E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Kulla e Pezës dhe e Fidelit mallkohet rritja e pagave dhe pensioneve

S’gjejnë paqe oborrtarët e Edvinit nga humbja e shpresës se mund të mbijetojnë në politikë me shpifje. Mallkimet për rritjen e pagave dhe të pensioneve si dhe shpifjet se kjo po vë në rrezik kursimet po hasin në vendosmërinë e mazhorancës për të mos hequr dorë nga përmasa sociale e qeverisjes.
Berisha: “Opozita e sheh botën nga Kulla e Fidelit”

Gjatë komunikimit të tij të përjavshëm me deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha u ndal veçanërisht te zhvillimet ekonomike në vend, kryesisht te vendimi i fundit i qeverisë për rritjen e pensioneve, i cili do të pasohet më vonë edhe nga një vendim tjetër për rritjen pagave.
Kreu i ekzekutivit pohoi se në një kohë që ekonomia botërore përballet me vështirësi serioze, nuk ka se si këto vështirësi të mos ndikojnë ekonominë shqiptare, por ajo që duhet theksuar është se ekonomia shqiptare është e prirur drejt rritjes. Për këtë kryeministri solli dhe njëherë në vëmendje të dhënat tre shifrore të rritjes së eksporteve.
“Kur ekonomia botërore dhe veçanërisht ajo evropiane përballet me vështirësi serioze, është jashtë çdo lloj imagjinate që këto vështirësi të mos kenë një pasqyrim, në një shkallë të caktuar, në ekonominë shqiptare. Por nga ana tjetër, unë kam shumë kënaqësi t’ju informoj se në atë çka është ekonomi reale, kjo ekonomi performon sot më mirë se kurrë në historinë e saj. Dhe unë dua t’ju njoh me bilancin e 6 mujorit. Eksportet ‘Made in Albania’ për 6 mujorin e parë të 2010 janë rritur në 39 miliardë e 545 milionë, ndërsa në 6 mujorin e parë të vitit 2009 këto kanë qenë gjithsej 15 miliardë e 270 milionë. Pra pothuajse janë trefishuar. Eksportet me materiale të importuara kapin vlerën 42 miliardë e 206 milionë, kundrejt 32 miliardë e 236 milionë që ishin në 6 mujorin e parë të vitit 2009. Pra në total eksportet shqiptare në 6 mujorin e parë të këtij viti arrijnë në vlerat 81 miliardë e 751 milionë, kundrejt 48 miliardë e 506 milionë që kanë qenë vitin e kaluar. Pra një rritje të tillë eksportesh, ju garantoj, nuk ka regjistruar as edhe një vend tjetër deri më sot, përveç atyre që mund të kenë shpërthimet gjigante të naftës apo të gazit”- tha kryeministri Berisha duke e qartësuar këtë si një leksion për opozitën dhe Edi Ramën, të cilët nga mëngjesi deri në darkë përcjellin shifra të rreme.
Duke u ndalur te qëndrimi i Partisë Socialiste, për rritjen e pagave dhe pensioneve, kryeministri Berisha tha se janë deklarata që vijnë nga një shpirtkazmëri e pashembullt.
“Të reagosh në këtë mënyrë do të thotë të shohësh botën nga kullat e Fidelit. Se si mund të ngrihet opozita e të quajë krim politikën e rritjes së pensioneve, kjo është një shpirtkazmëri e pashembullt. Në vend që t’i kërkosh qeverisë të bëjë çdo përpjekje për të rritur, të shpallësh se kjo rritje përbën një krim ekonomik, në të vërtetë nuk e di se si mund t’u dalësh përpara atyre qindra e mijëra burrave dhe grave të thinjur, të lodhur, të cilët marrin një pension shumë më të vogël nga meritojnë. Por problemi është se u shkrinë në një sistem barbar, të cilët çdo ditë e errin dhe e ngrysin me lot heshtje për pamundësitë që kanë. Pra të kesh zemër dhe të shpallësh se po bën një krim se po rrit pensionet është jashtë çdo lloj, jo dhembshurie, se për dhembshuri nuk bëhet fjalë, por jashtë çdo lloj qëndrimi opozitar”, vuri në dukje kryeministri Berisha.
Sipas kreut të qeverisë deklarata e opozitës se duke rritur pensionet qeveria u mori shqiptarëve 70 për qind të kursimeve të tyre, është një gafë e pafalshme.
“Unë dua t’ju informoj ju, zonja dhe zotërinj deputetë, dhe mbarë shqiptarët, se në mënyrë absolute kjo qeveri që kur ka ardhur në pushtet nuk ka prekur qoftë edhe një qindarkë të vetme për rrogat dhe pensionet nga kursimet e tyre, çka e kanë bërë paraardhësit tanë çdo vit. E quajta gafë, sepse po të jetë shpirtligësi nuk njeh asnjë kufi”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha, duke shtuar se vendimi i mazhorancës për të rritur rrogat dhe pensionet bazohet dhe mbështetet fuqishëm nga treguesit ekonomik te vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›