Klubi i Tiranës: Falje publike për incidentin e Kolës me gazetarin
Ka reaguar më në fund klubi i Tiranës, i cili nëpërmjet drejtorit teknik, Alban Tafaj, në linjë të drejtpërdrejtë me televizionin “Ora News”, i ka kërkuar falje publike gazetarit Adriatik Balla, duke thënë se gjithçka ndodhi qe një efekt i gjaknxehtësisë së trajnerit Kola në seancën stërvitore të pasdites së të shtunës. Tafaj ka theksuar ndër të tjera se ndaj gazetarit ka pasur një incident që nuk duhej të ndodhte kurrsesi dhe se vetë klubi ishte i indinjuar për atë që ndodhi midis trajnerit Agustin Kola dhe gazetarit të “Panorama Sport”. Por në një farë mase edhe në emër të vetë trajnerit, Tafaj kërkoi në emër të klubit bardheblu falje publike, duke nënvizuar se të gjithë duhet të kontribuojnë për një marrëdhënie me median sa më të mirë, transparente dhe në të mirë të sportit në tërësi. Në këtë mënyrë klubi i Tiranës thyen heshtjen e tij treditore, duke kërkuar ndjesë për gjithçka ndodhi dhe duke garantuar edhe një herë se klubi do të vazhdojë të ketë raporte të mira me median sportive edhe në vazhdim. “Jemi të shokuar për atë që ndodhi në kompleksin stërvitor të ‘Skënder Halilit’, ku trajneri ynë pati një përplasje me gazetarin Balla. Sigurisht që incidenti na ka indinjuar, prandaj në emër të klubit i kërkojmë ndjesë publike gazetarit. Kam diskutuar për dy ditë me radhë me trajnerin në lidhje me këtë problem dhe mund të them se ka qenë gjithçka një veprim gjaknxehtësie e teknikut tonë, që kurrsesi nuk duhej të sillej në këtë mënyrë me gazetarin. Ai është penduar për veprimin e tij. Pasi jemi konsultuar gjatë me trajnerin, shohim të arsyeshme t’i kërkojmë ndjesë publike Ballës dhe komunitetit të gazetarëve sportivë në tërësi dhe shpresojmë në të njëjtën kohë që ky incident të harrohet shumë shpejt dhe që klubi ynë të vazhdojë të ketë edhe në të ardhmen raporte të mira me median në përgjithësi dhe atë sportive në veçanti. Mua më vjen keq për gjithçka ndodhi, por siç thashë, në emër të klubit të Tiranës, kërkojmë ndjesë publike për këtë ngjarje jo të mirë”, tha Tafaj për “Ora News”. Megjithatë, vetë tekniku ende nuk ka shfaqur personalisht një qëndrim në lidhje me këtë ngjarje, madje burime nga policia e Tiranës theksojnë se ai ka mohuar të ketë goditur gazetarin, duke deponuar në polici versionin e tij për ngjarjen i shoqëruar edhe nga dy dëshmitarë.