E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Bashkëpunim me qeverinë e re vetëm po pranoi kërkesat tona

Subjektet kërkojnë lehtësi për procedurat tatimore dhe parapagimin e taksave. Nga të huajt kërkohet dhe zgjidhja e problemit të titujve të pronësisë mbi tokën

Ervin KOÇI

Përfaqësuesit e sektorëve më kryesorë të biznesit në Shqipëri nuk kanë ngurruar që të ripërsërisin kërkesat e tyre për qeverinë e re që do të formohet, duke ofruar bashkëpunim dhe zgjidhje të problemeve të tyre. Me anë të një letre që ia kanë nisur si Ministrisë së Financave, ashtu dhe dy partive kryesore që synojnë formatimin e qeverisë së re, PD-së dhe LSI-së, shoqatat e biznesit shqiptar kërkojnë zgjidhjen e disa prej problemeve më delikate. Sipas tyre, klima ekonomike në vend është vështirësuar mjaft dhe subjektet gjenden përballë krizës duke rrezikuar falimentimin. Për këtë qëllim shoqatat e bizneseve kanë kërkuar nga qeveria e ardhshme ndryshimeve në sistemin fiskal, lehtësira në pagimin e taksave dhe, mbi të gjitha, reduktimin e korrupsionit dhe abuzimit nga administrata tatimore dhe doganore. Në letrën drejtuar si institucioneve të shtetit, ashtu dhe forcave politike kryesore, biznesi vendas kërkon dhe një platformë të qartë për bashkëpunim me shtetin në 4 vitet e ardhshme.
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka organizuar së fundi një pyetësor me të gjithë anëtarët e saj për të tërhequr opinionin e tyre mbi atë se çfarë presin nga qeveria e ardhshme dhe si mendojnë ata se mund të përmirësohet klima e biznesit në vend.

Klima e biznesit

Janë me qindra kërkesat që biznesi ka përcjellë mes pyetësorit, ndërkohë që Dhoma i ka kategorizuar ato sipas sektorëve. Nëpërmjet këtij pyetësori, Dhoma ka tentuar të krijojë një ide të qartë mbi atë se çfarë pret biznesi për t’i bërë të njohura më pas nëpërmjet aktiviteteve të saj me zyrtarë të lartë qeveritarë apo parlamentare. Duke qenë e qartë se cilat janë problematikat për të cilat biznesi kërkon zgjidhje, Dhoma e ka më të lehtë të organizojë një plan pune dhe në top-listën e saj të vendosë pikërisht takimet me përfaqësues qeveritarë që mbulojnë sektorët ku biznesi ka më shumë probleme. Dhoma Amerikane është një organizatë, e cila ka në fokus të aktivitetit të saj interesin e biznesit anëtar. Në programet elektorale, një vend të rëndësishëm zunë premtimet për biznesin, por është biznesi ai që i takon të gjykojë se kujt do t’i besojë më shumë.

Kërkesat e biznesit

Mes kërkesave më themelore qëndrojnë ato mbi reduktimin e TVSH-së dhe mospërdorimi i sistemeve të referencës, duke marrë për bazë çmimet e kontratës. Lehtësimi i procedurave doganore dhe një strategji e qartë për nxitjen e eksporteve janë dy nga kërkesat themelore. Problemi i titujve të pronësisë mbi tokën është gjithashtu një çështje themelore që kërkon zgjidhje urgjente. Biznesi pret lehtësime të procedurave tatimore ku hyjnë format e parapagimit të taksave si dhe rimbursimi i TVSH-së. Ka pasur një kërkesë të lartë nga ana e biznesit për ngritjen e Gjykatës Administrative dhe një kërkesë e lartë për luftën kundër korrupsionit që duhet të ndërmarrë qeveria, sidomos në administratën tatimore dhe atë doganore. Përfaqësues të AmCham-it theksojnë se nga ligjvënësit nuk mbahet parasysh fakti që bizneset së pari duhet të njihen me këtë legjislacion dhe më pas të përgatisin ose të modifikojnë infrastrukturën e tyre për zbatimin e detyrimeve që përcakton legjislacioni i ri. Për të ecur përpara, AmCham beson se qeveria e ardhshme duhet të ketë më tepër dialog të hapur me biznesin. Për këtë arsye, AmCham ka prezantuar Axhendën e Biznesit, e cila nënvizon atë se çfarë pret të shikojë biznesi nga qeveria e ardhshme. Për më tepër, AmCham shpreson se Axhenda e Biznesit do të krijojë një platformë më të zhvilluar për një dialog mes qeverisë dhe biznesit.

Premtimet e qeverisë për biznesin

Gjatë takimit të fundit elektoral që përfaqësues të biznesit patën me kryeministrin Sali Berisha, ai pranoi se efekti i krizës ekonomike ka filluar të ndihet edhe në Shqipëri. “Ne nuk e kemi kokën ngushtë me buxhetin si të tjerët, pasi rritja e të ardhurave këtë vit është 8-10 për qind më e lartë se e një viti më parë”, - është shprehur kryeministri Berisha, duke shtuar faktin se një nga treguesit e krizës ka qenë ulja e eksporteve në masën 5-8 për qind. Gjithsesi, kryeministri Berisha ka premtuar se në ditët e para të mandatit të dytë do të kalojë me prioritet ligjin e Gjykatës Administrative, si çështja më e rëndësishme dhe më themelore për biznesin. Dhoma Amerikane e Tregtisë është e vendosur për t’i bërë të njohura pritshmëritë që biznesi i tij anëtar ka karshi klasës politike dhe për t’i mbrojtur ata në katër vitet e ardhshme. Mes këtyre kërkesave përfshihen problemet me referencat, mosaprovimi i Gjykatës Administrative, moszbatimi i vendimeve gjyqësore në favor të biznesit, probleme me rimbursimin e TVSH - së dhe një sërë ankesash të tjera i janë bërë të njohura qeverisë.

Çfarë kërkon biznesi nga qeveria e ardhshme

1- Të rishikojë masën e TVSH-së për produktet që kanë ndikim në sektorin bujqësor (nga 20% që është aktualisht në 8 -12%). a) Parapagimi i TVSH-së është shumë i rëndë për biznesin aq më tepër në situatë krize. b) TVSH-ja e diferencuar për produktet ushqimore duke filluar nga 8 për qind.

2- Të hiqen referencat doganore sidomos për importet nga Bashkimi Europian, ku kriter duhet të jenë kontratat. a) Të liberalizohet procedurat e hyrjes së produkteve në Shqipëri nga doganat. b) Lehtësi në procedurat doganore. c) Referencat e transportit të hiqen, pasi ato ndikojnë në rritjen jo reale të kostos së mallit. ç) Të unifikohet akciza me vendet e rajonit. d) Kontrolli nga tatimorët duhet të bëhet një herë në dy vjet dhe periudha e kontrolluar njëherë nuk duhet të kontrollohet më.

3- Të ndihmojë në promovimin e biznesit shqiptar jashtë vendit: a) provimi i eksporteve, b) mbështetje për bizneset në kushtet e krizës, c) konsultim me biznesin për çdo ligj përpara se të kalojë për aprovim, ç) përfaqësimi i biznesit në Parlament, d) përcaktimi i burimeve prioritare për zhvillimin e vendit mbështetur në objektiva.

4- Garantimi i produkteve shqiptare në tregun vendas: a) të anulohet parapagesa mujore e tatimit mbi fitimin, b) Të zgjidhjet përfundimisht çështja e rimburismit të TVSH-së për kompanitë eksportuese dhe rimbursimi të menaxhohet nga Departamenti i Thesarit.

5-Të krijohet menjëherë Gjykata Administrative.

6- Të luftojë korrupsionin dhe burokracitë në institucionet tatimore. Të luftojë ekonominë informate. Të luftojë korrupsionin dhe burokracinë në zyrat e shtetit. Të krijojë një politikë fiskale të lehtësuar për dy vitet e ardhshme. Më shumë transparencë me ligjin e Prokurimeve Publike. Të tjera reduktime në përdorimin e cash-it.

7- Të aplikojë metoda të amortizimit për të mbështetur leasing-un financiar dhe për të mos e diskriminuar atë.

8- Duhet të lejohen organizatat jo qeveritare të punojnë për shqiptarët pa i ngarkuar me taksa ato.

9- Mendojmë se KKRT-ja duhet të thjeshtojë procedurat e aprovimit të lejeve sepse e ka eksperiencën e viteve.

10- Të përmirësojë punën në tregun e sigurimeve dhe vendosjen e siguracioneve të detyrueshme.

11- Në lidhje me miratimin e ligjeve, te pjesa që përcakton hyrjen në fuqi të ligjeve ose akteve nënligjore në disa raste vendoset hyrje në fuqi, data e botimit në Fletore Zyrtare ose në një datë para miratimit të ligjit ose aktit nënligjor, duke pasur kështu fuqi prapavepruese.

12- Në lidhje me komisionet bankare, sistemi bankar në Shqipëri aplikon komisione të larta për pagesa ndërbankare brenda vendit. Ndërkohë që, brenda Komunitetit Europian kur kryhen transaksione nën vlerat 50 000 euro nuk aplikohen komisione bankare.

13- Në lidhje me kontratat me institucionet shtetërore, edhe pse respektohen të gjitha detyrimet kontraktuale, institucionet shqiptare nuk paguajnë për produktet ose për shërbimet e përfituara.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›