Sllovenia, mbështetje Berishës për centralin nuklear
Presidenti slloven, Danilo Turk, mbështet nismën e Kryeministrit Sali Berisha për ndërtimin e një centrali nuklear që do të përfshijë vendet e rajonit. Gjatë takimit që zhvilloi dje me Kryeministrin shqiptar në selinë e qeverisë, z. Turk tregoi interes për projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) si projekti më efikas dhe më i leverdishëm për furnizimin me gaz. Ai u interesua edhe për projektin e ndërtimit të një centrali rajonal të energjisë nukleare që do të përfshijë vende të rajonit. Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e plotë të qeverisë për realizimin e këtyre dy projekteve të rëndësishme energjitike. Kryeministri Berisha u ndal më tej në potencialet që ofron Shqipëria për investitorët, sidomos në fushën energjitike, ku vetëm në energjinë hidrike, në 18 muaj, janë 3.5 miliardë euro investime me 50 kontrata të nënshkruara, si dhe në fushën e turizmit, ku Shqipëria ofron mundësi të shumta. “Çdo investim i biznesmenëve sllovenë, - siguroi Kryeministri, - do të mirëpritet dhe mbështetet nga qeveria”. Presidenti Turk u shpreh se biznesi slloven duhet të jetë sot shumë më i pranishëm në Shqipëri për vetë kushtet e mira që ka krijuar qeveria. Gjatë takimit të djeshëm, Berisha dhe Turk konstatuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe u ndalën veçanërisht në nxitjen e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh. Duke shprehur falënderimin për mikpritjen e rezervuar në këtë vizitë, Presidenti Turk tha se ishte i impresionuar për reformat që janë ndërmarrë në Shqipëri. “Shqipëria, - tha Presidenti Turk, - tashmë e ka kaluar periudhën e tranzicionit dhe po përjeton integrimin euroatlantik, si një proces të nevojshëm, në të cilin keni të gjithë mbështetjen dhe ndihmën e Sllovenisë”. Presidenti slloven shprehu gjithashtu mbështetjen për të gjitha reformat dhe përpjekjet e Shqipërisë për integrim dhe për t’iu afruar standardeve të BE-së. Kryeministri Berisha e falënderoi Presidentin Turk për mbështetjen e Sllovenisë dhe për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit në NATO. “Për ne, ky është një moment shumë historik, pasi ne jemi një vend i vogël, i cili ka pasur historikisht probleme me sigurinë e tij. Hyrja në NATO është veçanërisht e rëndësishme dhe historike për ne, sepse i jep Shqipërisë një siguri që nuk e ka pasur më parë. Reformat që kemi ndërmarrë për të përmbushur standardet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, janë shndërruar në një motivim të fuqishëm për qeverinë time”, - u shpreh Kryeministri Berisha, duke theksuar se “realizimi i këtyre reformave dhe ndihma e madhe që na kanë dhënë miqtë dhe aleatët tanë, veçanërisht SHBA-të, ishin vendimtare”. “Projekti tjetër historik për vendin tonë, - u shpreh Kryeministri, - është integrimi në Bashkimin Evropian, për realizimin e të cilit qeveria ka ndërmarrë reforma të thella”. Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha bëri të një rezyme të përpjekjeve dhe arritjeve në luftën kundër krimit të organizuar; korrupsionit, duke nënvizuar se Shqipëria doli nga 24 vendet më të korruptuara, duke lënë mbrapa 95 vende në klasifikim dhe synojmë të jemi ndër 20 vendet e para; në luftën kundër informalitetit; ndërmarrjen e një revolucioni fiskal si rezultat i të cilit Shqipëria është sot vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe në sajë të këtyre përpjekjeve, vendi ka shënuar rezultate të mëdha në rritjen e të ardhurave, në përmirësimin e klimës së biznesit etj. “Ne, - tha Kryeministri Berisha, - kemi bërë investime të thella në infrastrukturë dhe për 3-4 vjet synojmë që Shqipëria të ketë një rrjet të ri rrugësh të standardeve më të larta evropiane”.