e Arsimit”.
“Siç është bërë me dije, sivjet Ministria e Arsimit, ka pasur buxhet të shkurtuar, kështu që për shkak të kësaj, ka lënë disa objekte shkollore të pambaruara”, ka thënë Salihu.
Kjo deklaratë e Salihut më herët ishte bërë edhe nga zyrtarët e Ministrisë së Arsimit. Ata, kur janë pyetur për mosvazhdimin e punimeve rreth ndërtimit të disa shkollave në kryeqytet, një prej të cilave ishte ajo në Hajvalinë 2,  qenë arsyetuar për mungesë të buxhetit.
“Për shkak të buxhetit të vogël që ka Ministria e Arsimit, 10 milionë euro më  pak se vitin e kaluar, kemi qenë të detyruar që t'i ndalojmë të gjitha projektet që i kemi pasur, të cilat janë shtyrë për vitin e ardhshëm, pra më 2011”, pati thënë shefja e Departamentit për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Arsimit, Besa Bytyçi, për të treguar se kjo nuk do të ndikojë vetëm në Komunën e Prishtinës, por gjithandej Kosovës.
Ndryshe, pos dështimeve të këtyre objekteve shkollore, drejtori i Arsimit, Salihu, ka theksuar se mbi 80 për qind e shkollave janë rinovuar dhe se deri më 1 shtator të gjitha do të jenë të gatshme për fillim të vitit shkollor.
Salihu, për shkak se ende vazhdojnë konkurset për regjistrim të nxënësve në shkollat e mesme si dhe të atyre që fillojnë klasën e parë të fillores, nuk ka mundur të thotë se a do të ketë shtim të numrit të nxënësve në shkollat e kryeqyteti në raport me vitet e kaluara dhe se sa do të jetë ai. 
“Derisa vazhdon regjistrimi nuk kemi shifra të sakta të numrit të nxënësve”, ka thënë ai. Ky zyrtar i lartë i arsimit komunal, duke folur në lidhje edukimin parashkollor, ka theksuar se çerdhet e fëmijëve tashmë të gjitha janë të gatshme.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›