E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni me PD-në, në LSI ka zëra pro dhe kundër

Nënkryetari i LSI-së, Zabit Brokaj, ka kundërshtuar marrëveshjen Berisha-Meta. Sot LSI-ja zhvillon Konventën e Jashtëzakonshme për vendimin politik për zgjedhjet

Shaban Sulçe
Vendimi për krijimin e aleancës qeverisëse me Partinë Demokratike nuk është pritur me entuziazëm nga të gjitha figurat drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në partinë e tretë më të madhe në vend ka pasur edhe disa zëra kundër, të cilët kanë kundërshtuar vendimin politik të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, për të negociuar me kryeministrin Sali Berisha për formimin e qeverisë së re. Ndër kryesorët në këtë drejtim ka qenë edhe nënkryetari i LSI-së, ish-deputeti i kësaj partie, Zabit Brokaj. Ai ka theksuar se është kundër marrëveshjes Berisha-Meta dhe se kreu i LSI-së duhet ta kishte marrë këtë vendim pasi të kishte përfunduar procesi i numërimit të votave. Por nuk ka qenë i këtij mendimi anëtari i Kryesisë së LSI-së, Spartak Braho, i cili ka deklaruar se aleanca paszgjedhore me Partinë Demokratike ishte domosdoshmëri, pasi vendi ka nevojë për stabilitet. Sipas Brahos, duhet shmangur urgjentisht kriza politike dhe kriza ekonomike, e cila mund të rezultojë shkatërrimtare për shqiptarët. Ndërkaq, LSI-ja do të zhvillojë Konventën e saj të Jashtëzakonshme, ku do të diskutohet vendimi për aleancën paszgjedhore me Partinë Demokratike.

Brokaj
Nënkryetari i LSI-së, Zabit Brokaj, e ka quajtur të nxituar vendimin e kreut të LSI-së, Ilir Meta, për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Sali Berisha. Sipas Brokajt, vendimi i Metës duhet të ishte marrë vetëm pasi të kishte përfunduar procesi i numërimit të votave dhe vetëm pasi të ishte bëri bilanci real i zgjedhjeve të 28 qershorit. Brokaj tha se ishte kundër marrëveshjes Berisha-Meta për krijimin e qeverisë së re. “Ky vendim duhet të ishte marrë pasi të kishte përfunduar plotësisht procesi i numërimit, në përputhje me analizën e bilancit real, karakterit të këtyre zgjedhjeve, raporteve me krahët, me kundërshtarët dhe, natyrisht, të kishte karakterin e plotë institucional. Unë efektivisht nga politika jam larguar kur hoqa dorë edhe nga mandati i deputetit. Por prania ime në LSI vazhdoi, megjithëse jo aktive. Më është kërkuar nga drejtuesit që unë të jap kontributin tim në LSI deri në zgjedhje, në mënyrë që të mos dukej si largim. Për këtë unë nuk mund t'i jepja vetes të drejtën që t'i kërkoja llogari kryetarit të LSI-së apo t'i imponoja një qëndrim. Kjo i takon vendimmarrjes së forumeve. Ky qëndrim imi në lidhje me këtë marrëveshje nuk ka të bëjë fare, që të jem i qartë, me ndonjë rikthim në PS apo pozicion atje, por thjesht nuk jam dakord me këtë lëvizje dhe kaq”, - ka thënë Brokaj.

Konventa

Lëvizja Socialiste për Integrim do të zhvillojë sot Konventën e saj të Jashtëzakonshme, në të cilën do të diskutohet rreth vendimit politik të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, për të krijuar qeverinë e re të pas 28 qershorit me Partinë Demokratike. Ky vendim politik u mor pas një procesi konsultimi që kreu i LSI-së Ilir Meta zhvilloi me strukturat drejtuese të LSI-së si dhe me faktorin ndërkombëtar. Por, sipas statutit të LSI-së, do të jetë Konventa e saj e Jashtëzakonshme ajo që do të mandatojë kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, për të negociuar për krijimin e qeverisë së re. Në këtë mbledhje pritet që të shprehen edhe zërat kundërshtues ndaj bashkëpunimit me Partinë Demokratike, megjithatë duhet theksuar se ky vendim politik u mirëprit nga shumica e anëtarëve të Kryesisë së LSI-së gjatë konsultave të zhvilluara midis tyre dhe kreut të kësaj partie, Ilir Meta.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›