E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi i PD-së: “Rama nuk di se çfarë flet”



Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të kryesocialistit Edi Rama, i cili e akuzoi kryeministrin Sali Berisha se ishte ideatori i operacionit të lirimit nga burgu të kriminelëve, të cilët bashkëpunuan për qëllimet e errëta të manipulimit të zgjedhjeve. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, tha se Edi Rama nuk di se çfarë flet për shkak të pikëllimit që e ka kapur për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Mëhilli tha se Rama nuk është në gjendje të ofrojë asnjë provë të vetme lidhur me implikimin e të dënuarve në fushatën elektorale të Partisë Demokratike. “Sërish shoku Rama doli në bahçe, i çfazuar dhe në një ezauriment mendor sa tragjik, aq dhe komik, duke ripërsëritur fobinë e fundit të tij të sindromës së krijuar nga humbja e zgjedhjeve. Pasi akuzoi me dhjetëra e dhjetëra herë komisionerët socialistë të të gjitha niveleve për mungesë integriteti, e mbasi akuzoi mediat për breshëri sulmesh ndaj tij, tani ka disa ditë rresht që merret me të burgosurit, të cilët u lejuan të shkojnë me leje në shtëpitë e tyre, në përputhje me një praktikë të të gjitha vendeve demokratike. Sërish i përsërisim zotit Rama se të burgosurit janë lejuar dhe do të lejohen të shkojnë në shtëpitë e tyre në zbatim të një rregulli që ekziston në çdo vend të lirë. Zoti Rama pati shansin sot të paraqiste qoftë edhe provën më të vogël të ndërhyrjes apo implikimit të tyre në procesin zgjedhor, por nuk e bëri. E përsërisim që i vetmi rast i evidentuar është ai i Emiljano Kecit, i cili sapo u lirua me leje u shndërrua në truprojën e armatosur të Blendi Klosit, gjë që i detyroi organet e policisë ta ndalojnë atë dhe ta rikthejnë në institucionet e vuajtjes së dënimit. Nëse zoti Rama disponon qoftë edhe faktin më të vogël, - jo lista, por fakte, - është i ftuar ta bëjë atë publik, por të sulmojë qytetarët e këtij vendi vetëm se ata janë të burgosur e t’u atribuojë akuza pa faktuar shkelje ligji, dëshmon vetëm se nga frika, tmerri dhe pikëllimi nuk di se çfarë flet”, - tha zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli.

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›