Obama: Jam krenar për Shqipërinë dhe Kroacinë
"Jemi shumë krenarë për Kroacinë dhe Shqipërinë. Ato kanë bërë një progres të jashtëzakonshëm". Kështu u shpreh dje Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, në Samitin e NATO-s. "Dëshirojmë t‘i urojmë Shqipërisë dhe Kroacisë mirëseardhjen në NATO. Kjo nuk do të jetë hera e fundit që ne do të mbajmë samite festive dhe këtu kam parasysh ditën kur edhe Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s", u shpreh Obama. Dera e anëtarësimit, vijoi ai, është e hapur për të gjitha vendet e tjera që do të përmbushin standardet e NATO-s dhe do të japin kontributin e tyre në Aleancën e Atlantikut të Veriut. "Këtu kemi dy karta që do të doja t‘ia dorëzoja dy presidentëve të vendeve që po bëhen anëtarët më të reja të NATO-s. Ju ftoj të vini këtej", tha Obama, teksa i dorëzoi krerëve të shtetit shqiptar dhe atij kroat protokollin e anëtarësimit. Obama, teksa sqaroi strategjinë e re të aleancës për Afganistanin dhe Pakistanin, foli me shqetësim për situatën ekonomike. "Jam i shqetësuar për pasojat që mund të shkaktojë rënia ekonomike në këtë rajon", u shpreh Obama, duke iu referuar Ballkanit. Sipas tij, nuk është se kjo po ndodh vetëm në Ballkan, por në të gjithë botën. "Nga kriza ekonomike mund të lindin edhe kriza të tjera, ndaj ne jemi të interesuar të ndihmojmë që situata të stabilizohet", theksoi Obama.