E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni i PS-së, pikat e paktit

Partia Socialiste hedh themelet e koalicionit të ri opozitar për zgjedhjet e 28 qershorit. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, e cila pritet të nënshkruhet shumë shpejt, është platforma politike e integrueshme në programin e qeverisjes, qëndrime politike të njëjta, luftë kundër dukurive negative, qeverisje transparente, ekip i kualifikuar me integritet politik e moral. Aleancat janë tashmë të njohura. Marrëveshja do të nënshkruhet me Partinë Social Demokrate, me Partinë Demokracia Sociale dhe me Lëvizjen G99. Ajo pritet të firmoset para zgjedhjeve, pak kohë para se të fillojë fushata elektorale. Paraprakisht, aktorët e këtij koalicioni shprehen se synohet një koalicion zgjedhor ndryshe, ku ndarja e posteve qeverisëse për herë të parë do të bëhet në bazë të rezultatit që do të marrë secila prej tyre dhe jo në bazë të interesave personale të kryetarëve të secilës parti. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje pritet që të marrë fund edhe dilema se cila prej partive ka të drejtë të propozojë Kryeministrin në rast se fiton zgjedhjet. Por partitë mbeten në garë të hapur me njëra-tjetrën dhe ato do të dalin para elektoratit me listat e tyre të kandidatëve. Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, zbardh për "Shqip" objektivat dhe bazën e ndërtimit të koalicionit të ri të së majtës. Ai shprehet se PS ka prioritet krijimin e një koalicioni me qytetarët, e së bashku me të, synohet maksimalizimi i fitores së këtij grupimi. "Me objektivin parësor të ndërtimit të një qeverisjeje të qytetarëve dhe për qytetarët njëkohësisht, synohet nga këndvështrimi elektoral maksimalizimi i suksesit i forcës sonë politike, që do të garantonte një qeverisje të qëndrueshme dhe efikase. Brenda këtij kuadri, PS do të ndërtonte koalicionin e fitores, i cili do të kishte për synim maksimalizimin e suksesit të grupimit fitues përballë grupimit të djathtë kundërshtar", u shpreh Islami. Së bashku me qëllimin, Islami zbardh edhe parimet e bashkëpunimit duke renditur platformën politike të integrueshme në programin e qeverisjes, qëndrime politike dhe morale të njëjta, luftë kundër dukurive negative dhe qeverisje e mirë e transparente, si dhe ekip i kualifikuar e profesional dhe me integritet politik e moral, duke përjashtuar çdo mundësi për pazare politike. Kreu i G99, Erjon Veliaj, pohon se do të nënshkruajë një marrëveshje parazgjedhore me PS. "Do të jetë një koalicion parazgjedhor, parimor, u shpreh Veliaj, ku secili do të garojë më vete, duke shpalosur vlerat e veta dhe nuk duam një koalicion si ai që kërkon Meta pas zgjedhjeve". Sipas tij, nuk do të ketë më koalicione ku gjithçka vendoset paraprakisht mbi bazën e interesave të kryetarëve. "Këto gjëra kanë marrë fund. Do të jetë një marrëveshje me karakter politik, alternativ ku do përcaktohet dhe çështja e Kryeministrit. Bazuar edhe te Kushtetuta, pas zgjedhjeve, Presidenti i kërkon forcës politike që ka fituar zgjedhjet që të krijojë qeverinë", vijoi Veliaj. Dy aktorët e tjerë të koalicionit, Milo e Gjinushi, shprehen të vendosur për të bashkëpunuar me PS-në, edhe pse janë duke u marrë me përgatitjet e partive të tyre për zgjedhjet. "Kriteret e këtij koalicioni do të jenë si me karakter politik, ashtu dhe programor e alternativ", nënvizoi Gjinushi. Ndërsa kreu i PDS-së, Milo, përveçse i bindur për marrëveshjen me PS-në, theksoi se "ndërkohë ne jemi duke u përgatitur për zgjedhjet e përgjithshme".

Tabela

Parimet e bashkëpunimit

1. Platforma politike të integrueshme në programin e qeverisjes së qytetarëve

2. Qëndrime politike dhe morale të njëjta

3. Luftë kundër dukurive negative dhe qeverisje e mirë e transparente

4. Ekip i kualifikuar e profesional dhe me integritet politik e moral



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›