E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, Senati miratoi ligjin Gelmini, në shkolla racizëm

 

Studentët në Itali janë përleshur me policinë gjatë protestave kundër reformës në arsim, që u ndezën edhe më shumë, pasi Senati miratoi planin e shumë-debatuar të ministres Gelmini. Reforma në arsim ka tone të theksuara racizmi, pasi lë në klasa të veçanta fëmijët dhe studentët emigrantë në vendin fqinj. Por nuk ndalen këtu, reforma e ministres italiane të Arsimit kthen në shkolla edhe praktikën e ngarkimit me punë shërbimi të nxënësve që kanë sjellje të keqe, një praktikë që nuk kujtohej prej dekadash. Ligji i ri pritet të shkurtojë shpenzimet në edukim dhe kërkime. Në Romë u mbyllën të gjitha dyqanet, kafenetë dhe restorantet. Pronarët e tyre kanë ulur qepenët me shpejtësi që pas nisjes së protestës nga frika se miratimi i saj do të sillte vandalizëm mes protestuesve. Sipas raportimit të agjencisë ANSA, pasi u përhap lajmi se Senati miratoi ligjin e kundërshtuar fuqishëm nga studentët dhe pedagogët, grupet rivale politike të studentëve morën karrige dhe tavolina nga baret pranë sheshit para Senatit dhe nisën të godasin njëri-tjetrin. Të tjerë, me kokore motorësh godisnin rivalët me shkopinj. Katër të rinj u shtruan në spitalin “Santo Spirito” në Romë. Disa senatorë kanë zbritur në shesh për të biseduar me studentët  që manifestonin që prej 24 orëve të fundit. Parlamentarët e opozitës kanë ngritur pankarta me shkrimin “Nëse miratohet ligji Gelmini, referendum”, dhe menjëherë manifestuesit kanë mbështetur në kor, “Referendum! Referendum!”. Por Senati italian e miratoi dekretin me 162 vota pro, 134 kundër dhe 3 abstenime. Ndërtesa e Senatit ishte e rrethuar me qindra forca policie për ligjin deri më tani më të debatuar të qeverisë Berluskoni. Partia Demokratike e Veltronit paralajmëroi tubime të tjera masive nëpër sheshet e Italisë  kundër ligjit racist, që ndan në klasa të veçanta fëmijët italianë dhe ata të emigrantëve. Në formë proteste kundër ministres së Arsimit, Mariastella Gelmini, studentë e profesorë të universiteteve italiane kanë zhvilluar leksione jashtë institucioneve. Përpara Senatit studentët protestues janë përleshur edhe me policinë, të cilët nuk i kanë lejuar ata të afrohen pranë institucionit. Rreth 15 studentë janë arrestuar, tre të tjerë dhe një polic janë plagosur lehtë si rezultat i përleshjeve. Studentët ankohen se me këtë ligj nuk kanë të ardhme. Ndërsa qeveria italiane thotë se ligji, i cili kryesisht prek shkollat fillore dhe të mesme, do të eliminojë shpërdorimet dhe ka të njëjtat praktika dhe sisteme të shkollave të tjera evropiane. Carlo Maria Bertoni, një profesor fizike në Modena, tha se “Ligjvënësit nuk e kuptojnë se kështu kanë nxitur pjesën më të madhe të studentëve të largohen në universitete jashtë vendit, në SHBA apo diku tjetër në Evropë, nëse ata pretendojnë karrierë dhe investim në edukim, ndryshe nga sa po ofron Italia me ligjin e ri”. Protesta të fuqishme me mijëra studentë janë organizuar edhe në qytete të tjera përveç Romës, si Milano, Napoli, Firence, Aleksandri, Trieste etj. Në Napoli dhe Salerno, po ashtu edhe në Milano janë bllokuar stacionet e trenit, që nga mëngjesi dhe janë lënë të lira vetëm pasdite, rrugët dhe sheshet. Protestuesit edhe në këto qytete janë përleshur me policinë dhe ka pasur në secilin prej tyre nga tre deri në katër të plagosur. Studentët janë zotuar se: “Do të vazhdojmë luftën tonë në Universitete e Shkolla”, përpara Pallatit të kryeministrisë, Madama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›