E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: “Nevojitet platforma për bashkimin e së majtës”



Shtohen zërat për një strategji të re dhe të shpejtë për bashkimin e së majtës. Pas aleatëve të Partisë Socialiste, Gjinushi dhe Milo, edhe ish-deputeti socialist, Petro Koçi, shprehet se në Kongresin e Jashtëzakonshëm mungoi një platformë për një të majtë më të forcuar, ndërsa nënvizoi se për zgjedhjet vendore të 2011-ës duhet hartuar një strategji fituese. “Edhe ne, si përfaqësi politike, kemi mbetur në opozitë, sepse ky ishte përcaktimi i votuesve. E gjithë opozita duhet të gjejë rrugët e bashkëpunimit për të ndërtuar një strategji fitoreje në të ardhmen. Jemi shumë pranë zgjedhjeve lokale, ndaj kjo kërkon patjetër një përqendrim energjish te problemi i bashkëpunimit i forcave të opozitës. Jo vetëm të majta, por dhe të të gjithë progresistëve të spektrit politik”, - theksoi Anëtari i kryesisë së PSV ’91, Petro Koçi. Sipas ish-kreut të PSV ‘91, parti e cila doli në koalicion me LSI-në në zgjedhjet e fundit parlamentare, në të ardhmen nuk i duhet mbyllur dera as Lëvizjes Socialiste për Integrim për një bashkëpunim fitues. “Dhe LSI-ja, ashtu si PS-ja dhe PSV ‘91, nuk i fitoi zgjedhjet, pra dhe LSI-ja quhet humbëse e zgjedhjeve, pavarësisht faktit se tashmë është në një formacion maxhorancë me Partinë Demokratike. Pra në demokraci nuk ka filozofi armiqësore, por ka platforma rivalësh dhe kundërshtarësh politikë. Për momentin e majta në opozitë është kundërshtare me LSI-në që është në pushtet. Por, pavarësisht nga deklaratat për një bashkëpunim afatgjatë të LSI-së me Berishën, e majta duhet të lërë një dritare të hapur për bashkëpunim të mesëm”, - theksoi ndër të tjera Koçi. Ndonëse nuk ka ende një vendim zyrtar të Partisë Socialiste për të mos qenë në Kuvend në seancat e para, Koçi shprehet se ky do të jetë një akt i përkohshëm i socialistëve.
“Nëse do të kemi një vendim përfundimtar për të bojkotuar Parlamentin, ky do të jetë një akt i përkohshëm. Nuk do të ketë një bojkotim të përhershëm të Kuvendit, pasi nuk ka asnjë interes politik PS-ja dhe opozita të mungojë në Parlament. Pra të mungojë zëri i opozitës në punimet parlamentare”, - tha Koçi.

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›