E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti 2009, tre ministra të Drejtësisë kundër Dobjanit

Autori i Lajmit: Silvana Balliu

Dy ish-ministra të Drejtësisë, Aldo Bumçi, Enkelejd Alibeaj dhe një ish-zv.ministër, Eduard Halimi kanë kritikuar ashpër punën e Avokatit të Popullit, për nismat e tyre ligjore, që të cilat ky institucion ka bërë padi në Gjykatën Kushtetuese.
Bëhet fjalë për tri ndryshime në ligjin "Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme", në lidhje me kompetencat që do të merrnin Zyrat e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme dhe neni që përcakton kompetencat e Kryeregjistruesit”. Burime nga Kushtetuesja thanë se megjithëse nuk është zbardhur vendimi, gjykata ka vendosur në favor të padisë së bërë nga Avokati i Popullit.
Prezantimi i raportit
Kritikat janë lëshuar dje në Komisionin e Ligjeve, në momentin kur Avokati i Popullit në detyrë, Riza Poda ka prezantuar dje raportin e punës së këtij institucioni për vitin 2009. Ndërsa deputetët e mazhorancës kanë argumentuar se Avokati i Popullit, institucioni i mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve ka shqyrtuar kërkesa jashtë kompetencave dhe sipas tyre në mënyrë preferenciale. Po kështu, ata u shprehën se Avokati i Popullit ka bërë dhe deklarime politike. Më pas kanë nisur edhe debatet mes deputetëve dhe Podës për ankesat e trajtuara, ku sipas deputetit të PD-së, Enkelejd Alibeaj Avokati i Popullit nuk i ka trajtuar mirë kërkesat. Ai tha se ky institucion është përfshirë në vorbulla politike dhe ka kaluar disa herë kompetencat.
Ligji, ndyshimet si mollë sherri
Për herë të parë pas dhjetë vitesh institucioni i Avokatit të Popullit është kritikuar për çështjet që ka marrë në shqyrtim dhe që ka dërguar në gjykatë. Ka qenë Eduard Halimi, deputet i mazhorancës, ish-zv.ministër Drejtësie, i cili ka kritikuar ashpër punën e institucionit të Avokatit të Popullit, e pikërisht për një dosje, që ky institucion e ka dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ku sipas tij nuk duhej ta bënte një gjë të tillë. Bëhet fjalë për ligjin "Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme", të cilin Avokati i Popullit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas këtij institucioni ky ligj në nenin që përcakton kompetencat e kryeregjistruesit të Hipotekës, i jep këtij të fundit kompetencat e Gjykatës, duke e vënë këtë të fundit mbi gjykatat. Avokati i Popullit ka vërejtur si shkelje, një nga pikat ku thuhet se, kryeregjistruesi i ZRPP-së, ka të drejtë të anulojë një vendim për regjistrim prone. Pra, pika ku palët kundërshtojnë ka të bëjë me kompetencat që i jep ligji kryeregjistruesit, sipas të cilit mund të çregjistrojë pronat e mbivendosura. Deputeti Halimi është shprehur në Komisionin e ligjeve se Gjykata Kushtetuese nuk duhej ta merrte në shqyrtim këtë dosje të dërguar nga Avokati i Popullit. Këtë kritikë Avokati i Popullit e ka quajtur si cenim të pavarësisë së këtij të fundit. Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri, që prej shkurtit të këtij viti ka mbetur pa kreun drejtues, pasi Ermir Dobjanit i ka mbaruar mandati. Për zgjedhjen e drejtuesit të ri, do të duhej një shumicë votash në parlament, e cila aktualisht, me bojkotin e deritanishëm të opozitës, ka qenë e pamundur.

Dobjani: “Ish-ministrat të
presin vendimin e Kushtetueses”

Menjëherë pas kritikave në Komisionin e Ligjeve ka reaguar për gazetën Ballkan Avokatit i Popullit, Emir Dobjani: “Do të ishte mirë që ish-ministrat e Drejtësisë të kishin pritur vendimet e gjykatës Kushtetuese, pasi ata do të jenë përgjegjës para qeverisë për arsye se këto nisma do të shfuqizohen nga Kushtetuesja. Avokati i Popullit nuk ka pasur qëndrime personale apo klienteliste në ushtrimin e aktivitetit të tij. Zotërinjtë ish-ministra kanë përfituar nga rasti se unë nuk kam qenë i pranishëm në informimin e Komisionit, gjithashtu nuk ishte as komisionerja Florina Nuni, e cila është marrë me shqyrtimin e çështjes dhe ndjekjen e procesit në Gjykatën Kushtetuese, që tu jepnim përgjigjen”, tha Dobjani.

Rusmali: “Raporti të
jetë më i koncentruar”

Ish-ministri i Drejtësisë dhe aktualisht deputet i mazhorancës, Aldo Bumçi është shprehur se raporti është shumë voluminoz dhe shumë i lodhshëm për tu lexuar i tëri. “Raporti është shumë voluminoz dhe nuk ka asnjë mundësi të lexohet i gjithi, duke bërë që të shkelet kështu transparenca”, tha dje në komision, Aldo Bumçi. Por, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit janë mbrojtur duke thënë se, modeli është i njëjti që është përdorur dhe vitet e tjera, një model i huazuar nga Danimarka. Dje në Komision kanë munguar edhe dy komisionerë të Avokatit të Popullit, pasi ka pasur përplasje mes tyre për emrat që Poda ka dërguar për të qenë pjesëmarrës. Ndërsa, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali ka pohuar se Avokati i Popullit duhet të bëjë një raportim më të koncentruar dhe të përgjithshme dhe jo si ky i paraqitur në Komisionin e Ligjeve.

Ky lajm është publikuar: 01/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›