E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakistan, tërmeti vret qindra, lë mijëra të pastrehë

 

Të paktën 170 persona kanë humbur jetën pas një tërmeti të fuqishëm që goditi Pakistanin jugperëndimor, duke lënë edhe mijëra të tjerë të pastrehë. Kjo ishte shifra e fundit e viktimave e raportuar nga autoritetet, por numri pritet të rritet. Sipas punonjësve të ndihmës së shpejtë dhe agjencisë “Care International”, numri i viktimave është 500-600 persona. Fshatra të tëra janë shkatërruar nga goditjet që nisën në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Tronditje të tjera janë regjistruar edhe në orën 5:30 të pasdites me orën lokale. “Ne shkuam në fshatin Uam, ku pamë të përgatiteshin varre masive”, tha Hasan Mazumdar, drejtor i “Care International” në Pakistan, për agjencinë AP. “Unë llogarita rreth 200 të vdekur vetëm në atë fshat. Malet ende dridheshin. Njerëzit ishin vërtet shumë të trembur”. Tërmeti i kësaj radhe ishte i shkallës 6.5 Rihter. Tërmeti i tre viteve më parë në Pakistan mori jetën e rreth 73.000 personave. Kuetta, kryeqyteti provincial i Balukistanit, është përfshirë nga një tërmet i fuqishëm herën e fundit në vitin 1935, i cili vrau 30.000 njerëz. Në zonën e tërmetit është dërguar edhe ushtria për të ndihmuar apo për të nxjerrë nga rrënojat të mbijetuar. Ndërkohë në këtë zonë pritet që temperaturat të zbresin nën zero gradë. Eshtë llogaritur që rreth 30.000 njerëz janë prekur nga ky tërmet, mes të cilëve të vdekur, të plagosur, të zhdukur dhe të pastrehë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›