E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koço Danaj: “Si do të realizohet Shqipëria Natyrale”

Autori i Lajmit: Romir Saraci
Shqipëria natyrale duhet të realizohet përpara se të hyjmë në BE. Nëse nuk ka integrim ndërshqiptar, atëherë nuk do të ketë edhe integrim evropian. Dr. Koço Danaj në platformën e tij “Shqipëria Natyrale” ka shpjeguar me detaje se si do të realizohet Shqipëria Natyrale dhe cila do të jetë e ardhmja e kombit shqiptar. Këtë platformë dhe situatën aktuale politike për realizimin e kësaj platformë, z. Danaj e ka shpjeguar edhe gjatë një interviste të dhënë për gazetën “Ballkan”. Danaj ka pohuar se asnjë prej shteteve fqinje, por edhe vendet e Bashkimit Evropian, nuk do të pranojnë tre ministra shqiptarë në BE, ndaj dhe kjo do të realizohet përpara integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Por sipas zotit Danaj, partitë politike në vendin tonë nuk janë të gatshme për këtë platformë.

Ku bazohet platforma e Shqipërisë Natyrale?
Po të përgjigjesha shkurt, do të thosha se Platforma e Shqipërisë Natyrale bazohet në të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Por po bëj një parashtrim më të plotë për të gjitha shtresat e lexuesve të gazetës suaj.
Ka një arsye që është e para dhe e fundit njëkohësisht: Përgjatë afër një shekulli, shqiptarët festojnë si Ditë të Pavarësisë së tyre, 28 Nëntorin e vitit 1912. Ndërkaq, kufijtë administrativë u përcaktuan më vonë në Konferencën e Londrës, në korrik 1913, e cila me vendimet e saj, e la përgjysmë misionin themelor të shqiptarëve. Brenda ndërgjegjes apo nënndërgjegjes, si një mjet ngushëllimi apo si një mjet mosharrimi, si një manovër e mençur politike apo thjesht si një instikt nacional, nuk ka rëndësi se kush është në krye. Ajo që ka rëndësi, është se brezit të sotëm të elitës intelektuale dhe politike shqiptare i ofrohet jo vetëm mospajtimi me ata që nuk lejuan mbarimin e kryengritjes shqiptare, por edhe bazamenti politik dhe historik për ta përfunduar atë. Pavarësisht se bashkësia ndërkombëtare nuk e njohu 28 nëntorin 1912 dhe kufijtë e Shqipërisë i caktoi më 29 korrik 1913, shqiptarët kanë festuar dhe vazhdojnë të festojnë vetëm 1912. Eshtë një mospranim në heshtje, por gjithsesi është i tillë.
Konferenca e Bujanit e fundvitit 1943 dhe fillimvitit 1944, artikuloi të drejtën e shqiptarëve për bashkim kombëtar, pra të drejtën e tyre për ta përfunduar Kryengritjen. Kjo Konferencë dhe Platforma e saj Nacionale, nuk u hodh poshtë nga shqiptarët, ajo u hodh poshtë nga ata që nuk donin të përfundonte Kryengritja e tyre. Ky dokument madhor i rrugës se si përfundon Kryengritja, përsëri është në duart e elitës politike dhe intelektuale të kombit shqiptar si një ndihmesë e rëndësishme drejt përfundimit të Kryengritjes.
Projekti Politik “Adem Jashari”, i cili përmbante nëpërmjet betimit ushtarak, idenë e përfundimit të Kryengritjes shqiptare, është i freskët, i njohur për të gjithë, qytetarë dhe politikanë. Shprehja “Bacë, u kry”, më shumë se sa realitet, është një mbulesë e dobët e pafuqisë për të përfunduar Kryengritjen. Thelbi i Projektit Politik “Adem Jashari” është bashkimi i trojeve shqiptare.
Pavarësisht ngjyrimeve politike apo nivelit intelektual, pavarësisht dukurive frenuese, elita politike dhe intelektuale shqiptare e ka pasur brerjen më të madhe të ndërgjegjes, mospërfundimin e Kryengritjes shqiptare. Ajo që në fjalorin sociologjik konsiderohet Ndërgjegjja e Vrarë, në momente të caktuara të jetës së një kombi, mund të lindë edhe gurë rubini. Kështu ka ndodhur edhe me elitën politike dhe intelektuale shqiptare të periudhës së pas viteve 90 të shekullit të shkuar. Në kulmin e garës për internacionalizëm, globalizëm apo integrim, ajo formulon Kushtetutën e re të Shqipërisë Pluraliste. Dhe në këtë Kushtetutë, të miratuar me Referendum në vitin 1998, formulohet fraza rilindase si më poshtë: “Ne, Populli i Shqipërisë...me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar... Eshtë produkti 100-vjeçar i Ndërgjegjes së Vrarë. Eshtë një rikthim në Kuvendin e Vlorës, të Lezhës, të Bujanit, të Prizrenit, është një talisman vizionar që pret vetëm misionarë për tu realizuar. Sanksionimi në Kushtetutën e Shqipërisë i së drejtës për bashkim kombëtar, miratimi i kësaj të drejte me Referendum Popullor, pranimi i saj edhe nga ekspertët ndërkombëtarë të Komisionit të Venecies, përbën themelin mbi të cilin mund dhe ka nevojë të ndërtohet arkitektura e Shqipërisë Natyrale. Kuvendi Lezhës më 1444, Kuvendi i Prizrenit më 1878, Kuvendi i Vlorës më 1912 dhe Kuvendi i Bujanit më 1943-44, të cilët artikuluan ose bashkimin e trojeve shqiptare ose kërkesën për bashkim si dhe ideatorët e tyre, mbetën katër kulmet e historisë së kombit shqiptar. Ideatorët e tyre, më europeistët ndër politikanët shqiptarë të të gjitha kohërave janë Skënder Bej Kastrioti, Abdyl Bej Frashëri, Sulejman Agë Vokshi, Ismail Bej Vlora, Hajdar Beg Dushi. Pesë bejlerë europeistë!! Këto Kuvende kanë mbetur vetëm pjesë e historisë. Prandaj ato janë edhe bazamenti i Platformës se Shqipërisë Natyrale.

Pse të mos presin shqiptarët bashkimin në BE?
Pyetje e saktë. Por kombet nuk bëhen më të pritur. Të paktën përgjatë një shekulli, shqiptarët e kanë pësuar nga manipulimi politik që prisni të bashkoheni këtu apo atje, që nga internacionalizmi proletar deri tek kozmopolitizmi dhe integrimi evropian. Prandaj kombbërja e tyre është mision i pambaruar. Pse jua them këtë dhe cilat janë argumentet në favor të tezës që mbroj unë?
Nuk do të ketë integrim evropian pa integrim ndërshqiptar. Po pse nuk do të këtë? Po ju jap një detaj, imagjinoni dy shtete e gjysmë shqiptare në BE. Do të kenë tre ministra, pra tre ministra shqiptarë sipas parimit aktual. Vërtet mendoni ju se Greqia, Serbia apo kushdo tjetër të pranojë tre ministra shqiptarë? Prandaj thjesht dhe vetëm për këtë, ata do të jenë dakord më shpejt me bashkimin e shqiptarëve sesa me tre ministra shqiptarë në BE.
Po kaloj edhe në një detaj tjetër. Integrimi evropian duket se do të vonojë shumë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Prandaj u gjet valvula e shkarkimit që është liberalizimi i vizave. Dhe me përfundimin e këtij liberalizimi, BE nuk do të zgjerohet të paktën për një dekadë. Problemet e Bullgarisë, Rumanisë, Greqisë tani se fundi e kanë vënë BE para alternativës së riorganizimit të saj tërësor, sepse aktualisht thelbi i funksionimit të saj është absurdi. Imagjinoni. Qipro që është një e mijta e Gjermanisë, ka një ministër. Gjermania që është kontributori kryesor i BE ka një ministër. A ka paradoks më të madh se ky? Jo, prandaj le të bëjmë propagandën e BE-së dhe le të realizojmë Shqipërinë Natyrale. BE e nesërme do të na e dijë për nder një gjë të tillë. Do të jemi më të denjë për të.
Ku ndryshon Shqipëria Natyrale me kufijtë që vendosi Italia fashiste në vitet 40?

Ndryshon shumë, e para është natyrale, e dyta është marrëveshje politike. Po bëhem më i qartë dhe më konkret: Ajo që konsiderohet Shqipëri e Madhe, dhe që daton më vitet 1941-1945, u krijua nga Marrëveshja Çiano-Ribentrop. Në prill të vitit 1941, divizionet e motorizuara gjermane pushtuan Jugosllavinë, duke përfshirë edhe Kosovën që ishte pjesë e saj. Më pas në Vjenë arrihet Marrëveshja midis ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Italisë për ndarjen e territoreve të Ballkanit. Kjo Marrëveshje mori emrin Marrëveshja Ribentrop-Çiano. Sipas kësaj Marrëveshjeje, trupat gjermane u larguan nga pjesa më e madhe e territorit të Kosovës duke mbajtur Vushtrinë, Podujevën dhe Mitrovicën, Leposaviqin, Zubin-Potokun, Zveçanin, të cilat iu dhanë Serbisë. Serbia qeverisej nga një qeveri e kryesuar nga ish-shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Jugosllave, Milan Nediç. Kufiri, sipas Marrëveshjes, u vendos në Mitrovicë, ku qeveria e Nediçit dislokoi një batalion të Rojes Shtetërore. Një pjesë tjetër e Kosovës iu dha Bullgarisë së Car Borisit që ishte aleate e gjermanëve. Përveç Maqedonisë Lindore, Bullgaria mori si territor të saj Luginën e Preshevës, Shtërpcen, Kaçanikun, Kumanovën dhe Vitinë. Ndërsa pjesa tjetër e Kosovës dhe e Maqedonisë u bashkua me Shqipërinë. Italia në këto territore krijoi katër prefektura. Prefektura e Prishtinës, e Pejës, e Prizrenit dhe e Dibrës së Madhe. Kjo u emërtua Shqipëri e Madhe. Por nuk ishte Shqipëri Natyrale.

Nëse bëhet Shqipëria Natyrale, çdo të ndodhë me Maqedoninë?
Është një pyetje me dy nënpyetje. E para, mua fillimisht me intereson fati i shqiptarëve të Shqipërisë Lindore që përkohësisht jetojnë në një shtet tjetër që quhet përkohësisht Maqedoni. E duke qenë kështu, unë i përmbahem dhe mbroj tezën se shqiptarët, në radhë të parë, duhet të mendojnë për bashkimin me Shqipërinë dhe në fund fare le të gjejnë pak kohë për të menduar për fatin e Maqedonisë, meqë e kemi fqinj. Kjo është tezë realiste, moderne dhe demokratike, pasi ai që nuk është për vete nuk është as për të tjerët. Shqiptarët nuk janë as bekçinjtë e Maqedonisë dhe as zjarrfikësit e Ballkanit. Ata janë faktori kryesor i paqebërësve të rajonit dhe janë thirrur ta luajnë këtë rol. Deri më tani nuk e luajnë për shkak të disa politikanëve të tyre pa vizion, pa gjak, pa kombësi, të cilët arrijnë deri atje sa ta konsiderojnë Maqedoninë Atdheun e tyre në emër të një internacionalizmi të shpifur.
Pastaj duke ardhur tek nënpyetja e dytë, them se Maqedonia e Vardarit do të jetojë si shtet. Po jeton si shtet Mal i Zi me 640 mijë banorë, dhe jo të mos jetojë Maqedonia me mbi 1 milion banorë. Por gjithsesi, po rikthehem tek fillimi. Me intereson bashkimi i Shqipërisë Lindore me trungun e saj historik. Ashtu siç i intereson Gruevskit, kombi i tij, prandaj po realizon Projektin Shkupi 2014, pra po bëhet gati për ndarje, sepse e di që ajo do të ndodhë. Uroj që edhe politika shqiptare ta kuptojë këtë dukuri.

A e përfshin Shqipëria Natyrale Çamërinë?
Në Platformë është thënë se një nga fazat është shpallja e krahinës shqiptare të Çamërisë si Zonë e Lirë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo do ti shërbente rregullimit të gabimeve të së kaluarës, do tu rikthente shqiptarëve dinjitetin e nëpërkëmbur nga ultranacionalizmi grek dhe do ti hapte rrugë referendumit.

Në pamje të parë ideja juaj duket romantike, ku e shihni mundësinë e realizimit të saj?
E gjithë jeta e njeriut është romantizëm, pasi thelbi i romantizmit është ndjenja, shpirti, ëndrra për të nesërmen. Kësisoj, edhe realizimi i sendërtimit të Shqipërisë Natyrale nuk ka se si të mos ketë romantizëm brenda. Edhe vetë globalizmi për të cilin flitet kaq shumë është romantizëm fillimisht, një botë globale, që sot është vetëm e ndërvarur, por nesër do të jetë plotësisht edhe e integruar. Edhe interneti ka romantizmin brenda. Ju uleni para kompjuterit dhe brenda dy orësh, e gjithë bota, që është kaq stërmadhe, kur udhëton me avion, të vjen në dhomën apo zyrën tënde. Edhe fejsbuku është shpikja më romantike e botës së sotme. Imagjinoni një individ që deri dje duhet të bënte me mijëra kilometra udhëtime për të takuar dhe njohur qindra njerëz, tani i ka mundësitë në shtëpinë apo zyrën e tij të njihet, bisedojë, debatojë komunikojë deri me 5000 veta nga gjithë rruzulli. Dhe brenda këtij romantizmi global, nuk përjashtohet as Shqipëria Natyrale. Bile do të thosha se romantizmi është tipari themelor i botës së sotme. Sa më shumë kohë të lirë të ketë njeriu, sa më shumë kulturë të fitojë ai, sa më shumë të debatojë, aq më romantik është. Pra ky zhvillim kaq i madh i botës është bërë me romantizëm. Të konsiderosh romantizmin të tejkaluar, do të thotë të ndalesh zhvillimin e botës. Në fillim është ideja, pastaj realizimi i saj. Në fillimi është përfytyrimi i së ardhmes, pastaj projektimi i saj.
Prandaj Shqipëria Natyrale, e projektuar nga të parët tanë, e ëndërruar nga ata, ka ardhur koha të realizohet nga ne. Shqipëria Natyrale nuk është më një dëshirë apo perspektivë. Ajo është një problem që është shtruar për zgjidhje. Të mos kuptosh këtë do të thotë papjekuri politike, ta kuptosh dhe të shmangesh nga rruga e zgjidhjes, kjo është kundërshqiptarizëm.
E dyta, Shqipëria natyrale, si problem i shtruar për zgjidhje, ka të bëjë me rikonfigurimin dhe riformatimin e rajonit ku jetojmë. Në sajë të mbështetjes ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA, sot shqiptarët nuk janë më tragjikët e Evropës. Por u takon atyre të shndërrohen nga zjarrfikës në paqebërës të rajonit. Më lejoni të kujtoj një pjesë nga fjalimi i ish-presidentit amerikan, Bush, në Tiranë para disa vitesh. Midis të tjerash, ai tha se SHBA mbështet kombin shqiptar duke përjashtuar çdo ekuivok mbi shpërbërjen e këtij kombi. Prandaj ai nuk e pranoi tezën e paternalizmit, por i kërkoi politikës së Tiranës që të ushtrojë presion mbi Prishtinën lidhur me zhvillimet e mëtejshme politike. Pra, Xhorxh Bush nuk e konsideroi Tiranën as aktive, as aktore, por thjesht ashtu siç është : Regjisore dhe Piemont i shqiptarëve. Thelbi i mesazhit të presidentit Bush ishte: SHBA është pro Pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe kundër Pavarësisë së saj nga Shqipëria. Tashmë kemi dy shtete e gjysmë shqiptare në rajon dhe disa pakica nacionale. Tashmë duhet që të kalojmë nga faza e vilajeteve moderne, në krijimin e shtetit modern shqiptar, me emrin Shqipëri Natyrale. BE nuk pranon vilajete, sado kostum modern të kenë veshur ato, ajo do shtete moderne dhe qytetarë me ndërgjegje kombëtare, por jo me ndërgjegje tribuje.

Duke bërë “Rrugën e Kombit”, a po ndihmon Berisha për Shqipërinë Natyrale?
Natyrisht që po. Para disa vitesh, në një analizë e kam cilësuar këtë rrugë si Rruga e Shqipërisë Natyrale. Në mënyrë figurative kjo rrugë zvogëlon Shqipërinë e Madhe dhe krijon Shqipërinë Natyrale. Tashmë shqiptarët lëvizin më shpejt tek njeri-tjetri, tashmë qarkullojnë idetë, mallrat, tregu ekonomik, hapet kufiri, krijohet ai që quhet komb shpirtëror që nesër do ti hapë rrugë edhe krijimit të Kombit politik. Rruga e kombit është presioni më i madh i kombit mbi politikën.

Kush e ka mbështetur dhe kush e ka kundërshtuar platformën tuaj?
Po, fillimisht më duhet të them se e kanë mbështetur shqiptarët. Më lejoni tju jap shifrat e një instituti ndërkombëtar, Gallup Ballkan Monitor. Sipas tij, në Kosovë më shumë se 74 për qind e shqiptarëve janë pro bashkimit. Në Shqipëri, më shumë se 70 për qind janë pro bashkimit. Pra kombi shqiptar është pro bashkimit. Kjo është mbështetja kryesore. Mbështetja kryesore e jashtme, është vetë SHBA. Ndërsa politikanët shqiptarë kanë filluar të lëvizin, me ngadalësi, por po fillojnë të flasin. Qoftë edhe kur kundërshtojnë, se gjoja nuk ka ardhur koha, etj., etj. Në promovimin që i bëra librit, nga 450 pjesëmarrës, mbi 60 ishin politikanë nga të gjitha trojet shqiptare që nga Presheva deri në Paramithi. Në intervistën që dha për një tv, një nga këta u shpreh se 60 për qind e PDK së Kosovës është pro bashkimit. Pra tashmë jemi në fazën kur kërkohet kalimi në veprime konkrete, ku si veprim të parë dhe të shpejtë konsideroj Konfederatën Shqipëri-Kosovë.

A janë të përgatitura partitë politike shqiptare për Shqipërinë Natyrale?
E, ky është problemi më kryesor. Janë të papërgatitura. Ka një dukuri shumë interesante. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Serbi, Bosnje, Mal i Zi, Maqedoni ekziston kjo tablo: Shumica e partive politike me mbështetje më të madhe janë ose ultranacionaliste, ose nacionaliste, ose nacionaliste të moderuara dhe vetëm një pakicë janë parti integriste. E kundërta ndodh në Shqipëri, Kosovë dhe Shqipëri Lindore, shumica e partive politikë shqiptare janë internacionaliste dhe vetëm një pakicë, që nuk kanë mbështetje të madhe, janë nacionaliste. Po ju sjell disa shembuj: Në Bosnje, Partia që drejton kryeministri aktual i Republikës Serpska, Milorad Dodik, e ka emrin Partia e Socialdemokratëve të pavarur. Por është në thelb, parti etnike dhe nacionaliste. Ajo ka marrë iniciativën e zhvillimit të referendumit. E tillë është edhe partia që udhëheq Haris Silaxhiç, i cili drejton boshnjakët. Ajo e ka emrin Partia Socialdemokrate. Në thelb, është një parti nacionaliste. Silaxhiç ishte i pari që në një fjalim që mbajti në selinë e OKB-së kërkoi më shumë kompetenca për qeverinë qendrore dhe më shumë kufizime për qeveritë e dy etnive.
Shembulli i dytë: Edhe në Mal të Zi kemi të njëjtin fenomen si në Bosnje. Partia më nacionaliste në Mal të Zi është Partia Socialdemokrate, e drejtuar nga Ranko Krivokapiç. Megjithëse është e tillë, ajo është edhe anëtare e Internacionales Socialiste. Ndërsa lidhur me karakterin etnik, mjafton shembulli mëposhtëm: Partia e Demokratëve Socialistë, e drejtuar nga Gjukanoviçi, është etnikisht parti malazeze. Ndërsa Partia Popullore Socialiste është etnikisht serbe.
Ndërsa për të dhënë një tablo më të plotë për lexuesin tuaj, po ju sjell përbërjen aktuale të Parlamentit serb dhe bindjet e tyre politike. Blloku për Serbinë Evropiane, i drejtuar nga Tadiç, pra një grup partish, kanë 78 deputetë, janë nacionalistë të moderuar. Partia Radikale Serbe ka 71 deputetë, janë ultranacionalistë. Partia e Koshtunicës me 21 deputetë, janë nacionalistë. Partia Socialiste e Milosheviçit, nacionaliste, me 21 deputetë. Partia Serbia e Re e Velimir Iliçit, me 11 deputetë, nacionaliste etj., etj. E vetmja parti realisht demokratike është ajo e Cedo Jovanoviçit me 12 deputetë. Pra grupi ultranacionalist dhe nacionalist dhe nacionalist të moderuar në Kuvendin e Serbisë është 235 deputetë nga 250. Shifrat që ju dhashë unë, BE dhe ekspertët e saj i dinë shumë më mirë. Por kjo frymë nacionalizmi dhe ultranacionalizmi nuk i pengoi ata që Serbisë tia liberalizonin vizat para Shqipërisë apo që Serbinë ta trajtojnë si vend kyç të Ballkanit. A ka ndonjë mësim që duhet nxjerrë nga sa thashë? Ka, dhe mësimi është se BE në kundërshtim me predikimet e disa analistëve apo politikanëve në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj., niset nga realiteti dhe jo nga leksionet apo librat që marrin për bazë Parisin e viteve 2010, Nju-Jorkun e vitit 2010 dhe jo atë të para dy shekujve.
Prandaj i vetmi konkluzion është: Të krijojmë parti politike shqiptare dhe jo seksione politike të Komisionit Evropian apo sekte feudale.
Ky lajm është publikuar: 01/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›