“Koalicioni i pazareve po luan bllofin me 3 ligjet e statusit”

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu akuzon PS dhe LSI
Ministrja e integrimit Majlinda Bregu në një konferencë për shtyp theksoi se koalicioni i pazareve, i gjendur në pikën më të lartë të amoralitetit përballë elektoratit të vet dhe gjithë shqiptarëve, po vazhdon të luajë bllofin me 3 ligjet e integrimit. “Pa asnjë ide, pa asnjë projekt dhe pa asnjë kauzë të shëndetshme, dyshja e koalicionit të pazareve po kërkon një kamerdare shpëtimi nga anija që po mbytet, e që askush nuk e di se kë ka për kapiten. Duke e ditur shumë mirë: se nuk kanë sy e faqe t’u dalin përpara fermerëve, të cilëve, me bllokimin për tre vjet e 230 ditës të statusit, u hoqën miliona euro subvencione; se nuk kanë sy e faqe t’u dalin përpara studentëve që u mohuan qindra bursa studimi për në BE; se nuk kanë sy e faqe t’i dalin përpara biznesit që i mohuan mundesinë e miliona eurove kreditim; duke mos patur sy e faqe t’u dalin përpara mjekëve e mësuesve shqiptarë, që u hoqën mundësinë për qindra kualifikime në vendet e Bashkimit Europian; duke mos patur sy e faqe t’u kërkojnë falje të gjithë shqiptarëve për këto tre vjet e 230 ditë pengmarrje të ëndrrave dhe prosperitetit të tyre, kjo dyshe ka paturpësinë dhe pafytyrësinë të vazhdojë me tallje dhe bllofe, sikur janë ata të interesuarit e mëdhenj të votimit të 3 ligjeve të integrimit” theksoi Bregu. Ajo ka theksuar më tej se shqiptarët kanë 230 ditë që e shohin se Partia Demokratike dhe qeveria shqiptare i kanë bërë me qindra apele, ditë pas dite dhe orë pas ore, koalicionit të pazareve, për t’i votuar 3 ligjet, kur të duan dhe si të duan. “Janë jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët që kanë parë e dëgjuar gjatë këtyre tre vjetëve e 230 ditëve pretekste dhe justifikime absurde të njëpasnjëshme të opozitës, që edhe pse kanë rënë njëra pas tjetrës, nuk e bindën kurrë opozitën në parlament, për të votuar 3 ligjet. Ashtu si për tre vjet e 230 ditë me radhë, ftojmë edhe njëherë opozitën t’i lërë mënjanë, një herë të vetme bllofet dhe pazaret në kurriz të shqiptarëve” theksoi Bregu. Ministrja e integrimit shtoi më tej se Edi Rama, pasi t’i kërkojë publikisht falje qytetarëve për dëmin e madh që u ka bërë imazhit, mirëqenies dhe prosperitetit të tyre, këto tre vjet e 7 muaj, duhet të votojë 3 ligjet, për të ndihmuar jo vetëm shqiptarët, por për të çliruar edhe vetveten nga sindroma e bllokimit dhe shtrëngicës politike, që po e detyron të futet në këto zgjedhje vetëm me një platformë: atë të bllofeve, farsave e barcaletave. “Pra me platformën, që vetëm Edi Rama e njeh mirë, atë të humbjes. Sepse shqiptarët nuk kanë nevojë për barcaleta e qaramanë, por për punësim, mirëqenie e integrim!” përfundoi ministrja Bregu