E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ vendos në Kongres për aleancat

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të vendosë në muajin korrik për të ardhmen e aleancës së saj dhe për pozicionin që kjo forcë pritet të ketë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Strukturat e PBDNJ-së priten të mblidhen në Kongresin e jashtëzakonshëm që kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, e ka thirrur për t‘u mbledhur në Tiranë gjatë muajit korrik. Pas pushimeve të shkurtra, partia që përfaqëson minoritetin grek do të vendosë për fatin që do të ketë gjatë katër viteve të ardhshme në Parlament dhe pozicionin që kjo parti do të mbajë për punësimin e përfaqësuesve të saj. Në historikun e të gjitha proceseve paszgjedhore, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka formëzuar koalicionin gjithmonë me partinë që është në pushtet. Qëndrimi zyrtar i kësaj force pas zgjedhjeve vazhdon të ngelet se PBDNJ do t‘i përkasë koalicionit të majtë, por verdikti final nuk është marrë ende për aq kohë sa negociatat për ndërtimin e qeverisë së integrimit europian janë të pambyllura. Demokratët kërkojnë të sigurojnë 71 mandate pa Lëvizjen Socialiste për Integrim. Mandati i 71 i PD-së varet nga rezultati i Fierit, por edhe nga kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili është i vetmi përfaqësues nën siglën e partisë së minoritetit grek në Parlament dhe që pasohet nga Spiro Ksera, tashmë deputet i konfirmuar në Qarkun e Gjirokastrës në siglën e Partisë Demokratike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›