Provokacionet ushtarake, Shqipëria kishte arsye të përgatitej për luftë
Autori i Lajmit: Denisa Kona
Zbulimi Ushtarak Shqiptar në vitet e regjimit totalitar funksiononte si ingranazhet e orës. Gjithçka e përpiktë në kohën dhe vendin e duhur. Izolimi kishte ngallur ndjenjën e fortë të mosbesimit ndaj të huajve, por ky mosbesim nuk kishte qenë një indoktrinim apo mashtrim propagandistik, sikundër u paraqit më vonë, pas ndryshimeve politike të cilat sollën me vete një reformë destabilizuese në ushtri. Zbulimi si arma inteligjente e Ushtrisë dinte gjithçka që ndodhte në kancelaritë ushtarake të vendeve rreth nesh dhe të shtabeve të Blloqeve të Mëdha Ushtarake. Pushtimi i Shqipërisë “promovohej” në stërvitjet e disa prej vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, por edhe të NATO-s, të cilat prisnin momentin e volitshëm, moment që mund të paraqitej pas 100 apo 500 vjetësh, por edhe nesër. Nisur nga parimi “Sa më shumë djersë në paqe, aq më pak gjak në luftë”, Zbulimi Ushtarak Shqiptar kishte informacion të detajuar për forcat dhe planet e ushtrive të tjera. Mentaliteti se i vogli nuk e mbron dot veten, u rrëzua prej faktit, se duke njohur këtë fuqi serioze ushtarake të Shqipërisë, me gjithë synimet historike të pandryshuara, asnjë ushtri e huaj nuk shkoi më larg se provokacionet. Për këto provokacione flet në intervistën e dhënë për gazetën, ish-drejtori i Zbulimit Ushtarak të Forcave të Armatosura, Eqerem Osmani.
-Z. Eqerem, për ta nisur këtë bisedë, si ish-drejtori i Zbulimit Ushtarak pranë Ministrisë së Mbrojtjes, na tregoni se në çfarë kushtesh ju e morët detyrën? Cila ishte klima politike, ushtarake, marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë? Çfarë situatash ishin prezent?
Unë këtë detyrë e kam marrë më 12 dhjetor 1974 në një situatë shumë kritike, kur për Mbrojtjen kishin lindur disa çështje vërtet shqetësuese: Ishte shkarkuar nga detyra Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, bashkë me zëvendësit e tij, që nga Petrit Dume, Hito Çako dhe të tërë gjeneralët e tjerë. Në 12 dhjetor 1974 në sallën e kolegjiumit të Ministrisë së Mbrojtjes kishin ardhur gjithë drejtorët e drejtorive të Ministrisë së Mbrojtjes, gjithë komandat e korpuseve, ndërsa në sallën e kabinetit të Ministrisë së Mbrojtjes në orën 17 ishin mbledhur edhe disa kuadro kryesore të ushtrisë. Hyn në sallë ish-kryeministri Mehmet Shehu me një dosje blu, kuptohet, ne menjëherë në këmbë gatitu. Pasi bëri një hyrje të problemit, ai na tha se “situata politike është shumë e ndërlikuar, veprimtaria armiqësore ka dëmtuar shumë gjithë fushat e tjera- si në ideologji, ekonomi dhe veçanërisht në ushtri dhe partia ka marrë masa për ta pastruar situatën”.
-Sa real ishte ky ndëshkim? Kishte vërtet veprimtari armiqësore në ushtri?
Në kuptimin e drejtpërdrejtë, unë mendoj se nuk ka pasur veprimtari armiqësore. Përkundrazi, po ta vlerësoje, partia atëherë nuk veproi si duhej, se ushtarakët kanë qenë shumë besnikë të mbrojtjes së atdheut.
-Atëherë pse erdhi kjo furtunë? Çfarë shpjegimi kishte?
Kjo ndodhi sepse atëherë kishin dalë tezat e zeza, siç quheshin, por këto teza binin në kundërshtim me artin ushtarak. Kishte një mendim se ato mund të diskutoheshin
-Çfarë ishin këto tezat e zeza në ushtri?
Këto teza ishin për teorinë e rrëshkitjes, që në rast sulmi, të mos mbrohej vendi që nga vija e kufirit ose që nga buza e ujit, por të tërhiqej ushtria në thellësi në kodra dhe male dhe aty ta bënte rezistencën. Po ta shikosh, në kuptimin teorik, këto teza binin në kundërshtim me doktrinën ushtarake që ishte e miratuar. Për mua kishte vend për diskutim, për debat shkencor se cila është mënyra më e mirë e mbrojtjes, por jo për cilësime dhe ndëshkime si armiq.
-Ka pasur një mentalitet që shfaqej në kundërrymë para 90-s, se detyrimi ushtarak, zborret, alarmet ishin për një luftë fiktive, një luftë e shpikur nga propaganda. A ishim vërtet të rrezikuar nga armiqtë e jashtëm, a ishte rreziku për një luftë, real apo imagjinar? Dhe a mund të flasim për tentativa të vërteta agresioni?
Rreziku i luftës qe, të tregohemi realistë. Nga të trija shtetet që na rrethonin, asnjëri nuk kishte politikën dhe ideologjinë tonë; as Jugosllavia, as Greqia dhe as Italia. Në planin politik ndërkombëtar ne kishim një politikë tjetër. Bota ishte e ndarë në dy kampe: Por ne edhe me kampin e Lindjes ishim ndarë. Shqipëria ngeli si e vetmuar dhe në këto kushte mbahet parasysh historia: Shtetet rreth nesh kishin qenë gjithnjë me synime grabitqare, kanë dashur ta ndajnë që Shqipërinë e Veriut ta merrte Serbia, pjesën Perëndimore ta merrte Italia dhe pjesën Jugore ta merrte Greqia, që edhe sot i ruan këto synime.
-Që nga koha kur u krijua si strukturë zbulimi ushtarak, cili ka qenë momenti më i rëndësishëm i aktivitetit të tij, kur ka patur situata më serioze për tu mbajtur nën kontroll?
Që nga koha kur është krijuar ushtria, është krijuar edhe kjo si strukturë. Madje, zbulimi daton bashkë me kombet sepse nuk ka komb pa zbulim. Zbulimi është vetëruajtje. Gjatë luftës, Zbulimi ka patur një rol shumë të madh. Por edhe më vonë, Zbulimi u vlerësua si strukturë dhe për të u përgatitën kuadro edhe jashtë shtetit. Në atë kohë ne kishim marrëdhënie të mira me Bashkimin Sovjetik.
-Janë aplikuar metodat ruse në Zbulimin shqiptar?
Po, u aplikuan. Në Rusi u përgatitën kuadro me nivel të lartë që i dhanë Zbulimit karakter më shkencor, më të specializuar.
-Cilat janë disa nga situatat reale me të cilat jeni përballur ju, kur keni qenë drejtor i Zbulimit?
Kur unë mora detyrën, isha vetëm 33 vjeç. Të nesërmen, Mehmet Shehu më ka thirrur në zyrë dhe më ka thënë: “Unë dua që ju të më njoftoni, të di se kur duhet të fle me merak”. Filozofia e pyetjes së tij ishte që unë duhet ta kisha në dorë situatën politike dhe ushtarake dhe në rast agresioni, duhet të dija se çfarë përgatitej. U përpoqa ta centralizoja punën, qoftë edhe me sinjalin më të vogël.
-Nga vinin sinjalet për Zbulimin, të dhënat për planet e mundshme që organizoheshin në dëm të tokës shqiptare?
Planet e armiqve shfaqeshin në forma të ndryshme, në planin politik dhe ideologjik dhe kërkonin të realizonin rrëzimin e shtetit dhe regjimit që ishte vendosur, ta eliminonin nga brenda dhe nga jashtë.
-Ky Zbulim luante rolin e mbrojtjes së territorit shqiptar nga pushtuesit e huaj apo të mbrojtjes së sistemit socialist nga ata që donin ta përmbysnin?
Jepej informacion për shkallën strategjike, operative dhe taktike, por nuk mund ti ndaje. Këto dy qëllime kanë qenë të identifikuara në një të vetëm. Ishin të kombinuara edhe në kuptimin e ndërtimit të strukturës organike. Sepse vetë Zbulimi kryente detyrën sipas veprimeve që kryente kundërshtari. Ky zbulim kryhej nëpërmjet mjeteve të Radio-Zbulimit që kishim, ku mbaheshin në përgjm të gjitha objektet. Ka pasur pika të caktuara të territorit, sidomos në lartësi dominuese, pika të radiozbulimeve që përgjonin edhe bisedat që bënte gjenerali me gjeneralin në shtëpinë e vet në Itali, Greqi, Jugosllavi…
-Si ishte mundësuar ky lloj përgjimi?
Mjetete e Radio-Zbulimit jepnin mundësinë teknike që të përgjoheshin të tëra bisedat që bëhen në radio, në telefona, nga jashtë. Merreshin këto të dhëna dhe siguroheshin.
-Cilët ishin personat apo qarqet e dyshuara që mbaheshin më së shumti në përgjim, pasi duhet të ketë një dyshim të caktuar, nuk mund ti përgjosh të gjithë?
Fakti është që ne kishim objekte zbulimi. Përshermbull, me daljen nga Traktati i Varshavës, ne mbanim në përgjim Shtabin e Traktatit të Varshavës, vendet që merrnin pjesë në Traktat, më afër nesh.
-Keni kapur nëpërmjet këtyre përgjimeve, biseda domethënëse, informacion të rëndësishëm për planet që thurreshin ndaj Shqipërinë?
Nuk më lejohet ti trajtoj gjërat me imtësi, sepse ato kanë prapë karakter sekret. Në ushtri jo gjithçka është e hapur. Kjo hyn tek informacionet sekrete.
-Traktati i Varshavës i përket së shkuarës, dhe vjen një kohë kur e shkuara duhet zbardhur... Çfarë do të na thoni për informacionet që merrnit nga Radio-Zbulimi?
Informacione të natyrave të ndryshme ne kemi marrë vazhdimisht. Përshembull, edhe për çdo stërvitje të niveleve të larta që bënte NATO apo Traktati i Varshavës, për çdo stërvitje që bënte Greku, Jugosllavi, ne i kishim në vëzhgim dhe merrnim vesh edhe se çfarë forcash kishin, çfarë taktikash përdornin.
- Si servirej Shqipëria në tryezën e këtij blloku ushtarak, nga i cili kishte dalë? Ishte harruar në fatin e vet, apo ngjallte interes dhe lakmi?
Të dyja kampet e kanë pasur Shqipërinë si objekt interesash; edhe Blloku i Varshavës, edhe i NATO-s. Por edhe shtetet që bënin pjesë në to kanë pasur interesat e tyre. Edhe sot, pavarësisht se Greqia bën pjesë në kuadrin e NATO-s, ka synimet e saj ndaj Shqipërisë. Vorio-Epirin nuk e ka hequr nga mendja dhe punon për të. Por, me daljen nga Traktati i Varshavës, Shqipëria ishte e kërcënuar edhe nga ky krah.
-E kishin frikë këto shtete, komanda e Traktatit, kalimin e Shqipërisë në krahun tjetër?
Këtë e kishin merak, që Shqipëria nuk duhet të kalonte kurrë me NATO-n. E kishin edhe si qëllim, që ne të mos shkëputeshim nga kampi i Lindjes. Ata donin të mësonin gjithçka që ndodhte në politikën shqiptare, me ushtrinë shqiptare dhe na mbanin nën përgjim. Por dhe ne mbanin njëherësh nën përgjim politikën e tyre dhe sidomos anën ushtarake.
-Na linin të qetë, na jepnin sinjale provokative herë pas here apo na survejonin në distancë?
Survejimi ka qenë i vazhdueshëm nga të dyja palët. Përshermbull, kur kanë qenë kongreset e Partisë së Punës, shpesh anijet sovjetike, por dhe anijet e NATO-s, ndërmjet Greqisë dhe Italisë vinin sa më afër kufirit tonë, bile edhe e kalonin kufirin tonë. Ne kemi patur shumë raste nga këto. Pjesa e ujërave që sot i ka kaluar Grekut shkelej nga anijet greke, por forcat tona i shoqëronin dhe i detyronin të largoheshin. Këto raste ne i raportonim si shkelje.
Kryezbuluesi, Eqerem Osmani tregon se si ishte organizuar Radio-Zbulimi Shqiptar në kohën e luftës së ftohtë
“Përgjuam planet stërvitore për pushtim të Shqipërisë”
Komandat e desantit ajror ishin prioritet i përgjimeve, për shkak të rrezikut më të madh
-Ka pasur nga ana e Traktatit të Varshavës ndonjë plan konkret, ndonjë moment kur kërkohej gatishmëri e lartë prej nesh?
Rrallë ka pasur ndonjë moment, kur situata politike të ketë qenë e tillë. Por precedentë mjaftueshëm kishte. Kështu, në 68-n, kur ndodhi pushtimi i Çekosllavakisë- që ishte një incident i rëndë, kjo situatë ne na vlejti shumë, sepse e shkuam ndër mend se ne mund të ishim rasti i ardhshëm pas Çekosllavakisë.
-Ishte qëndrim i drejtë, sipas jush, që Shqipëria të qëndronte neutrale ndaj të dy blloqeve, politike dhe ushtarake njëherësh; NATO-s dhe Traktatit të Varshavës?
Për situatën që u krijua, duke parë që u prishëm edhe me Bashkimin Sovjetik, ishte një qëndrim i studiuar në planin politik të përgjithshëm. Ana ushtarake do ti përgjigjej anës politike.
-Flitet për një incident të shkeljes së ujërave tona nga një nëndetëse e paidentifikuar dhe nga një tjetër, amerikane. Ndërkohë që ju pohuat se ka patur shkelje të ujërave tona nga anijet amerikane dhe ato sovjetike. Ishte ky një demonstrim force që i bënin njëri-tjetrit për të mos kërkuar pjesë tek Shqipëria apo e kishin me ne, ishte një provokim për ne?
Nuk më kujtohet se cili kongres ka qenë, por rusët janë afruar shumë. Anijet e tyre luftarake kanë qenë gjithë kohën në lundrim dhe kur kishim situatat e kongresit, afroheshin duke kaluar zonën kufitare. Këto anije qëndronin në Dubvrovnik të Kroacisë dhe Kotorr të Malit të Zi, të ankoruara. Afrimi i tyre ishte një formë kërcënimi që na bënin, për të treguar autoritetin e një shteti të madh. Por gjëra konkrete apo provokim të drejtpërdrejtë nuk kemi pasur në kohën kur kam qenë unë drejtor i Zbulimit Ushtarak.
-Si është historia e nëndetëses që dyshohet si amerikane? Si u interpretua penetrimi i saj në ujërat shqiptare?
Normalisht, ajo nëndetëse nuk ka ardhur pa qëllim. Çdo objekt, aq më teper një nëndetëse, nëse hyn në ujërat e një vendi tjetër, ka një mision. Ky rast ka qenë për të bërë një kërcënim dhe mendoj se ka pasur një koordinim midis agjenturave të huaja (në vitin 81)
-Cilët ishin personat që u kishin ofruar bashkëpunim të huajve, pra që punonin si agjentë të tyre nga brenda dhe që kishin inskenuar këtë situatë?
Nuk mund të flasësh pa fakte, por përfliteshin emra…
-Ju si Zbulim e kishit përqëndruar zbulimin tek rreziku ajror, tokësor apo detar?
Nuk i kemi ndarë asnjëherë, i kemi ndjekur paralel. Por kujdesin më të madh e kemi pasur ndaj desantit ajror se ishte më i shpejtë për të realizuar qëllimin e tij. Vetëm desantë ajrorë rusë kemi identifikuar 7 divizione nga 10 mijë që bënin 70 mijë desantë ajrorë. Dhe duhet ti dije se ku ishin, se mund të ngriheshin papritur dhe të zbarkonin. Prandaj, komandat e desantit ajror ne i mbanim në përgjim të vazhdueshëm. Për këtë arsye, kishim organizuar shërbime të veçanta për të tëra komandat ajrore sidomos të Traktatit të Varshavës dhe të NATO-s. Mund të them se çfarëdo stërvitje, organizimi që bënin ato, i kemi pasur në dorë dhe kemi raportuar.
-A ka pasur agresion me desantë nga toka apo ajri gjatë kohës kur ju drejtonit Zbulimin?
Agresione nga ajri dhe nga toka në vitet 70-80 nuk ka pasur, por më parë ka pasur. Megjithëse nuk kanë ndodhur zbarkime, ka patur shkelje të hapësirës sonë ajrore. Avionët e huaj që janë kapur në hapësirën tonë, janë detyruar të ulen në aerodrom. Këto quheshin trupa, nuk quheshin desantë, por që bënin provokacione ose futeshin për të marrë informacion. Desant ne quanim edhe një grup të vogël terroristësh si ai i Xhevdet Mustafës që erdhi nga deti. Por kishim marrë masat si për raste të grupeve të vogla të desantëve, edhe të desantëve ajrorë masivë, që transportojnë një regjiment të tërë, edhe tankun brenda në avion. AN2 që kishin rusët përshembull mbante 720 vetë. Kështu që rreziku ishte i pranishëm, edhe pse provokacionet bëheshin nga larg. Rasti i pushtimit të Çekosllavakisë tregoi për rolin e desantimit. Ata kishin marrë të dhëna për Çekinë se ku janë gjithë aerodromet, ku janë forcat policore, pikat ushtarake. Ngaqë kishin të dhëna të sakta, zbarkuan në hapësirat boshe dhe menjëherë uzurpuan tërë Çekinë thuajse pa rezistencë, duke i paralizuar forcat çekosllavake.
-Si ishte organizuar dhe si funksiononte Shërbimi Ushtarak i Zbulimit?
Organizimi ka qenë i përsosur. Ne kemi pasur organizimin e zbulimit optiko-vizual ku në të gjithë brezin e kufirit shtetëror, qoftë ujor, qoftë edhe tokësor, në çdo 2 kilometra, gjendeshin posta zbulimi. Përveç postave të zbulimit që kishte kufiri, kemi pasur edhe posta zbulimi të reparteve të zbulimit të centralizuar. Këto vrojtonin gjithë hapësirën tokësore, detare dhe ajrore, me sy dhe me veshë, me mjete optike dhe këto ishin në të gjithë territorin. Përveç kësaj, nëpërmjet radio-zbulimit, mbaheshin në përgjim të gjitha komandant e ushtrive të huaja-që nga regjimentet, divizionet, korpusi i shtabeve. Në rast diversioni ata do të hapnin radiot dhe do të përgjoheshin nga mjetet tona teknike e të zbatimit.
-Ju keni kapur sinjale, biseda, që të dëshmonin se një grup përgatitej të shkelte territorin e Shqipërisë?
Vazhdimisht
-Por si ka mundësi që asgjë nga këto nuk ndodhi?
Përpjekje nga shtetet agresore ka pasur. Edhe provokime. Por jo për ti realizuar. Ishin idera në stërvitje se si mund ta pushtonin Shqipërinë. Pra, këto ishin plane në letër, por nuk kishin arritur ende tek faza e përmbushjes.
-Nga cilat shtete ka pasur plane të tilla që shpaloseshin gjatë stërvitjeje, duke demonstruar mënyrat e pushtimit të Shqipërisë?
Ka pasur plane edhe nga greku, edhe nga serbi, edhe nga italiani, gjithnjë për plane stërvitore flas.
-Pse merreshin seriozisht këto lloje planesh stërvitore?
Duhet të kini parasysh, se asnjëherë nuk realizohet një qëllim, pa patur disa përgatitje. Asgjë nuk vjen nga hiçi. Shtetet duhet të kalonin disa lloje përgatitjesh, disa lloje provokacionesh që të vinte momenti. Vërtet që këto ishin pjesë e procesit përgatitor, por këto aspekte përgatitore të tyre nuk ishin ashtu kot, kishin objektiva sado të largëta në kohë…
-Cili ishte qëndrimi i shteteve të tjera të Traktatit të Varshavës ndaj nesh?
Ne i kemi pasur në përgjim Bullgarinë, Rumani, Hungarinë si pjesë të Traktatit të Varshavës. Ndërsa Kina është në tjetër kontinent dhe ajo është parë vetëm në planin ideologjik. Edhe forca ushtarake e Traktatit të Varshavës nuk do të hynte direkt, por nëpërmjet Bullgarisë ose Rumanisë. Mënyra më e mundshme ka qenë agresioni nëpërmjet detit. Aeroplan-mbajtëset mund të zbarkonin tek ne sepse ishin vendosur në pika më të afërta, nuk do të ngriheshin nga aerodromet e BS-së, por të këtyre vendeve të Ballkanit.
-Cili shihej si rrezik më i afërt apo i mundshëm: Ai i shteteve të Traktatit të Varshavës, i Jugosllavisë apo i Greqisë?
Greqia ka qenë në kuadrin e NATO-s, por planet e saj nuk ishin në kuadër të NATO-s, ishin nacionaliste. Por kapacitetin që të vinte me desantë ajrorë në atë kohë, Greqia nuk e ka pasur, përveçse në kuadrin e NATO-s.
-A kishte prioritete në përgjim dhe zbulim: Kë përgjonim ne më shumë: Kampin Lindor apo Perëndimor?
Fillimisht përgjonim kampin Perëndimor, domethënë NATO-n, si objekt zbulimi por edhe si rrezik, ndërsa më pas, me daljen nga Traktati i Varshavës, u vunë në një balancë. Pritej një rrezik i dyanshëm, sepse edhe nga kampi i Lindjes mund të vinte ndonjë sulm, nisur gjoja nga një situatë politike e brendshme që nuk pritej mirë prej tyre dhe duke u mbështetur tek faktori i brendshëm. Ndërsa nga ana e NATO-s, në vëzhgim kishim gjithnjë Italinë dhe Greqisë, që janë skalioni i parë i kësaj organizate për zbarkim në Shqipëri për shkak të afërsisë gjeografike, nga ana e T. të Varshavës kishim Bullgarinë, Hungarinë dhe Rumaninë, pra shtetet më afër nesh. Ka një parim në Aleancën Veri-Atlantike: Sulmi ndaj një vendi anëtar është sulm ndaj të gjithëve. Nëse propozohej një sulm ndaj Shqipërisë, atëherë ky ishte edhe një sulm i NATO-s dhe jo vetëm i Greqisë.
Intervistoi Denisa KONA
Riorganizimi i zbulimit strategjik
Udhëheqja e lartë nuk na besoi për situatën në Kosovë
Në kohën kur unë mora detyrën, u bë një reformë shumë e fortë në shërbimin e Radio-Zbulimit. Gjithë Shërbimi i Radio-Zbulimit që ishte me ushtarë, për të rritur cilësinë u kalua tek punonjësit civilë. Kjo kishte rëndësi shumë të madhe. Në të njëjtën kohë, gjatë kësaj periudhe ne hapëm edhe shërbime të tjera të fshehta në vende të ndryshme, edhe në mjete detare gjë që na dha rezultate shumë të mira. Thuajse për çdo gjë, ne e kishim situatën në dorë. Përshembull, kur serbi futi arsenalin e tij ushtarak në Kosovë për ta mbajtur situatën e Kosovës që të mos shpërthente, ne situatën e kishim në zotërim me të dhëna shumë të sakta, dinim jo vetëm sa tanke janë futur në Kosovë, por edhe numrat e tankeve, edhe komandat e tankeve, edhe personat që ishin futur në Kosovë. Kishim të dhëna të sakta për njerëzit, armatimet, aerodromet ushtarake, bazat e forcave speciale te zbulimit ushtarak jugosllav. Kur i dërgonim udhëheqjes së lartë të dhëna, na besonin dhe u munduan ti verifikonin. Vetë Kadri Hazbiu ka shkuar në Shishtavec bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Ne kishim në Shishtavec një komandant reparti të shkëlqyer, Tomor Hazizin dhe ky, kur dha materialet, atëherë, Kadri Hazbiu deh të tjerë u befasuan dhe thanë: “Ne e paskemi tërë situatën në dorë! Çna duhet agjentura e jashtme që harxhojmë kaq shumë për të?”
“Shqipëria përgatiste grupet guerrile nga bota që donin të sillnin komunizmin në pushtet”
Shqipëria duke qenë një qendër e përgatitjes së marksist-leninistëve strehonte apo mikpriste grupe marksistësh nga e gjithë bota. Përveç grupeve nga vendet komuniste, që vinin për të përshëndetur kongreset, këtu vinin edhe grupe të posaçme që përgatiteshin për luftë guerrile. Këto ishin lëvizje marksist-leniniste që nuk e kishin pushtetin në një vend dhe dërgoheshin për tu përgatitur në Shqipëri nga ana speciale. Ata merrnin nga specialistët tanë taktikat e zbulimit. Grupet guerrile përgatiteshin në Zall-Herr, në një qendër apostafat. Kjo qendër quhej detashment i zbulimit dhe varej direkt nga Drejtoria e Zbulimit. “Aty kemi patur kuadro shumë të përgatitur si Gani Elezi”, kujton ish-drejtori i Zbulimit, Eqerem Osmani. -Në këtë qendër i stërvisnim për luftimin në pritë, si organizohet prita. Ndërsa …Pëllumb Zaimi kujton një nga këto situata stërvitjesh. Anës rrugës ishte një përrua dhe në të dyja anët u vendos prita. Maskimi u bë në mënyrë të tillë: U shkulën dëllinjat ose dushqet me rrënjë dhe tek gropat e rrënjëve u fsheh nga një ushtar zbulues. Forcat tona në këtë trajnim të trupave malajziane luanin rolin e kundërshtarit. Trupat malajziane duhet të gjenin se ku ishin ushtarët. Ata vinin rrotull dhe nuk gjenin dot asnjë ushtar. Kur u dha sinjali, nga çdo rrënjë dëllinje mbiu nga një helmetë. Ata u llahtarisën., të hapen 30 dëllinja përnjëherësh dhe të “çelin” 30 ushtarë! Ose vendi që duket si shkëmb, është karton i lyer identik. Pas tij ose brenda tij rrinte ushtari. Por nuk dallohej dot kartoni nga shkëmbi. Këto metoda zbulimi ishin përdorur më parë në Vietnam.
Shqipërinë pa mbrojtjen e saj, nuk mund ta shpëtojë NATO
-Funksionon sot struktura e Zbulimit në Ushtri?
Është fatkeqësi që Zbulimi sot është sakatuar, të gjitha llojet e shërbimeve të Zbulimit që kemi patur, edhe zbulimi me trupa. Por, nuk mund të ketë ushtri pa zbulim
-Ju mendoni se ka ende rrezik real për agresion, edhe pse Shqipëria është pjesë e NATO-s?
Po, ka. Dy vende të NATO-s janë Greqia me Turqinë dhe shpesh bëjnë inkursione agresive ndaj njëra-tjetrës. Edhe vetë vendet që quhen modele të demokracive e kanë këtë strukturë.
-Sot ushtria jonë është fokusuar tek detyrat e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të çdo lloji dhe misionet paqeruajtëse. A janë këto detyrat parësore të një ushtrie?
Edhe luftën kundër kriminalitetit nuk mund ta zhvillosh, pa patur shërbimin e zbulimit ushtarak. Por ky nuk është mision i mirëfilltë, luftarak i mbrojtjes së një shteti nga agresionet, ka karakter tjetër. Këto janë grupe ndërkombëtare kriminale, që veprojnë jashtë interesave të kombeve. Zbulimi ushtarak është diçka tjetër, ai shikon forcën e ushtrive, shikon karakterin synues të një shteti ndaj një tjetri. Shërbimi ushtarak shqiptar sot funksionon kryesisht ndaj Serbisë, ndaj vendeve të tjera ka pushuar. Për mua, kjo nuk duhet të pushojë, por duhet të vazhdojë. Shteti është si shtëpia. Çdo shtëpi merr masat e saj, mbyll derën për çdo rast rreziku. Një shtet është i përgatitur kur ai i di qëllimet e të tjerëve. Ndërsa kur nuk i njeh qëllimet, nuk i kundërvihet dot.
-Ne tani që jemi brenda NATO-s, e konsiderojmë veten të paprekshëm ose nën kupolë. Çfarë mendoni për këtë trajtim?
Eshtë shumë e gabuar të mos kesh mbrojtjen tënde dhe të mbetesh tek mbrojtja ndërkombëtare. Edhe shtetet e tjera që janë brenda koalicioneve ushtarake, kanë Zbulim nacionalist, që i shërben vetëm shtetit të tij. Jo çdo strukturë e ushtrisë është pjesë e NATO-s, ka një strukturë të caktuar në kuadrin e saj, por pastaj duhet të kesh ushtrinë tënde nacionaliste. Kjo pjesa jote e ushtrisë duhet të kryejë detyra nacionaliste, pra të karakterit kombëtar.
-Ta themi më drejtpërdrejt, duke e shtruar teorikisht: Në rast agresioni ndaj Shqipërisë, do të përgjigjej NATO-ja, apo do të lindte nevoja, që ne të ndjenim boshllëkun e kësaj strukture të munguar apo cunguar, që ju e quani “ushtria nacionaliste”?
Përgjigjen do ta japim përmes shembujsh: Kvasnjevski, Haveli dhe kreu i protestave në Poloni, pas pushtimit të rus të Gjerogjisë, i shkruan një letër presidentit Bush ku i thanë: “Ne jemi të tmerruar sepse ju e latë Gjeorgjinë pa mbrojtje” Dhe aludimi ishte: “Po të na ndodhë nesër neve me rusin, siç i ndodhi Gjerorgjisë, ne do të ndodhemi zbuluar, sepse ju si NATO nuk e lëvizët gishtin” Asnjë të dhënë nuk kishte zbulimi gjeorgjian dhe ja si i ndodhi. Qëllimet politike janë shumica të fshehta dhe pak të hapura, dhe prandaj shtetet mbajnë përveç strukturave ndërkombëtare, strukturat e tyre të ushtrisë dhe kanë zbulimin e tyre. Shembulli i dytë: Kujtoni se si erdhën në fshatin Peshkëpi të Gijrokastrës grekët dhe bënë masakër. Zunë dhe tallën një repart të tërë ushtarësh. Po të ishte zbulimi atje në kufi, nuk vinin dot asnjëherë.
-Sa pika zbulimi ka pasur Shqipëria?
Çdo batalion ka patur pikë zbulimi. 380 batalione nga një pikë zbulimi, 380 pika zbulimi. Postat e zbulimit mbanin nën vëzhgimi zonën e tyre dhe kështu vazhdonin rajonet e mbrojtjes së çdo batalioni në krah të njëri-tjetrit. Përveç këtyre, kishte edhe forca të centralizuara, që mbanin lidhje me radio. Këto ishin me bazë brigade kufitare. Çdo brigadë kishte një postë të centralizuar. Kështu që situata raportohej në kohë të shkurtër. Në çdo 5km në kufi me Serbinë kishte një postë kufiri. Serbët e njihnin mirë forcën tonë të Zbulimit dhe përgatitjen e ushtrisë dhe kjo i ka mbajtur që nuk bënin “gëk”. Kur u shkri kjo forcë Zbulimi, atëherë Sllobodani tha: “Unë e pushtoj Tiranën edhe me Shoqatën e Gjahtarëve të Beogradit”.
-Cila ishte përgjigja e strukturave të shtetit shqiptar për këtë deklaratë që ju sillni ndër mend?
Asnjë nuk iu përgjigj, qofshin qeveritarë, politikanë apo gjeneralë të ushtrisë..
Flet ish-Kryeinspektori i Forcave Ajrore dhe Shefi i zyrës së Gjeneralit të Forcave Ajrore, Pëllumb Zaimi:
Sot ne nuk po e mbrojmë shtëpinë tonë
Pyetja është e thjeshtë: Përse Greqisë i duhen 498 avionë, kurse ne asnjë?
Çdo shtet me shtetin tjetër, duhet të jetë në ekuilibër forcash. Nëse një shtet ka pesë avionë për km2, pesë avionë duhet të kesh edhe ti. Nëse shteti tjetër ka katër, ti duhet të kesh 4, tre të paktën. Hapësira ajrore është lënë fare pa zbulim. Greku në këtë moment që flasim ka mbi 495 avionë luftarakë, ndërsa ne zero.
Si u shkri kjo strukturë e ushtrisë? U shkri siç u shkri gjithë ushtria, sepse këtu reformat nuk janë bërë me kritere. “Nën ombrellën e NATO-s do të jemi të sigurt,- thonë tashti,- nuk kemi nevojë për asgjë. Edhe lugën me fasule në gojë ushtarit do tia futë NATO. Pacifizëm pa cak, naiv e quaj unë këtë”. Pyetja është e thjeshtë: Pse Greqisë iu dashkan 495 avionë, kur edhe ajo është në NATO, ndërsa ne nuk na u dashka asnjë?!... Domethënë, ekuilibri ushtarak i shtetit tonë me shtetet fqinje nuk ekziston dhe kur nuk ekziston ky ekuilibër, asnjëherë nuk ka për të patur marrëdhënie mes të barabartësh. Si rregull, duhet të jetë kështu: Nëse për një kilometër kator, greku ka 5 avionë, 5 ushtarë, 5 oficerë, 5 kapterë...po të njëjtën duhet të kemi edhe ne për km2. Vetëm pas kësaj ballance forcash lind mirëbesimi reciprok. Ne jemi në tanke zero, në avionë zero, në anije zero, në Zbulim zero. Ne nuk kemi sot objekt dhe mision të Zbulimit. Ne kemi patur një lëndë në Akademinë Ushtarake, që quhej “Kundërvënia ndaj armiqve tanë të mundshëm”. Kjo lëndë tani nuk është më. Dhe kjo lëndë kishte për të gjitha trupat, p.sh. përbërjen e forcave tokësore greke- katër kompani, nga 160 veta, me imtësi numrin e materialeve luftarake që kishin. Ne dinim me saktësi mateatikore organizimin e tyre, dinim që Greqia kishte 472 avionë në vitin 78, informacion që e siguronte Zbulimi.
Në librin e tij “Diplomacia”, Kisinger thotë: “Asnjëherë shtetet nuk janë mbrojtur nga ombrella e sigurimit kolektiv. Pse nuk bashkëpunuan shtetet për tu futur nën një ombrellë, të kishin një shtet të vetëm? Sepse kurrë nuk puqen interesat”. Çdo shtet duhet të ketë mbrojtjen e tij. Parimi i NATO-s është: “Përgjegjësia sovrane për mbrojtjen e vetes. Ne sot nuk e mbrojmë shtëpinë tonë”.
Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve kundërshton reformat e Ministrisë së Mbrojtjes
“Patrullimi i hapësirës tonë ajrore nga Greqia, shkelje Kushtetute”
Të drejtat e Mbrojtjes Kombëtare një shoqatë ushtarakësh ka marrë përsipër ti mbrojë në oponencë të hapur me qëndrimet e Ministrisë së Mbrojtjes. Eqerem Osmani, ish-drejtori i Zbulimit Ushtarak, sot Sekretar organizativ i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve shpjegon se çfarë është kjo strukturë dhe si lindi nevoja për ta patur dhe çfarë mungese kompensopn ajo. “Kjo strukturë është krijuar si domosdoshmëri, jo vetëm për të mbrojtur të drejtat ekonomike të ushtarakëve, por edhe për të mbrojtur të drejtat kombëtare. U krijua për ti bërë oponencë qeverisë në pikëpamje të politikave ushtarake, të reformave ushtarake dhe të Mbrojtjes së Atdheut. Ja, 29 ushtarë të Misionit në Afganistan u nxorrën jashtë. Kush do ti mbrojë ata? Ne kemi qëllim të mbrojmë nga më të rinjtë, deri tek më i vjetri që ka shërbyer në Forcat e Armatosura. Kanë kaluar 20 vjet dhe mbrojtja ekonomike dhe morale e tyre nuk është bërë. Përkundrazi, është mbajtur një qëndrim diskriminues. Sot për sot gjithë ushtarakët marrin pension minimal, duke mohuar kontributet e tyre”. Këtë mbështetje, Eqerem Osmani e bazon në argumentin se për të mbrojtur të drejtat kombëtare, duhet të nisësh nga mbrojtja e interesave të ushtarakëve të tu. Pa mbrotjtur këto interesa, nuk mund të shkosh më tej. “Kjo shoqatë synon të investigojë një politikë ushtarake që çalon. Përshembull, kush më mirë se kjo shoqatë do të mbrojë doktrinën e Forcave Ajrore apo të Zbulimit? Sepse vetëm kjo shoqatë mund të shfaqë një pikëpamje profesionale dhe ti bëjë oponencë Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo ministri nuk na thotë se cilat janë drejtimet e kësaj reforme. Gjithnjë, reformat bëhen në mënyrë klandestine, me iniciativa personale të Ministrit të Mbrojtjes dhe kryeministrit, madje duke shmangur edhe komandantin e përgjithshëm. Përshembull, në Kushtetutën e Shqipërisë, Forcat e Armatosura përbëhen nga Forcat Tokësore, Detare dhe Ajrore. Ku janë Forcat Ajrore që parashikon Kushtetuta e Shqipërisë? Si mund të bëhet ndryshmi i Forcave pa u bërë ndryshimi kushtetues? Por edhe të tjerat janë reduktuar dhe shpartalluar në maksimum. Një tjetër moment i shkeljes së Kushtetutës, është ai ku thuhet: “Hapësira ajrore është nën sovranitetin e Republikës së Shqipërisë”. Ky ligj nuk të lejon të mbikqyrë dikush tjetër hapësirën tënde ajrore. Sot për fat të keq, hapësirën tonë ajrore e patrullon aviacioni grek. Hapësira ajrore është po aq e rëndësishme, sa edhe hapësira tokësore. Bile, hapësira ajrore është më e rrezikshme, sepse janë mjetet më të shpejta. Me gjithë hapësirën ujore dhe tokësore, hapësira shqiptare është 58 mijë km katror. Kjo është hapësira jonë ajrore dhe këto 58 mijë km katorë na i patrullon aviacioni grek. Ai kryen Zbulimin dhe ia raporton Ministrisë Greke dhe gjoja edhe Ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare. Përveç se i kemi lënë në zotërim Grekut hapësirën ajrore, ne edhe e paguajmë. 200 milionë euro që harxhojmë për patrullimin e ajrit nga fqinjët janë baras me blerjen e 5 avionëve F16 me të cilët na patrullon Greku. Fare mirë me kaq para mund ti blinim këta avionë dhe ta patrullonim vetë ajrin tonë”.
Çfarë të keqeje shihni ju në patrullimin e hapësirës tonë ajrore nga Greqia?” Kësaj pyetjeje, Eqerem Osmani i përgjigjet: “F16 që na patrullon ne, ka 7 aparate fotografimi të cilësisë së lartë. Dhe një nga ata aparate në 600 metra lartësi fotografon gjilpërën në bar. Ato të dhëna mund të përdoren për qëllime nga më të ndryshmet, edhe private, ndërsa ti si shtet nuk e merr dot vesh se çfarë të ka fotografuar i huaji. Sepse ai avionin do ta ulë në Larisa apo në Athinë, në aerodromin e tij dhe nuk të jep të dhëna. Provokimi i fundit grek, me ulërima i ushtarëve që donin të na rripnin lëkurën, është në kuadrin e kësaj pafuqie ushtarake të Shqipërisë, të faktit se ajo nuk është e mbrojtur. Pse nuk lëshonin thirrrje të tilla grekët, kur Shqipëria kishte ushtri? Pse varrezat nuk i ngritën më parë, por sot? Dhe përse këto varreza ngrihen në gjithë hapësirën e pretenduar “Vorio-Epiriote”? Që nesër Greku të ketë mundësi të thotë: Se kjo është toka ime, kam fakte, prandaj edhe kam derdhur gjak për ta mbrojtur. Shiko varrezat e grekëve. Përse nuk u interesua qeveria greke ti ngrejë një memorial popullit çam për të përkujtuar kontributin e tij të çmuar për Çlirimin e Greqisë? ”
Reforma
Asnjë qeveri nuk ka shpallur doktrinën e Zbulimit Shqiptar
“Zbulimi ushtarak është arma e inteligjencës ushtarake, që ka për mision të zbulojë qëllimet e fshehta të të huajve në dëm të vendit. Zbulimi ushtarak është rrudhur fare dhe nuk ka dalë ndonjë qeveri të thotë se cila është doktrina e forcave të Zbulimit. Në të gjitha vendet e NATO-s, doktrina e forcave të Zbulimit prezantohet publikisht. Këtu kurrë nuk është bërë një prezantim se çfare reforme do të bëhet në zbulimin ushtarak. Nuk ekziston një botim për misionin e këtij zbulimi, edhe pse e kanë për detyrë ta prezantojnë për opinionin publik. E thonë edhe analistët politikë amerikanë se çdo doktrinë, çdo reformim i bëhet e ditur opinionit publik”. Sot nuk dihet se kush është përfaqësues i Zbulimit Ushtarak në Shqipëri? As ne që jemi ushtarakë nuk e dimë.” Kryesorja, nuk ka një doktrinë zbulimi. Cili është misioni i Zbulimit në kushtet e reja pas diktaturës. Nuk është thënë gjëkundi. Nuk ka një rregullore. Forcat tokësore kanë një doktrinë, por të tjerat nuk kanë. Pa doktrinë forcat nuk njohin misionin e tyre.
Ka pasur një rregull; Cilido oficer që shkonte të shkollohet jashtë shtetit pas 90-s, jepte një deklarim se me kë u takua etj. Ky rregull vazhdoi nja 6 muaj dhe nuk u zbatua fare. Nuk e çanin kokën as gjeneralët e asnjeri, e kishin mendjen se po i kapte reforma. Reforma në çdo 3 muaj, në çdo 6 muaj. Kjo reformë i bëri ushtarakët të painteresuar profesionalisht, që nga gjeneralët e deri tek ushtari më i thjeshtë: Askush nuk ishte i sigurt në vendin e tij. Një zbulues duhet të ketë eksperiencë të gjatë në punë dhe nuk eshtë kollaj të përgatitësh një zbulues. Edhe ish-drejtorin e zbulimit që kishte ushtria, e morën dhe e kaluan në drejtorinë operative, domethënë e hoqën nga profesioni.
Zbulimi Ushtarak dhe Sigurimi i Shtetit
Midis Zbulimit Ushtarak dhe Sigurimit të Shtetit ka patur gjithnjë një marrëdhënie të ngushtë. Qëllimi i të dy misioneve mpleksej shpesh, pasi agresioni territorial apo ndonjë veprimtari tjetër në dëm te interesave kombëtare gërshetohej edhe me plane për eliminime i ndividësh, sabotazhe ekonomike etj. Sa herë zbuluesit që ishin të deportuar në komandot ushtarake, merrnin të dhëna se donin të vrisnin filan udhëheqës apo të bënin terror, ia kalonin Sigurisë. Sigurimi dhe Zbulimi Ushtarak kanë patur lidhje, të dyja qenë Zbulime dhe nuk i ndan dot me thikë.
Ky lajm është publikuar: 01/04/2010