Shumica, e thërrmuar për bashkëpunimin në zgjedhje
Eljona Ballhysa
Shumica e djathtë qeverisëse duket e thërrmuar në planet e saj për një bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Krerët e partive të vogla të djathta duken të paqartë në vendimet e tyre se si do të futen në zgjedhjet e verës 2009. Disa prej tyre bëjnë të ditur për gazetën se do të futen të vetëm në zgjedhje, kjo për shkak se kanë humbur dhe besimin te bashkëpunimi me Partinë Demokratike. Ndërsa të tjerë shpresojnë për krijimin e një konfederate të djathtë, ku partitë të mos shkrihen plotësisht me PD-në, por të ruajnë identitetin e tyre, ndërkohë që në zgjedhje të garojnë me një listë të përbashkët kandidatësh për deputetë. Megjithatë, të gjithë shpresojnë që vjeshta do të jetë përcaktuese në mënyrën e bashkëpunimit të të djathtëve, pasi pritet që PD-ja të nisë një proces negociatash me palët përbërës të koalicionit qeverisës. Por kjo mbetet pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ku do të përcaktohet sistemi zgjedhor, pragu dhe formulat e tjera të llogaritjes së votave.
Ndarja
Dy nga partitë e koalicionit, që tashmë kanë vendosur të futen të vetëm në zgjedhje, janë Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, bëri të ditur për gazetën “Albani” se është më mirë për PDK-në të futet e vetme në zgjedhje, kjo për faktin se sipas tij nuk pritet bashkëpunim me Partinë Demokratike. Ndoka ka theksuar se Partia Demokratike ka shfaqur së fundmi çoroditje në lidershipin e saj dhe po tregon gjithnjë e më shumë një përpjekje për të çarë partitë e vogla dhe jo për të forcuar të djathtën në përgjithësi. Duket qartë se zhvillimet e fundit politike, kur kryeministri Berisha propozoi ndryshime në kabinetin qeveritar, të cilat sollën largimin e Ndokës nga posti i ministrit të Shëndetësisë, ka sjellë pikërisht mungesën e besimit të PDK-së në një bashkëpunim të ardhshëm me PD-në. Po kështu dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mendon të futet e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, bëri të ditur për gazetën se kjo parti tradicionalisht është futur e vetme në zgjedhje dhe më pas ka nënshkruar për aleanca paszgjedhore. Sipas Dules, edhe këtë herë pritet të veprohet në të njëjtën mënyrë, megjithatë ai thekson se këtë do ta vendosin përfundimisht forumet e partisë, të cilat do të mblidhen në ditët e para të shtatorit.
Bashkëpunimi
Ka dhe nga ato parti të koalicionit të djathtë, të cilat i kanë hedhur “sytë” te Partia Demokratike duke shpresuar shkrirjen ose daljen me një listë të përbashkët deputetësh në zgjedhje. Tashmë është bërë i qartë vendimi reformatorëve, të cilët kërkojnë të shkrihen me PD-në në një parti të vetme. Por kjo do të vendoset nga PD-ja nëse do të pranojë në gjirin e saj ish-të larguarit Pollo e Shehu. Ndërkaq, republikanët shpresojnë në krijimin e një konfederate të djathtë. Nënkryetari i kësaj partie, Aleksandër Garuli, është shprehur për gazetën “Albania” se republikanët kërkojnë të futen në zgjedhje nën një sigël të përbashkët, çka nënkupton krijimin e një konfederate të djathtë. Garuli shprehet se miratimi i Kodit Zgjedhor do të përcaktojë më tej formën e bashkëpunimit, nëse do të futen në zgjedhje me lista të ndryshme kandidatësh apo me listë të përbashkët. Por kjo, sipas tij, është pjesë e negociatave të ardhshme me PD-në.
Nard Ndoka: “Do të dalim të vetëm në zgjedhje, PD-ja është e çoroditur”
“Partisë Demokristiane i intereson më shumë të dalë e vetme në zgjedhje, megjithatë, ky është një vendim që do të përcaktohet më vonë nga strukturat e partisë. Vendimi për të dalë në zgjedhje është i kushtëzuar dhe nga fakti se aktualisht lidershipi i PD-së ka treguar se është i çoroditur në vendimmarrje. Kohët e fundit PD-ja ka treguar qartë se i intereson përçarja e partive të djathta, ashtu sikurse bëri dhe me Partinë Republikane dhe jo bashkimi i së djathtës apo i qendrës së djathtë. Ne gjithmonë kemi kërkuar bashkim, por mesa duket kjo është e pamundur”, - është shprehur kreu i PDK-së, Nard Ndoka.
Vangjel Dule: “Nuk bëjmë aleanca parazgjedhore, do të vendosim pas zgjedhjeve”
“Nuk është diskutuar ende mënyra se si do te futet Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo do të vendoset nga forumet drejtuese të Partisë, të cilat do të mblidhen në vjeshtë. Megjithatë, PBDNJ-ja e ka pasur traditë që nuk nënshkruan aleanca parazgjedhore dhe besoj se edhe këtë herë nuk do të dalim nga tradita. Pra besoj se edhe këtë radhë do të futemi të vetëm në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Por vendimin përfundimtar për një çështje kaq të rëndësishme, sigurisht që do ta marrin strukturat drejtuese të Partisë”, - është shprehur kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Aleksandër Garuli: “Shpresojmë të dalim të bashkuar nën një sigël të njëjtë”
“Partia Republikane është shprehur dhe më parë se e djathta duhet të dalë e bashkuar në zgjedhjet parlamentare, pasi kjo sjell dhe garanci për fitoren. Një e djathtë e bashkuar kuptohet që sjell bashkim dhe të elektoratit të djathtë. PR-ja është që të dalim nën një sigël të përbashkët. Por ne nuk përjashtojmë dhe krijimin e një konfederate, e cila ka një shtrirje më të gjatë se vetëm bashkëpunimi për zgjedhjet. Pra ne jemi të hapur përtej një bashkëpunimi elektoral. Ndërkohë që konfederatën e kuptojnë në bashkimin e partive të djathta, ku secili prej tyre të ruajë identitetin dhe programin e saj”,- është shprehur nënkryetari i PR-së, Aleksandër Garuli.
15 Gusht 2008