Rezultati zgjedhor, si është pritur në radhët e Partisë Socialiste
Rezultati aktual zgjedhor, i cili e sheh Partinë Socialiste sërish në opozitë, është pritur me shqetësim të madh në radhët e drejtuesve kryesorë të kësaj partie. Në Partinë Socialiste aktualisht dominojnë qëndrimet, të cilat mbështesin kryetarin dhe lidershipin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Tri janë argumentet kryesore: fakti që Partia Socialiste ka fituar më shumë vota në shkallë republike krahasuar me Partinë Demokratike, fakti se Partia Socialiste ka dokumentuar manipulimet dhe grabitjet që u është bërë votave të saj, si dhe solidarizimi ndaj vendimit politik të kreut të LSI-së Ilir Meta. Këto tri argumente duket se do të përdoren fuqishëm edhe në ditët në vazhdim dhe do të përbëjnë edhe bazën në të cilën kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të kërkojë rimandatimin e tij në krye të kësaj partie. Megjithatë, në selinë rozë ka dhe disa figura të kësaj partie që kërkojnë që lidershipi i Partisë Socialiste të mbajë përgjegjësinë për humbjen e 28 qershorit. Sipas tyre, është i pafalshëm fakti që Partia Socialiste propozoi një kod që i shkaktoi humbjen së majtës, ndonëse votat e saj ishin më të mëdha. Një tjetër pikë e kritikueshme ka të bëjë me faktin se gjatë periudhës parazgjedhore, Partia Socialiste investoi më shumë në parti pa peshë në elektorat, si në rastin e Partisë G99, e cila mori më pak se 2% të votave dhe jo te LSI-ja, e cila ishte një parti me potencial në elektorat. Gjithsesi, për momentin, në Partinë Socialiste nuk ka asnjë zhvillim. Kryetari i kësaj partie, Edi Rama, ka deklaruar se nuk tërhiqet nga drejtimi i kësaj partie deri në përfundim të procesit të numërimit të votave. Nga ana tjetër, Partia Socialiste do të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor rezultatet në qarkun e Fierit, Beratit dhe Shkodrës, duke shpresuar në rritjen e numrit të mandateve të fituara.
7 Korrik 2009