Pezullohet aplikimi për kartat e identitetit
Pezullohet procesi i aplikimit për kartat e identitetit. Kjo, ndonëse kur kanë kaluar vetëm dy ditë që nga nisja e tij. Shkak është bërë mungesa e kuponëve të pagesës nëpër posta. Pas radhëve të gjata dy ditë më parë, qytetarët kanë pritur sërish për më shumë se dy orë për të kryer pagesën e pasaportës së re. Por vetëm rreth orës 10:30, ata janë njoftuar se ky proces është pezulluar. Nga sa kanë përcjellë nëpunëset e postës, kuponët do të rifillojnë të shpërndahen ditën e enjte. Qytetarët nxitojnë tëë bëjnë aplikimet për shkak të masave shtrënguese të vendosura nga qeveria. Ajo ka përcaktuar se në rast se nuk do të pajisen me karta identiteti brenda afatit të caktuar, atëherë do t'u mbahen pagat atyre që punojnë në administratë dhe pensionet pensionistëve. Por përballë kësaj gatishmërie ata, veç pritjeve të gjata, nuk kanë arritur të përfundojnë procedurën e aplikimit deri në zyrat e gjendjes civile. Dy ditë më parë, 4000 kuponët e shpërndarë nëpër pikat e postës në Tiranë mbaruan brenda një ore e gjysmë. Ndërsa dje firma që ka fituar tenderin për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit nuk ka furnizuar dot asnjë prej zyrave postare me kuponët e pagesës së aplikimit. Sipas zëvendësministrit të brendshëm, Ferdinand Poni, kompania Sagem është përgjegjësja për situatën e krijuar. Por burime zyrtare nga kjo e fundit sqaruan se ata kanë hedhur në treg 10 000 kuponë, 6 mijë prej të cilave u janë shpërndarë institucioneve dhe pjesa tjetër postave. Ata thanë se situata do të përmirësohet duke filluar nga dita e mërkurë. Pas kryerjes së pagesës, hallka e dytë e aplikimit është ajo në zyrat e minibashkive. Aty qytetarët do të japin shenjën e gishtërinjve, firmën, dhe do të plotësojnë një formular. Paskësaj, ata do të kenë mundësi të tërheqin personalisht letërnjoftimin e ri pas 15 ditësh.