E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vazhdon pazaret për blerjen e deputetëve të PS-së

PD në negociata të ethshme me deputetë të PS-së. Shifra marramendëse që kapin vlerën e 1 milion eurove

Megjithëse tani është bërë fakt koalicioni midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjë që mundëson krijimin e qeverisë së re, PD-ja vazhdon të negociojë me deputetë të PS-së në mënyrë që ata të kalojnë djathtas. Burimet bëjnë të ditur se drejtues të selisë blu kanë zhvilluar negociata të ethshme ditët e fundit me deputetë të PS-së. Ndërkaq, sipas burimeve, pazari i blerjes së deputetëve të majtë arriti shifra marramendëse parash në ditët e para të shpalljes së rezultateve paraprake të KQZ-së kur PD-ja ende nuk kishte marrë pohimin për bashkëqeverisje me LSI-në.
Pazari
Katër ditët e para pas përfundimin të procesit zgjedhor Partia Demokratike kishte arritur të siguronte vetëm 70 deputetë dhe Berishës i duheshin me çdo kusht të paktën 2 deputetë të PS-së apo të LSI-së, të çfarëdolloj partie qofshin, që të kalonin me PD-në, në mënyrë që kjo forcë politike të fitonte të drejtën e qeverisjes së vendit dhe për katër vitet e ardhshme. Ndaj dhe oferta financiare ka qenë e majme, duke e rritur pazarin e “shitblerjes” së deputetëve, i njohur tashmë në Kuvendin shqiptar, deri në shifrën e 1 milion eurove për të tradhtuar partinë.
Ndërsa aktualisht tregu i trafikut të deputetëve vazhdon të jetë i hapur, ndërsa çmimi i tyre është ulur. Ofertat e PD-së mësohet se variojnë nga 300-500 mijë euro për një deputet të PS-së, që i bashkëngjitet Grupit Parlamentar të PD-së.
Burimet bëjnë të ditur se oferta nuk i ka ardhur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kështu, drejtuesit e PD-së janë treguar me takt në ofrimin e marrëveshjes financiare. Ata kanë zgjedhur si ndërmjetës me deputetin “rozë” një person shumë të afërt me të dhe që ka lidhje si me PD-në, ashtu dhe me PS-në. Ndërkaq, oferta ka qenë mjaft tunduese. “Sa kërkon që të kalosh me PD-në?” - bëjnë të ditur burimet. Në një moment pazari ka kapur shifrën e 2 milionë eurove. Për një pazar të tillë në shënjestër janë vënë kryesisht deputetët e rinj, ata që nuk janë sprovuar në skenën e politikës dhe që mendohej se mund të tradhtonin idealet e politikës. Por, sipas burimeve, në shumicën e rasteve kreu i PS-së ka rënë në gjurmë të këtyre kontakteve të deputetëve të tij me eksponentë të së djathtës dhe ka ndërhyrë për të vënë pikat mbi “i”.
Burimet bëjnë të ditur se të tilla pazare nuk kanë dështuar dhe vazhdojnë të jenë të hapura ende, pavarësisht faktit se PD ka gjetur numrat e duhur të deputetëve për të krijuar qeverinë e re. Madje mësohet se dy apo tre deputetë të rinj të PS-së janë në proces negociatash me PD-në. Pritet që situata të qartësohet më shumë në momentin e krijimit të Parlamentit të ri.

Çmimet
Vazhdojnë negociatat e PD-së për “blerjen” e deputetëve të PS-së
Pas zgjedhjeve pazari kapi shifrën më të lartë prej 1 milion eurosh
Pas marrëveshjes me LSI-në pazari është ulur dhe varion nga 300-500 mijë euro
Demokratët po negociojnë me deputetë të rinj të PS-së
Burimet konfirmojnë se 2-3 deputetë të PS-së janë në negociata për t’u blerë nga PD-ja

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›