Pasaportat e vjetra deri në 2011
ADI SHKEMBI
Pasaportat aktuale do të jenë të vlefshme deri në vitin 2011, kohë në të cilën të gjithë qytetarët duhet të pajisen me ato biometrike. Këtë e bëri të ditur dje Drejtori i Përgjithshëm i gjendjes civile, Armand Teliti. Sipas tij, brenda këtij muaji do të nisë aplikimi edhe për pajisjen me pasaportat e reja.
Pasaportat
Teliti theksoi dje në një prononcim për mediat se pasaportat aktuale me të cilat lëvizin qytetarët shqiptarë do të kenë afat për t'u përdorur edhe dy vjet. Ndërkohë pas vitit 2011, ato nuk do të jenë më në qarkullim. Pajisja e qytetarëve me dokumente, të cilat garantojnë sigurinë, ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian në kuadër të masave të marra për liberalizimin e vizave. Sipas Telitit, "pasaportat e vjetra vazhdojnë të mbeten në fuqi edhe për dy vjet. Qeveria shqiptare në kontratën koncensionare ka marrë një vendim dhe është një kërkesë e partnerëve tanë evropianë që konsiderohet një hap shumë i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave që qytetarët shqiptarë duhet të pajisjen me pasaporta biometrike. Ky proces do të zgjasë dy vjet dhe pas dy vjetësh nuk do kemi më në qarkullim pasaportat e vjetra. Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani bëri të ditur të hënën në mbrëmje në emisionin "Opinion", se në kuadër të pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit, ata qytetarë që nuk kanë pasaportë do të kenë përparësi, me qëllim garantimin e marrjes së të paktën një prej dy dokumenteve që do të përdoren në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, që do të zhvillohen në qershor të këtij viti.
Procedura
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile sqaroi dje edhe procedurën të cilën do të ndjekin qytetarët për pajisjen me pasaportat biometrike. Sipas tij, kjo procedurë është më e lehtë dhe me më pak hapa, pasi qytetarëve do t'u vij në ndihmë karta e identitetit. Ai bëri të ditur se qytetarëve do t'u duhet të pajisen me kuponin nëpërmjet zyrës së postës. "Do të blejnë një kupon të pasaportës dhe me atë kupon do të paraqiten në zyrën e aplikimit. Aty me numrin e identitetit me anë të kartës së identitet, do të kërkojë aplikimin e tij, ku janë shenjat e gishtave dhe të gjitha elementët e tjerë, dhe në këtë kuadër atij i bëhet menjëherë pasaporta. Në këtë kuadër qytetari shqiptar nuk ka nevojë që të aplikojë për së dyti, pra nuk ka nevojë më të vërë shenjat e gishtave, nuk ka nevojë më të bëjë fotografi dhe nuk ka nevojë më të rri në radhë", theksoi më tej Teliti. I pyetur lidhur me çmimin e pasaportës biometrike, me të cilën do të pajisen qytetarët, ai tha se dokumenti i ri do të kushtojë 6 mijë lekë të reja, së bashku me TVSH-në, ndërkohë që çmimi i saj për këtë taksë është 5 mijë lekë.
Kartat
Në ditën e dytë të pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit, në zyrat e postave në kryeqytet është vënë re mbarimi i kuponëve. Dhjetëra qytetarë janë paraqitur në postë për të blerë kuponin, i cili i hap rrugën aplikimit, por janë njoftuar nga punonjësit se ditën e enjte do të vijë furnizimi nga firma koncensionare. Lidhur me këtë situatë, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes civile, Teliti theksoi se "kjo situatë nuk ka ardhur për mungesë organizimi, por pritshmëria e këtij procesi nuk ishte e tillë, nuk e kishim menduar se do kishte një pjesëmarrje kaq masive nga qytetarët shqiptarë dhe firma për të mos krijuar një mbytje që ditën e parë të përplasjes së qytetarëve me sportele, ka bërë një ndarje e cila vjen duke arritur në nivelin maksimal në një kohë shumë të shkurtër".