Koalicioni me Berishën, Brokaj refuzon konventën e Metës
Në mbledhjen e sotme të Konventës Kombëtare së LSI-së duket se do të ketë mungesa teksa një pjesë e atyre që nuk pajtohen me kalimin në koalicionin qeverisës do të shkojnë për të dëgjuar vendimin e marrë nga Ilir Meta. Një nga themeluesit e kësaj force politike, Sabit Brokaj, konfirmoi dje në një prononcim për "Shqip" se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Konventës së sotme të LSI-së. Sipas tij, vendimet janë realizuar tashmë të gjitha dhe në këtë Konventë nuk ka më se çfarë të diskutohet, thjesht ato do të lexohen para të gjithëve. Një tjetër themelues i kësaj force politike, Ndre Legisi, duke mos dashur të bëjë asnjë koment, as nëse do të shkojë apo do ta refuzojë këtë mbledhje, preferoi të shprehet me një fjali, duke lënë të nënkuptohet gjithçka. "As duartrokas dhe as shtyj njeri në gabime", është shprehur Legisi, duke e lënë të hapur lojën për ditën e sotme në mbledhjen e Konventës së jashtëzakonshme të LSI-së. Teksa duket se ka preferuar të mos jetë pjesë e debatit pro apo kundër vendimit të marrë nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Duket se për Legisin, pozicioni asnjanës aktualisht është më i pranueshmi. Ndërsa anëtari i Kryesisë së LSI-së, Fatos Klosi, deklaroi se do të shkojë në mbledhjen e Konventës së ditës së sotme. Klosi sqaroi se do të jetë aty për të dëgjuar dhe diskutuar më konkretisht në lidhje me këtë marrëveshje që pritet të bëjë LSI-ja me PD-në. Deri më tani, nënvizoi ai, ne dimë që kryetari Meta thjesht ka pranuar për të diskutuar në lidhje me këtë marrëveshje me demokratët. "Ai mund të pranojë të diskutojë me këdo, por vendimi përfundimtar merret pasi dëgjohet mendimi i të gjithëve", tha ai. Për ta mbyllur prononcimin e tij, Klosi theksoi se "tani dimë vetëm se është pranuar ftesa, për të tjerat duhet të pritet vendimi i Konventës së partisë". Ndërsa disa nga anëtarët e tjerë të kësaj force politike nuk kanë dashur të japin asnjë koment para mbledhjes së Konventës së LSI-së. Ky debat mes emrave kryesorë të LSI-së ka nisur prej tri ditësh, kur kryetari i partisë, publikisht, në një konferencë për shtyp, pranoi ftesën e bërë nga Kryeministri Sali Berisha për të bashkëqeverisur me të. Ftesa duket se nuk është diskutuar në të gjitha strukturat e kësaj force politike, por thjesht në një mbledhje të Kryesisë së ngushtë të LSI-së. Vendimi i Metës për t‘u bashkuar me Berishën shkaktoi shumë pështjellime në kampin opozitar. Kryetari Rama e konsideroi si një tradhtar të 83 mijë opozitarëve Ilir Metën, duke theksuar se ai u bë pjesë e pazareve të pista politike.