E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, në kërkim të takimit Mediu-Delijorgji

Prokuroria e Përgjithshme e ka fokusuar procesin e hetimit për ngjarjen tragjike të Gërdecit në përgjegjësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pas kërkesës së drejtuar Parlamentit për heqjen e imunitetit të deputetit dhe njëkohësisht kryetarit të Partisë Republikane, prokurorët kanë parashikuar sekuestrimin e të gjitha pamjeve filmike, që kamerat e sigurisë së Ministrisë së Mbrojtjes kanë regjistruar gjatë gjashtë muajve të fundit. Burime konfidenciale thanë për "Shqip", se gjithçka bëhet për të kontrolluar personat që kanë hyrë dhe dalë në ministri, por edhe në vetë zyrën e ministrit. Kjo, pasi mendohet që ish-ministri Mediu është takuar me administratorin e firmës Albdemil Mihal Delijorgji, i cili ndodhet i arrestuar për ngjarjen tragjike të 15 marsit të këtij viti. Nëse prokurorët do të arrinin të zbulonin një takim të mundshëm midis këtyre dy personave, atëherë do të kishin një provë të fortë për të vërtetuar lidhjet e ish-kreut të dikasterit të Mbrojtjes me një nga të akuzuarit kryesorë, si shkaktar i tragjedisë. Ministria e Mbrojtjes, ku ndodhen edhe zyrat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, janë të kontrolluara nga një sistem sigurie, i përbërë nga shumë kamera. Të gjitha pamjet filmike regjistrohen në një database të vetëm, që ndodhet në ministri. Shumë shpejt prokurorët pritet që të marrin në dorëzim këto pamje, duke nisur kontrollin e imtësishëm të tyre.

Në të njëjtën kohë, prokurorët mendohet se do të marrin në dorëzim edhe regjistrat dhe librat e shërbimit të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjithnjë me synim verifikimin e mundësisë që Delijorgji të jetë takuar me Mediun, apo edhe me zyrtarë te tjerë të lartë të kësaj ministrie, prokuroria do të kontrollojë të gjitha hyrje-daljet që janë regjistruar në regjistrat e shërbimit. Burimet nga prokuroria nuk e përjashtuan mundësinë që nga këto të dhëna të zbulohen edhe lidhje të tjera të Delijorgjit me persona pranë ministrit, apo drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Prokuroria e Përgjithshme duket se ka zbuluar rreth 30 dokumente dhe urdhra të lëshuara nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për ngritjen dhe vazhdimin e punimeve në "fabrikën e vdekjes" në Gërdec. Në kërkesën për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Fatmir Mediu, drejtuar Kuvendit, prokuroria deklaron se mbështetur në aktet dhe dokumentet e administruara nga hetimet e deritanishme, evidentohen mjaft të dhëna, që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime me dashje në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec dhe se kanë sjellë përfitime të padrejta në favor të subjekteve private.

Tashmë, prokurorët duket se janë vënë edhe në kërkim të një takimi direkt midis Mediut dhe Delijorgjit për të vulosur akuzën e tyre për kreun e republikanëve. Vetë Mediu, por edhe partia e tij, i kanë hedhur poshtë gjithnjë akuzat e bëra dhe madje duke sulmuar Prokuroren e Përgjithshme. Por, nëse grupi hetimor arrin të zbulojë takimin midis tij dhe bosit të Albdemil, atëherë situata do të komplikohet edhe më shumë për ish-ministrin e Mbrojtjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›