Berisha gjen sabotatorë te nafta
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha ka zbuluar dje për herë të parë se persona të caktuar kanë dashur të sabotojnë procesin e privatizimit të ARMO-s. Duke folur në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, Berisha është shprehur se punonjës të kompanisë, nisur nga interesa personale, kanë marrë oferta të mëdha vetëm për të penguar këtë proces. "Dua të falënderoj gjithashtu Ministrinë e Brendshme dhe Policinë Kriminale, e cila me një ndërhyrje precize dhe kompetente neutralizoi në kohë veprimin e papërgjegjshëm dhe korruptiv të ndonjë punonjësi, që tërësisht mbi interesa personale, bashkëpunonte çdo ditë për sabotimin e suksesit, sepse kishin marrë oferta personale të mëdha", u shpreh kreu i qeverisë. Sipas tij, "kjo ndërhyrje ishte jashtëzakonisht e dobishme, pasi e lejoi ministrin të marrë vendimet e duhura dhe natyrisht dosja ka shkuar në Prokurori. Procesi u kompletua me sukses të plotë, gjobëvënësit apo gjobëprerësit morën përgjigjën që meritonin dhe arka e publikut shqiptar do të ketë 130 milionë euro më shumë për të ndërtuar rrugë, shkolla, për të rritur pagat, për të zvogëluar borxhin". Në pjesën e parë të mbledhjes së qeverisë, kryeministri e ka cilësuar privatizimin e ARMO-s si procesin më shembullor të 18 viteve të fundit. "Jashtë retorikave dhe fjalëve, theksoj se kjo ka qenë procedura më model, e ndjekur në këto 18 vite në privatizimin e një aseti shtetëror. Ajo ka qenë shembull dhe dëshmi e kompetencës, integritetit dhe transparencës së veprimtarisë së qeverisë dhe ministrisë përkatëse. Ky është padyshim privatizimi më i suksesshëm në historinë e vendit. Këtë e dëshmojnë, fatmirësisht, të gjitha faktet". Sipas tij, në vitin 2004 për privatizimin e kësaj kompanie u ofruan 10 milionë dollarë, ndërkohë që gati katër vjet më vonë 85 për qind të aksioneve të saj shiteshin me 128.7 milionë euro. Gjatë mbledhjes së djeshme u miratua pr.ligji "Për ratifikimin e kontratës së shitjes së 85% të aksioneve të ARMO sha-së, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe blerësit 'ARMA oil, sha' dhe konsorciumit, 'Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group'". Në nenin 2 të këtij pr.ligji thuhet se, "METE, në rolin e përfaqësuesit të pronarit shtet, autorizohet që, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, të identifikojë dhe të shuajë, me kompensim, detyrimet debitore dhe kreditore, që institucionet, shoqëritë tregtare shtetërore dhe ARMO sha, kanë ndaj njëri-tjetrit, deri në vlerën që këto detyrime pasqyrohen në bilancin e vitit 2007 të ARMO sha-së". Gjithashtu, Këshilli i Ministrave përcakton detyrimet që do të shuhen me kompensim dhe shumën e këtyre detyrimeve. Në relacionin e marrëveshjes parashikohen edhe gjobat në rast të mos kryerjes së investimeve të parashikuara në kontratë. Kështu "nëse investimi aktual është më pak se 100 milionë dollarë, shuma e gjobës do të jetë e barabartë me pesë për qind të investimit total të miratuar duke zbritur investimin aktual; në rast se investimi aktual është një shumë që përfshihet midis, dhe përfshin 100 milionë USD dhe, por me përjashtim të shumës 155 milionë USD shuma e gjobës do të jetë e barabartë me 1% të investimit total të miratuar duke zbritur investimin aktual".
"Biznesi i huaj beson te qeveria"
Sipas Kryeministrit Berisha, ky privatizim tregon se biznesi i huaj beson te qeveria. "Konstatoj me kënaqësi dhe krenari se kjo administratë, vepër e së cilës është edhe ky sukses, ka rritur kompetencën dhe përgjegjësinë, ka rritur aftësitë negociuese dhe vlerësuese në tërësi. Nuk mund të mohohet se në këtë vlerë janë edhe kredencialet e qarta të qeverisë shqiptare. Neve na besojnë. Komuniteti botëror i biznesit beson tek ne, për të vendosur ëndrrën dhe projektin e vet", theksoi Berisha.