E Diel, 1 Nëntor 2026

Turqia vlerëson zhvillimin e zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri



Turqia ka përshëndetur zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, duke i vlerësuar ato në përputhje me standardet bazë demokratike. Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë theksohet se "zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit në Shqipëri u zhvilluan në një atmosferë të sigurt, të qetë dhe në përputhje me standardet bazë demokratike. Shpresojmë që këto zgjedhje, që iu përgjigjën në një masë të vlerësueshme shpresave të komunitetit ndërkombëtar, do të jenë një fazë e rëndësishme në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Besojmë se këto zgjedhje dhe qeveria që do të formohet në përfundim të tyre, falë politikës se ekuilibruar dhe konstruktive të Shqipërisë, do të forcojnë pozitën e saj si një faktor stabiliteti në rajon dhe do të shërbejnë për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar", - vihet në dukje në deklaratë. “Siç ka ndodhur në të kaluarën, edhe në të ardhmen Turqia është e gatshme t’i japë mbështetjen e nevojshme Shqipërisë, e cila ka hedhur hapa të rëndësishëm në rrugën e demokracisë, stabilitetit dhe zhvillimit dhe të vazhdojë edhe në të ardhmen marrëdhëniet tona të shkëlqyera, pa asnjë problem politik mes tyre dhe në bashkëpunimin ekzistues në çdo fushë”, - theksohet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›