E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja "Rexhina" mbërrin në Gjykatën e Krimeve të Rënda

Dosja "Rexhina" shkon në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pikërisht në ditën kur u mbush plot 1 vit nga arrestimi i pjesëtarëve të këtij grupi. Dje, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka depozituar në gjykatë kërkesën për gjykim të tetë të pandehurve, të cilët konsiderohen si anëtarë të grupit të njohur me emrin "Rexhina", për shkak të operacionit policor, gjatë të cilit ata u arrestuan. Të pandehurit do të përballen me një numër të madh akuzash, ndër të cilat më të rëndat janë ato të "vjedhjes", "vjedhjes me armë", "trafikimit të mjeteve motorike", vepra penale të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe të parashikuara nga nenet 134, 140, 141/a dhe 333 të Kodit Penal. Edmond Neza, Gentjan Neza, Erlind Taullaj, Bujar Sefa, Sidit Bedini, Genci Lleshi, banues në Tiranë dhe Dritan Hamiti, banues në Fier, akuzohen se kanë qenë pjesë e një grupi, i cili vidhte makina luksoze dhe i shiste ato. Por, pjesëtarët e këtij grupi, gjatë rrëmbimit të makinave u kanë marrë pronarëve të tyre edhe sende të tjera personale, si bizhuteri të shtrenjta, celularë dhe shuma të mëdha të hollash.

Anëtarët e këtij grupi u arrestuan më 1 maj të vitit 2007, gjatë një operacioni, i cili u zhvillua njëkohësisht në disa rrethe të vendit si: Durrës, Fier, Laç, Lezhë, Kavajë dhe Vlorë. Sipas akuzës, veprimtaria e tyre kishte vijuar gjatë harkut kohor tetor 2006 - mars 2007 dhe ishte shtrirë kryesisht në qytetet e Tiranës, Kavajës dhe Durrësit. Prokuroria tha pas operacionit, se hetimi rreth aktivitetit kriminal të grupit kishte zgjatur disi në kohë, për shkak të volumit të madh të veprimeve procedurale. Pasi ka caktuar masat e sigurimit "arrest në burg" për pesë nga të pandehurit e kësaj çështjeje dhe konkretisht për Gentjan Nezën, Erlind Taullajn, Sidit Bedinin, Dritan Hamitin dhe Genci Lleshin, Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencën e saj për gjykimin e kësaj çështjeje. Nisur nga fakti që akuzat për të pandehurit ishin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi që t‘ia kalojë çështjen për kompetencë Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, që ka marrë përsipër hetimin dhe përgatitjen e dosjes për gjykim, duket se ka arritur qysh në fillim të procesit të sigurojë një dëshmitar të rëndësishëm. Ai është i pandehuri Erlind Taullaj, i cili ka pranuar të rrëfejë "mëkatet" e grupit dhe në këtë mënyrë ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Duket se përveç provave materiale që ka grumbulluar organi i akuzës, ku ndër më të rëndësishmet janë disa prej makinave të vjedhura nën kërcënimin e armëve, dëshmia e të penduarit Taullaj do të jetë ajo që mund të vendosë fatin e të shtatë të pandehurve të tjerë.

rasti

Akuzohen për vjedhjen

e makinës së këngëtares

Në numrin e shumtë të vjedhjeve të makinave që është paraqitur nga prokuroria, bie në sy edhe vjedhja e makinës së këngëtares Ermiona Lekbello. Sipas organit të akuzës, në datë 09.11.2006, në ora 00:45 pranë shkollës "Konferenca e Pezës" në Tiranë, 2 persona të armatosur me pistoleta i kanë vjedhur me dhunë shtetases Ermiona Lekbello autoveturën "Benz Mercedes" fuoristradë me ngjyrë gri, me targë 4 TUF 902, prodhim amerikan. Lekbello ka qenë në hyrje të pallatit të saj, teksa parkonte makinën, të cilën e kishte blerë në Amerikë. Grabitësit i kanë marrë edhe sendet personale, vlera monetare, si dhe telefonin celular. Pas hetimeve të kryera, prokuroria ka akuzuar për këtë ngjarje Bledar Hasanin, Gentjan Nezën dhe Bujar Sefën. Makina e vjedhur më pas është dërguar në Lezhë, ku e kanë shkëmbyer me një makinë tjetër tip BMW dhe një shumë prej 2500 eurosh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›