E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfrytëzimi i pronës komunale në kryeqytet jepet me standarde të dyfishta

Prishtinë 23 gusht – Komuna e Prishtinës vazhdon të aplikojë standarde të dyfishta kur është fjala te dhënia në shfrytëzim e pronës komunale, shkruan gazeta Koha Ditore. Përderisa një numër i madh biznesesh në kryeqytet gëzojnë të drejtën që të shfrytëzojnë pronën komunale para hapësirave të lokaleve të tyre, një numër sosh nuk e kanë këtë të drejtë. Për zyrtarët e Komunës, kjo është krejtësisht e ligjshme dhe e logjikshme, ngase në disa zona, hapësira e terrenit nuk mundëson dhënien e lejeve për shfrytëzim të hapësirës publike, ndërsa në disa zona të tjera kjo edhe mund të bëhet. Ndërkaq, ndryshe i shohin gjërat ata të cilët nuk kanë pasur të drejtë që t’i shfrytëzojnë hapësirat komunale përballë lokaleve të tyre. Për ta, komuna është duke udhëhequr një politikë përmes se cilës dikush favorizohet e dikush tjetër diskriminohet. Nga ana tjetër, ata që tashmë shfrytëzojnë këto hapësira, thonë se paguajnë taksë shtesë komunale dhe njëherësh investojnë në mirëmbajtjen e hapësirës së shfrytëzuar. Kjo sipas tyre ndikon pozitivisht në imazhin e kryeqytetit dhe buxhetin e saj. Ka disa vite që lokaleve hoteliere “Gizza” dhe “Buna” përballë konvikteve të studenteve u lejohet shfrytëzimi i hapësirave publike, përderisa e njëjta i është refuzuar pronarit të një lokali pak metra më larg. Ky i fundit, i cili nuk ka dashur të flasë me emër në gazetë ka thënë se para katër vjetësh ekskavatorët e Komunës ia kanë rrënuar disa investime para lokalit të tij.
“Në atë kohë autoritetet komunale më patën thënë se pa leje komunale nuk mund të vihet deri te shfrytëzimi i pronës komunale. Kjo ishte e pranueshme për mua, por edhe 4 vjet pas, mua nuk më është lëshuar leja për shfrytëzim, kurse lokaleve të tjera në afërsi po”, ka thënë ai për të shtuar se “Komuna bazohet në interesa të ngushta dhe mbi bazë të këtyre interesave disave u lëshon leje e disave jo”.
Mendim tjetër, ndërkaq, kanë pronarët e lokaleve, të cilëve komuna tashmë i ka pajisur me leje që të shfrytëzojnë hapësirën publike. “Diku afërsisht 10 euro për metër katror paguajmë në muaj për shfrytëzimin e hapësirës dhe po aq mjete investojmë për çdo muaj në mirëmbajtjen e hapësirës”, ka thënë njeri nga pronaret e tri lokaleve përballë konvikteve të studenteve.
Sipas tij, dhënia në shfrytëzim e tokës nuk është uzurpim dhe as abuzim me pronën komunale. “Kjo është leje sezonale e cila mund të revidohet në çdo kohë nga ana e Komunës. Ne nuk e konsiderojmë këtë pronë si tonën, por e vlerësojmë pozitivisht qasjen e Komunës që të na lejohet shfrytëzimi dhe nuk mund të vijë deri tek keqpërdorimi, as i pronës dhe as i lejes së lëshuar nga Komuna”, ka potencuar ai.
Në Komunën e Prishtinës e konfirmojmë që lokalet në fjalë kanë leje komunale. “Ato lokale kanë leje sezonale dhe u lejohet vetëm shfrytëzimi dhe mirëmbajtja, por jo edhe ndonjë investim tjetër aty”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi. Sipas tij, në të gjitha rastet kur jepet leja për shfrytëzim të pronës, ngarkohet inspektorati komunal për mbikëqyrjen e asaj leje. “Inspektorati është i ngarkuar dhe i obliguar që të bëjë mbikëqyrjen e shfrytëzimit të pronës dhe në momentin e parë që evidentohen tejkalime të saj bëhet revidimi i lejes”, ka theksuar zëdhënësi Gashi. Ky i fundit ka hedhur kategorikisht poshtë çdo pohim që Komuna e Prishtinës aplikon standarde të dyfishta kur është fjala te dhënia në shfrytëzim e pronës Komunale. “Me miliona herë kemi deklaruar dhe dëshmuar që Komuna nuk udhëheq politika të cilat dikë e diskriminojnë e dikë e favorizojnë. Në disa vendbanime prona mund të afrohet në shfrytëzim, ngase terreni e mundëson një gjë të tillë, ndërsa në disa për shkak të konfiguracionit të terrenit nuk bëhet kjo”, ka përfunduar Gashi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›