E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli me gazetarët: “2009, vit suksesi”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, organizoi dje pritjen tradicionale për gazetaret, analistët dhe drejtuesit e medias. Fjala e shkurtër e zonjës Topalli ishte një mirënjohje, falënderim dhe vlerësim për punën e gjithë medias shqiptare, veçanërisht për gazetarët që përcjellin lajmet nga Kuvendi i Shqipërisë. Duke falënderuar të gjithë për punën dhe përkushtimin e tyre në këtë mision sa vështirë aq edhe të rëndësishëm, Kryetarja e Kuvendit tha se është e vërtetë se politika ushqen mediat çdo ditë me lajme, po aq sa është e vërtetë që edhe politika ushqehet me lajmet e medias çdo ditë. “Në fakt politika dhe media janë si dy pjata tektonike. Jo gjithmonë raportet i kanë shumë të ngrohta, por nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Unë e di se sa orë të zgjatura, sa punë të madhe, se me çfarë shpejtësie ju përcillni lajmin. Në një farë mënyre unë jam e apasionuar pas medias. Kur kam pak kohë të lirë, kaloj me radhë të gjitha stacionet për të ndjekur çdo lajm, çdo koment, çdo gjë të re që përcillet”, - tha ajo. Topalli ka vlerësuar më tej vitin 2009 si një vit të suksesshëm. “Ne po mbyllim një vit të mbarë. Në jetën time politike nuk di një vit më të mbarë në termat politikë, të integrimit ekonomik për vendin tonë sesa ky vit. Kam parasysh anëtarësimin në NATO, mbylljen e ratifikimit të MSA-së, dorëzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, përgjigjen pozitive të 27 vendeve te BE-së në miratim të kërkesës sonë, rezolutën e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave. Në një kohë kaq të shkurtër, ngjarje kaq të mëdha në procesin integrues Shqipëria nuk ka pasur, ndaj dhe e konsiderojmë një vit të suksesshëm dhe të mbarë. Për këtë dua tju falënderoj edhe ju dhe jam e sigurt se viti tjetër do të jetë një vit edhe më i veçantë”, - tha ajo.

Ky lajm është publikuar: 29/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›