E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Kemi prova për kriminelët që u angazhuan në fushatën e PD-së”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka lëshuar sërish akuza të forta në drejtim të kryeministrit Sali Berisha, të cilin e ka cilësuar si ideatorin e maskaradës zgjedhore të 28 qershorit.
Rama tha se kryeministri Berisha ka pasur një bashkëpunim të qëllimshëm me kriminelët e liruar nga burgu gjatë fushatës elektorale dhe gjatë procesit zgjedhor. Ai tha se Partia Socialiste posedon prova të verifikueshme në denoncimin që i bën këtij operacioni kriminal. Kryesocialisti theksoi gjithashtu se kryeministri Berisha nuk mund të shfajësohet për këtë maskaradë zgjedhore dhe se çdo shfajësim i tij e bën atë edhe më tepër fajtor. “Këta kriminelë të liruar nga burgjet janë përdorur për të ushtruar autoritetin e tyre mafioz në funksion të fushatës elektorale, të pushtetit dhe Sali Berishës. Çdo lloj insinuate qesharake, e bërë lidhur me këtë aspekt kriminal të procesit zgjedhor, nuk e shfajëson, por e fajëson edhe më shumë kryeministrin e vendit”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Lejet

Kryesocialisti Edi Rama tha se s’ka asnjë dyshim që dhënia e lejeve për të burgosurit gjatë fushatës elektorale ka qenë në funksion të interesave të errëta të qeverisë, Partisë Demokratike dhe kryeministrit Sali Berisha. Rama theksoi se Partia Socialiste ka prova të mjaftueshme dhe të verifikueshme për këtë operacion kriminal të ideuar nga kryeministri Berisha. “Ne nuk kemi folur për procedura standarde ligjore, kemi folur për shkelje të hapur dhe flagrante të ligjit. Rastet e paraqitura prej nesh, të siguruara prej burimeve konfidenciale, plotësisht të verifikueshme, nuk janë raste të njerëzve që kryejnë dënimin dhe marrin një leje të zakonshme standard brenda gjithë procedurave. Por janë raste të shkeljes flagrante të kushteve që parasheh ligji për lejen e çdo të dënuari që të kapërcejë pragun e burgut. Jemi në kushtet e një operacioni kriminal, të organizuar nga vetë autoriteti shtetëror, që ka me ligj të drejtën që të japë lejet e daljes së të burgosurve, por që është tërësisht i kufizuar nga ligji për kushtet që jepen këto leje”, - vijoi Rama.

Qeveria
Duke folur për krijimin e qeverisë së re, negociatat për të cilën pritet të nisin gjatë ditës së sotme, Rama tha se kryeministri Berisha dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, po përgatiten për dasmën e turpit të madh politik. “Sali Berisha, i cili së bashku me Ilir Metën po përgatiten për dasmën e turpit të madh politik, por në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye nuk mund që të gjithë atë që ky proces i solli Shqipërisë dhe shqiptarëve, ta fshijë dhe ta lënë pas krahëve. Do ta kenë në mënyrë të vazhdueshme përpara syve, siç do ta kenë përpara syve të gjithë shqiptarët e shqiptaret dhe i gjithë opinioni publik dhe ndërkombëtar. Sepse ne jemi të vetëdijshëm për faktin e thjeshtë, se kjo maskaradë zgjedhore nuk mund të prodhojë institucione me legjitimitet të plotë dhe njëkohësisht me institucione me legjitimitet të cunguar, nuk mund të ketë demokraci, liri dhe prosperitet, por vetëm thellim të mëtejshëm të një krize të rënë, që është një krizë demokratike, që është një krizë e shtetit të së drejtës, që është krizë ekonomike dhe shoqërore”, - tha kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›