Topalli: Vendet e NATO-s votuan një Shqipëri ndryshe
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke folur përpara deputetëve, në seancën e djeshme plenare vuri në dukje se ratifikimi i Protokollit të NATO-s nga 26 vende në një kohë rekord, tregoi që Shqipëria është një vend që ka kryer reforma të thella. “Më 17 shkurt të vitit 2009, në më pak se dhjetë muaj nga ftesa e Bukureshtit, parlamentet dhe senatet e 26 vendeve anëtare të Aleancës Transatlantike kanë votuar pro Shqipërisë, kanë votuar Shqipërinë e ndryshuar, kanë votuar kontributin e shqiptarëve, të burrave e grave të vendit tonë, kanë votuar reformat që kanë transformuar vendin. Na kanë besuar që nga Deti i Veriut në Detin Mesdhe, Oqeanin Atlantik e më gjerë”, - tha Topalli. Sipas kryetares së Kuvendit, ky votim do të bëjë të mundur që në samitin e prillit Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota të NATO-s. “Në samitin e ardhshëm në Strasburg dhe në Kehl, në muajin prill, në më pak se dy muaj ne do të kemi nderin dhe fatin të bëhemi si vendet e Evropës, si amerikanët, kanadezët dhe vendet e tjera të mëdha anëtare të Aleancës së NATO-s”, - tha Topalli.
Topalli, Turk: “BE-ja do të përshpejtojë liberalizimin e vizave
Bashkimi Evropian do të përshpejtojë procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk, ku mes të tjerave, kreu i shtetit slloven tha se duhet përshpejtuar procesi i liberalizimit të vizave. “Lëvizja e lirë është një e drejtë njerëzore dhe unë shpresoj që BE-ja të njohë arritjet impresionuese të Shqipërisë, në mënyrë që të përshpejtojnë me procesin e liberalizimit të vizave”, - tha Presidenti slloven. Topalli e vlerësoi këtë proces si shumë të rëndësishëm për shqiptarët. “Liberalizimi i vizave është shumë i rëndësishëm për shqiptarët që kanë vuajtur shumë gjatë në izolim. Ata meritojnë të lëvizin të lirë dhe ne jemi të angazhuar maksimalisht në këtë çështje”, - tha kryetarja e Kuvendit. Biseda mes dy personaliteteve u përqendrua edhe në shumë fusha të tjera bashkëpunimi. Presidenti slloven vlerësoi reformat e Shqipërisë dhe tha se vendi ynë do të jetë pjesë e NATO-s. Më tej ai tha se mes dy vendeve do të ketë shtim të pranisë së investimeve. “Kemi dy dekada që bashkëpunojmë dhe më vjen mirë që marrëdhëniet ekonomike po vihen në fokus”, - tha Presidenti slloven. Topalli garantoi Presidentin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.