E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: “Takimi i hapur Rama-Berisha nuk është tradhti”

Autori i Lajmit: Redaksia

Petro Koçi fton politikën shqiptare të dialogojë dhe të jetë transparente. Madje, sipas tij, do të ishte pozitiv dhe një takim Rama-Berisha. Koçi ka pohuar se viti 2010 është një vit sfidash për vendin dhe kërkon që politika shqiptare të heqë dorë nga huqet e vjetra dhe primitivizmi. “Një politikë e njerëzve të civilizuar dallohet nga fuqia për dialog mes të vetëshpallurve armiq të njëri-tjetrit. Dialogu nuk do të thotë tradhti, bile as patjetër marrëveshje, por dëshmi e një kulture evropiane në procesin politik. Do të uroja që Viti i Ri ta bëjë të mundur komunikimin civil mes politikanëve kundërshtarë, përfshirë dhe atë mes Ramës e Berishës”, - ka pohuar dje ai. Sipas tij, dialogu politik nuk duhet të jetë në fshehtësi si në vitin 2008, kur u monopolizua diskutimi për Kushtetutën dhe Kodin Elektoral. “Dialogu dhe komunikimi transparent mund të çojnë në marrëveshje të mbara e jo të prapa si ato të 2008. Prandaj nuk e konsideroj tradhti një takim të hapur Rama-Berisha. Qytetarët nuk kanë nevojë për politikë përtej së majtës apo së djathtës, sepse kjo është bërë realitet nga të gjitha palët, por për politikë përtej interesit personal të liderëve politikë. Kultura e re e politikëbërjes kërkon kurajo qytetare, sepse kapërcen murin e vjetër të Berlinit, mur ende i parrëzuar në terrenin tonë politik”, - ka pohuar ai.
Ky lajm është publikuar: 29/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›