Koçi: PS-PD, pa dallime esenciale
Drejtuesi i PS '91, Petro Koçi, gjatë një takimi në minibashkinë nr. 2 në Tiranë akuzoi dy partitë kryesore se kanë humbur identitetin e tyre. "E majta ka humbur dallueshmërinë nga e djathta në sjelljen e saj politike. PS-ja dëshmoi se ka të njëjtin program me PD-në kur bashkëvotoi ndryshimet kushtetuese, Kodin Elektoral, Kodin Penal dhe Ligjin për Prokurorinë. PS e Ramës nuk përbën alternativë socialiste përballë qeverisjes Berisha. Dhe nëse ne do ta braktisnim të majtën në duart e djathta të Edi Ramës, do të bënim një tradhti të pafalshme ndaj socialistëve. Marrëveshjet e pazaret mes PD-së së vjetër të Berishës dhe PD-së së re të Ramës, urojmë të mbeten histori e kufizuar politike e vitit 2008", tha Koçi. Drejtuesi i PS '91 shprehet "optimist se socialistët e vërtetë do ta mundin me vota pazarin Rama-Berisha në kurriz të tyre dhe do fitojnë zgjedhjet!".