Partia Demokratike denoncon Edi Ramën për Planin Rregullues të Tiranës
“Lënia e kryeqytetit në mëshirë të interesave të ndërtimit dhe pa një plan rregullues, dështimi më i madh i Edi Ramës”
Selia blu i është rikthyer edhe njëherë mungesës së një Plani Rregullues për Tiranën, duke akuzuar për këtë kryebashkiakun Edi Rama. Deputeti i PD-së Gerti Bogdani, u shpreh dje se Edi Rama ka dështuar në drejtimin e bashkisë, ndërsa mungesa e një Plani përveç problemeve të përditshme që u sjell qytetarëve, ka zhvlerësuar pronat e tyre.
“Gjatë viteve Tirana ka përjetuar një bum ndërtimi; sipërfaqja e ndërtuar e qytetit është më shume se dyfishuar, ç’ka në rastin e Tiranës ka krijuar shqetësim dhe problematika të thella, pasi i gjithë ky zhvillim ka ndodhur në mungesë të një plani të përgjithshëm rregullues. Tirana, është i vetmi kryeqytet në Europë pa një plan të përgjithshëm rregullues, edhe pse ky ka qenë premtimi i parë i Edi Ramës në vitin 2000. Praktika e ndërtimit në qytetin e Tiranës në mungesë të një Plani të Përgjithshëm Rregullues, përveç zhvillimit kaotik të qytetit, ka sjellë një zhvlerësim të heshtur të pronës së qytetarëve të Tiranës”, tha deputeti Bogdani.
Sipas tij, ky zhvlerësim ka ndodhur në disa mënyra.
“Ndërtimi i pallateve në një zonë të caktuar, jo si pjesë e një plani të përgjithshëm, ka krijuar një situatë kur pronat e shumë qytetarëve të vjetër dhe e kanë vështirësuar zhvillimin e pronës së tyre. Për më tepër, qytetarët blejnë hyrje të shtrenjta por mbas disa vitesh përpara dritares apo ballkonit të tyre ndërtohet një pallat i ri. Mungesa e një plani të përgjithshëm rregullues, ka sjellë mungesën e ambienteve të gjelbra, këndet për fëmijët, dhe ambientet e tjera publike që janë në shërbim të banorëve. Dështimet e Edi Ramës si kryetar bashkie janë të panumërta, por dështimi i tij më i madh, është padyshim lënia e kryeqytetit në mëshirë të interesave të ndërtimit, pa një plan rregullues”, deklaroi më tej, deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.