E Diel, 1 Nëntor 2026

“Porti i Kosovës”, Thaçi, letër Berishës



Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, përmes një letre dërguar homologut të Shqipërisë, Sali Berisha, kërkon që porti i Shëngjinit të jetë i lirë për Kosovën. Shumë shpejt pritet që një marrëveshje mes dy qeverive të konkretizojë pikërisht shfrytëzimin e këtij porti nga kosovarët, ndërkohë që do të quhet “Porti i Kosovës”. Në letrën drejtuar z. Berisha, Kryeministri Thaçi këmbëngul për konkretizimin me një marrëveshje zyrtare të ofertës së shtetit shqiptar që Kosova ta marrë në shfrytëzim portin e Shëngjinit. Për këtë çështje të dy kryeministrat janë në kontakte të drejtpërdrejta me njëri-tjetrën me shpresën se shumë shpejt do të nënshkruhet midis qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Palët e konsiderojnë si një moment shumë të rëndësishëm për të dy qeveritë dhe dy shtetet shqiptare. Sipas tyre, konkretizimi i kësaj marrëveshjeje dhe fillimi i ndërtimit të portit të Shëngjinit do të sjellë përfitime të shumta për shtetin e Kosovës dhe për shtetin shqiptar. Porti i Shëngjinit është diskutuar sa herë që ka pasur takime në nivele të larta mes dy vendeve. Kohë më parë Kryeministri Sali Berisha kishte siguruar ish-Kryeministrin kosovar, Agim Çeku, se ky port do të jetë në dispozicion të Kosovës. Kosova ka lidhje me detin nëpërmjet vendeve fqinje, Selanikut dhe Malit të Zi, si dhe nëpërmjet Shqipërisë. Në këtë drejtim, porti i Shëngjinit është një port shumë i përshtatshëm, i cili do të jetë i lirë për Kosovën. Po ashtu edhe Presidenti i Kosovës gjatë një vizite që zhvilloi dy vjet më parë në Shkodër, i shoqëruar nga ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, dhe deputeti i zonës së Shëngjinit, ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, preu shiritin e Kapitenerisë së Portit të Shëngjinit duke uruar që ky port të jetë një nyje e rëndësishme zhvillimi, sidomos në funksion të asaj që nga të gjithë u konsiderua si “Porti i Kosovës”. Ministri Basha iu drejtua Presidentit Sejdiu me fjalët se ka qenë vendosmëria e qeverisë shqiptare dhe e Kryeministrit Berisha që rrugën drejt Kosovës do ta çojnë deri në fund brenda një kohe sa më të shkurtër. Përurimi i godinës së Kapitenerisë së Portit të Shëngjinit me një vlerë prej 155 mijë dollarësh është edhe fillimi i një konkretizimi të funksionit të këtij porti si zhvillues i Veriut dhe sidomos për Kosovën. Qeveria shqiptare i ka kushtuar një rëndësi të madhe këtij porti për të dyfishuar kapacitetet dhe rritur efektivitetin e përpunimit të mallrave, sidomos ato transit, drejt Kosovës. Investimet në këtë port bëhen me një ndërgjegjësim të plotë se ky është porti më i afërt i Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›