E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni i hutuar

Deputetët e PDK’së, AKR’së dhe të minoriteteve nuk janë pajtuar me kushtëzimin e procesit të dialogut me Serbinë, që ndodhi të enjten. Tash, ata po kërkojnë që të “korrigjohen” votat e tyre, duke synuar të rikthejnë në rivotim rekomandimet e miratuara gjatë interpelancës me Edita Tahirit. Tentimi i parë për ta bërë këtë dështoi të premten. Por, kjo pritet të ndodhë në seancën e radhës, që mbahet të martën.

Bllokimi i dialogut nga deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë seancës së ditës së enjte mund të zhbllokohet në seancën e radhës, që është paraparë të mbahet të martën.

Partitë në pushtet mund të kërkojnë edhe njëherë rikthimin në rivotim të rekomandimeve që kanë dalë nga debati për të pagjeturit, ku ishte thirrur të raportojë Shefja e delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahirit.

Rikthimi i rekomandimeve në Kuvend mund të bëhet pasi Rregullorja e punës nuk e ndalon një gjë të tillë, veç se paraprakisht duhet të jenë në sallë më shumë se 61 deputetë.

Megjithëkëtë, nisma e PDK’së për të rivotuar rekomandimet e dala nga debati i së enjtes ka dështuar në mungesë kuorumi, meqë opozita ka lëshuar sallën, ndërsa kanë mbetur në sallë vetëm 36 deputetë të pushtetit.

Rekomandimet e votuara të enjten e kanë bllokuar dialogun me Serbinë, ngaqë kërkohet nga Qeveria të kushtëzojë vazhdimin e takimeve me Serbinë me gjetjen e 1780 personave të pagjetur.

Por, zyrtarët ligjorë të Kuvendit kanë thënë se secila çështje mund të rikthehet në Kuvend dhe nëse ka vota, ajo mund të kalojë ose të bie poshtë.

“Gjithmonë është e mundshme, por është konstatim që duhet të ndodhë në seancë. Seanca vendos nëse do të rivotohen përsëri rekomandimet e seancës”, ka thënë një zyrtar ligjor i Kuvendit.

Sipas tij, rregullorja e punës nuk e ndalon rivotimin, porse paraprakisht duhet të jenë prezentë shumica e deputetëve për të bërë kuorumin.

Në nenin 44 të Rregullores së Punë së Kuvendit, pika e dhjetë thuhet se “interpelanca për çështje të njëjtë nuk mund të parashtrohet më shumë se dy herë gjatë një viti kalendarik”.

Por, aty nuk ndalohet rivotimi i rekomandimeve.

Pavarësisht kësaj, deputetët e LDK’së, VV’së dhe të AAK’së e kanë lëshuar sallën në kohën kur shefi i deputetëve të PDK’së, Adem Grabofci ka kërkuar rikthimin e rekomandimeve në votim.

Këtë kërkesë, ai ka thënë se po e bën për shkak se të enjten deputetët kishin votuar dy dokumente dhe jo një mocion të vetëm.

“I propozojmë seancës që të bëjë harmonizimin e këtyre dy dokumenteve që i kemi, pra dy palë rekomandimeve, që njëra ka dalë në emër të komisionit, e tjera në emër të deputetes Hikmete Bajraktari. I kisha lutur të gjithë deputetët që ta bëjmë harmonizimin dhe të dalim me një dokument unik”, është arsyetuar deputeti i PDK’së.

Me arsyetimin e pozitës nuk janë pajtuar Partia e Isa Mustafës, e Albin Kurtit dhe e Ramush Haradinajt.

Në mënyrë të organizuar, deputetët e tri partive opozitare e kanë lëshuar sallën dhe kanë pamundësuar vazhdimin e seancës. Derisa kërkesën e PDK’së e ka përkrahur AKR’ja dhe Grupi Parlamentar 6+.

Paraprakisht, shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri ka thënë se nuk dëshirojnë të shkelin rregullat, duke kthyer në rivotim çështjen e rekomandimeve të të pagjeturve.

“Rekomandimet kanë qenë këtu në Kuvend për dy javë dhe i kanë parë e lexuar të gjithë. Kështu që nuk është problem i deputetëve të LDK-së nëse të tjerët s’e kanë marrë vesh se çka po votojnë. Ne nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e shkeljes së procedurave nga institucioni më i lartë i vendit, andaj nuk do të qëndrojmë në sallë dhe nuk do ta përkrahim këtë mocion”, ka thënë Ismet Beqiri i LDK’së.

Edhe Visar Ymeri i VV e ka përkrahur Beqirin dhe ka ironizuar me deputetët e pozitës.

“Unë nuk dua të besoj që në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka asi deputetë idiotë, të cilët kur i lexojnë katër pika, nuk e marrin vesh se çfarë kanë lexuar. Pra, kanë kaluar edhe në Komision një pjesë e tyre dhe ato që janë diskutuar dje në interpelancë, në fakt nëse dëgjohen diskutimet e shumicës së deputetëve, janë pikërisht në përputhje me pikat të cilat i kemi votuar në fund”, ka thënë Ymeri.

Në seancën e të enjtes janë miratuar katër rekomandime me votat e pozitës dhe opozitës, porse më vonë deputetët e PDK’së, AKR’së dhe të minoriteteve e kanë kuptuar se me votën e tyre e kanë pamundësuar vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Beogradi vazhdon prej përfundimit të luftës të mos japë informacione për personat e humbur në luftën e fundviteve të 90’të.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë kur partitë në pushtet kanë votuar “gabimisht”, pasi e njëjta kishte ndodhur edhe me rastin e mocionit të Lëvizjes Vetëvendosje për reciprocitet të plotë me Serbinë.

Në atë kohë, partitë në pushtet janë detyruar të rikthejnë çështjen në Kuvend dhe të votojnë një mocion të ri për të zhvleftësuar të vjetrin.

Aktualisht partitë në pushtet kanë 67 deputetë, ndërsa opozita 53.

Mos i nënçmoni deputetët

Pas kërkesës së partive në pushtet për rivotimin e rekomandimeve për Qeverinë, kanë reaguar zyrtarët e Lëvizja për Bashkim, duke thënë se me këtë veprim po nënçmohet Kuvendi dhe të zgjedhurit e popullit.

“Kjo sjellje është thjesht fyerje e inteligjencës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe si e tillë është e patolerueshme”, ka thënë Aurora Bakalli, deputete e LB’së.

Sipas saj, me veprimet e pozitës po krijohet përshtypja se deputetët janë të padijshëm.

“Duke u thirrur në çështjen se ‘deputetët nuk kanë ditur se çfarë kanë votuar’, deputeti vihet në pozitë të personit të paditur dhe sidomos për faktin që kjo dukuri po përsëritet mjaft shpesh. Prandaj, edhe nuk duhet habitur se në popullatë po fitohet përshtypja se deputetët janë të padijshëm”, ka shtuar ajo.

Sipas deputetes Bakalli, përshtypja e saj është se deputetët janë edhe të dijshëm edhe të vetëdijshëm, prandaj “me vetëdije të plotë votuan mocionin e interpelancës lidhur me personat e pagjetur”.

Rekomandimi që nuk i ka pëlqyer Qeverisë është ai që ka të bëjë me kushtëzimin e dialogut me zgjidhjen e problemit të të pagjeturve.

Deputetja Bakalli mendon se kushtëzimi i dialogut me Serbinë do të sillte rezultate.

“Kushtëzimi në dialogun me Serbinë është një nga mekanizmat e parapara për t’u zgjidhur kjo çështje e dhimbshme, për të cilën votuan me vullnet shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Për Qeverinë kjo zgjedhje e deputetëve mund të jetë politikisht jokorrekte, veçanërisht karshi faktorit ndërkombëtar”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›