Herta e Berlinit sërish në “sulm” për Currin
Debatik Curri, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare po thyen rekordet e Bogdanit, Canës apo lojtarëve të tjerë të Kombëtares, në lidhje me zërat që qarkullojnë në merkato. Sipas menaxherit të lojtarit, Nexhmedin Haxhiu, Herta e Berlinit duket se është klubi i ardhshëm e Debatik Currit. Lajmin për Albania-sport.com e dha vetë menaxheri i mbrojtësit të Vorskla Poltavës. “Po, është e vërtetë. Menaxheri i Hertës, Rudi Vojtoviç me ka kontaktuar, përmes një menaxheri kroat, Ivanisheviç, se Herta kërkon shërbimet e Debatikut”, ka pohuar Haxhiu. Ndërkohë që për mbrojtësin interesohen edhe disa klube të tjera gjermane, madje një ditë më parë u përfol për një interesim te FC Moskës. Futbollisti, gjithsesi e ka të vështirë të largohet nga skuadra ukrainase, për shkak se presidenti i këtij klubi, ka dëshirë që ai të qëndrojë deri në fund të kontratës.