“Pengmarrjet dhe vrasjet mafioze të biznesmenëve”
Trazhgim Sokolaj
Krimi i organizuar është i lidhur me politikën.Aleancat e fshehta, financimet misterioze, korrupsioni apo pastrimi i parave, të gjithë këta elementë të krimit të organizuar, e lidhin atë ngushtë me politikën. Ky është një realitet i përbotshëm, megjithatë krimi i organizuar shqiptar ka veçoritë e tij. Duke filluar që nga momentet, që shfrytëzoi për krijimin e tij e më pas mënyrën se si u zhvillua dhe operoi në një vend, që doli nga izolimi i gjatë komunist jo vetëm pa mekanizma për ta luftuar krimin e organizuar, por me mangësi që e favorizuan fuqizimin e tij. Sot po sjellim fragmente nga libri “Krimi dhe Antikrimi” me autor oficerin e policisë Bujar Hoxha. Në kapitullin e titulluar “Mafia shqiptare”, paraqitet një tablo komplekse e veprimtarisë së grupeve të krimit të organizuar, që shfrytëzuan çdo mundësi për të ngritur biznese me financa të zeza e më pas zgjeruan veprimtarinë e tyre, duke kaluar në krime monstruoze ndaj biznesmenëve që merreshin peng për shuma miliona dollarëshe. Më poshtë vijojnë fragmente nga libri.
Fillesat e “mafies”
“Fillesat e organizative të krimit të organizuar apo “mafies” në Shqipëri datojnë pas viteve `91-`92, kur transformimet politike, ekonomike dhe sociale hapën semaforin jeshil duke nxjerrë në pah vlerat dhe antivlerat, ligjin dhe antiligjin, mbrojtësin e ligjit dhe kriminelin, politikanin dhe dallkaukun. Zhgënjimi, anarkia dhe frika për sigurinë e jetës shtohej, ndërkohë që rrugët pushtoheshin prej gangsterëve. Në krye të tyre do të viheshin të liruarit nga burgjet, të cilët do të formonin bandat duke u lëshuar në rrugën e krimit, drogës, bixhozit, prostitucionit dhe biznesit. Kjo periudhë ishte një bekim i ri për kriminelët, të cilët u konsoliduan në marrëveshje bashkëpunimi dhe aleanca. Kështu e gjithë pasuria shtetërore ra në kontrollin e këtyre njerëzve. Edhe sektori bankar do të vihej në shënjestër. Do të jepeshin kredi pa kriter dhe të orientuara, që edhe sot nuk janë shlyer. Ndërkohë do të hapej rruga për lindjen e firmave piramidale. Kaosi që përshkoi ekonominë, nxiti korrupsionin galopant dhe pasuritë, që figuronin në ndërmarrjet e mbetura, të shiteshin apo nxirreshin jashtë vendit. Eksporti i hekurishteve u bë legal, pasi teknologjia jonë nuk mundësonte riaftësimin e saj. Nëpërmjet kontrabandës, falsifikimit të dokumenteve dhe korrupsionit të zyrtarëve, “doganierët” arritën të shesin sasi të mëdha të materialeve me ngjyra. Konkurrenca mes tyre do të nxirrte në pah një rivalitet, duke detyruar gangsterët të nxirrnin koburet siç ndodhi me vrasjen mafioze të presidentit të kompanisë “Flevi”, që merrej me eksportin e skrapit. Kjo shtresë aktive dhe e pakontrolluar nga shteti gjatë vitit `92 e më pas do të fuste në ingranazhet e saj kriminale aktivitete të ligjshme apo të jashtëligjshme, do të krijonte kompani gjigante, e cila çdo ditë dhe orë prodhonte para të pista dhe nxiste në njëfarë mënyre polarizimin social, apo brenda llojit, veçanërisht krijimin dhe ndarjen e influencave, duke përcaktuar kufijtë ekonomikë të dallueshëm. Duke shfrytëzuar tranzicionin, një mori personazhesh të njohura për egërsinë kriminale bënë të zakonshme mundësinë për të çarë me pushkë rrugën e ekonomisë që po zhvillohej. Pra, ishte një shteg i dhunshëm ku kufiri ndërmjet ekonomisë, politikës dhe kriminalitetit ishte thjesht teorik”.
Pas viteve 1992 sinjalet me natyrë mafioze filluan të jepnin shenjë. Banditizmi i rrugës krijoi lidhjet e forta me politikën dhe hapi rreze veprimi përtej kufijve.
Mafia dhe politika
“Në qendrat kryesore të vendit u shfaqën në vjedhje e mashtrime financiare të gjithfarëlloji apo vjedhja e fondeve të përcaktuara nëpër zonat urbane. Këta individë apo grupe kriminale që deri dje maskoheshin me flamur partiakë, ndërruan formë dhe veshën kostumet e kohës për të sulmuar zyrat e administratës shtetërore, për të garantuar imunitetin e nevojshëm”. Në maj 1997, fushata për zgjedhjet parlamentare u zhvillua në një atmosferë të tendosur. Për të garantuar sigurimin e lëvizjeve të udhëheqësve dhe organizimin e mitingjeve në krahinë, çdo parti politike kishte në dispozicion policë të armatosur, ndër të cilët edhe militantë dhe kriminelë. Pati kriminelë që trokitën gjatë verës së 1997 në Ministrinë e Brendshme për të kërkuar punë në administratë apo polici, si shpërblim për shërbimet ndaj udhëheqësve të rinj gjatë revoltës dhe fushatës elektorale.
“Armët e siguruara nga grabitja e depove ushtarake do të kryenin dy funksione: për të kryer krime, por edhe si objekt për trafiqe të paligjshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke shërbyer si lëndë e parë për organizatat dhe grupimet kriminale. Bilancet e bëra nga policia do të evidentonin krime nga më monstruozet si vrasje, vrasje mafioze (shumica e tyre të pa zbuluara) rrëmbime të shumëllojta dhe fatura ekonomike, sekuestrime të personave vjedhje me dhunë, armë etj.
Krimi i organizuar
“Gjatë këtyre viteve veçanërisht Tirana do të përjetonte ngarkesa të forta të rivaliteteve të individëve dhe grupeve kriminale. Lagjet tiranase rriteshin çdo ditë nga zhvillimi i tregtisë së ligjshme dhe të paligjshme, nga bilardot, baret, pub-et, klubet e bixhozit, lojërat e fatit, shtëpitë publike dhe dyqanet pa fund që nuk u dihej bilanci. Në këto ambiente luksoze qarkullonin krahas qytetarëve indiferentë edhe kriminelët, që në mënyrë të dukshme do t’i frekuentonin këto ambiente për pazare të fëlliqura dhe nga ku do të sulmonin njëri-tjetrin për larje hesapesh dhe vendosje gjobash. Gjatë kësaj periudhe rivalitetet do të dilnin në shesh dhe do të bëheshin të pakontrollueshme. Ishte kjo periudhë, që do të regjistronte ngjarje nga më të ndryshmet:
Në vitin 1998, u rrëmbye biznesmeni K.D., pranë banesës së tij, tek Shkolla e Kuqe. Autorët menjëherë pas rrëmbimit kërkuan nga familjarët shumën një milion dollarë. Megjithë dyshimet e krijuara, nuk u bë e mundur gjetja e tij, duke u konsideruar person i humbur.
Rrëmbimi në dhjetor 1998 i tregtarit P.G., që u lirua vetëm kur familjarët dorëzuan shumën 400 mijë dollarë. Gjatë hetimit një i afërm i pengut paralajmëroi për autorët e mundshëm, pasi mësoi se pengut i ishin lidhur me hekura dy gishtërinjtë e mëdhenj. I afërmi i pengut mendohej se ishte pjesë e grupit kriminal të pengmarrësve, megjithatë ngjarja mbeti e pazbuluar.
Në shkurt 1998, rrëmbehet M.B., i cili më pas do të gjendej i vdekur në drejtim të rrugës, që çon në Malin e Dajtit. Shtrëngimi me hekura i dy gishtërinjve ishte identik me atë të pengut P.G., çka forconte dyshimet për të njëjtët autorë, por vetëm kaq.
Në qershor ‘99 vriten me breshëri armësh të rënda (dhe antitank) D.G dhe M.SH., të cilët udhëtonin me një fuoristradë. Në vendngjarje u gjetën: 30 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, një predhë, një automatik dhe një pistoletë “Zastava”. Pas 30 minutash policia e ndodhur në postbllok do të arrestonte autorët G.F dhe I.B., personi i fundit, i akuzuar për vrasje, duke dalë në dhomën e ajrimit do të qëllohej për vdekje me armë snajper. Për kohën do të konsiderohej një akt i përkryer dhe me tipare të plota mafioze. Dyshimet do të binin mbi A.D., i cili do të vritej jashtë qytetit të Tiranës në një grindje banale.
“Do të dilnin edhe kriminelë ordinerë, që për të kënaqur orekset kriminale do të vrisnin njerëz të pafajshëm, duke vendosur baste me paratë e vjedhura. Do të citonim njërin prej tyre, që fitoi bastin e vënë me shokun e tij për 100 dollarë në ekzekutimin e një kalimtari në distancë një kilometër, i cili kishte dalë nga shtëpia për të vajtur në punë. Dhe me këto para dy kriminelët do të darkonin në një lokal luksoz në periferi të Tiranës. Ishte marsi i vitit 1997!”
Krimet mafioze, 1300 dosje të pazbardhura
TIRANE – Në dy dhjetëvjeçarët e fundit, kur në Shqipëri filloi të shfaqej veprimtaria e krimit të organizuar dhe krimet e sofistikuara, janë regjistruar rreth 1300 krime të pazbardhura. Një shifër e tillë krimesh të ndodhura që në vitin 1990 dhe deri pak vite më parë, të cilat kanë mbetur “pa autorë” për shkak të mënyrës së ekzekutimit, mungesës së provave, por edhe lidhjeve që autorët e tyre kanë pasur me struktura të caktuara, që indirekt i kanë marrë në mbrojtje të dyshuarit. Përpjekja për rihapjen e dosjeve të vjetra dhe zbulimin e autorëve të tyre filloi, që në vitin 2004 por një ndërmarrje e tillë dështoi edhe për shkak se një vit më parë, në 2003 një numër biznesmenësh u ekzekutuan në atentate mafioze me autorë të pa zbuluar. Policia iu rikthye dosjeve të vjetra më pas në vitin 2005 dhe përgjatë tre viteve numri i krimeve të vjetra që janë zbardhur ka qenë mesatarisht 200 çdo vit. Zyrtarët e policisë pohojnë, se krahas ndjekjes së kriminalitetit të ditës janë angazhuar edhe në hetimin dhe zbardhjen e krimeve të vjetra, por duket se paraqitja e autorëve para drejtësisë kërkon kohë.
Zbardhen vrasjet mafioze të avokatit dhe dy biznesmenëve
armand bajrami
Policia shqiptare është duke finalizuar hetimin dhe zbardhjen e autorëve për një sërë ngjarjesh kriminale të vjetra të konsideruara si “krime mafioze”. Dosjet e krimeve të pazbardhura janë rimarrë në dorë nga policia, e cila ka gjetur prova, informacione madje edhe dëshmitarë, që hedhin dritë mbi shkaqet dhe autorët. Zbulimi i këtyre krimeve të rënda ka qenë objekt i punës së policisë për vitet e fundit krahas parandalimit të veprave penale. Zv/drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit Agron Kuliqi, që drejton edhe Departamentin e Hetimit në Policinë e Shtetit konfirmoi dje, se si rezultat i goditjeve të realizuara në vitin 2008 nuk u shënuan krime mafioze siç ka ndodhur më parë. Në një rrëfim për televizionin “Klan”, Kuliqi shpjegoi se së shpejti autorët e vrasjes së biznesmenit të hekurit Florian Vila, ish-presidentit të Federatës së Boksit Vajdin Lamaj, ekzekutorët e avokatit të njohur Kleanthi Koçi apo pengmarrësit e Kodo Dados do të dalin para drejtësisë. “Kjo është puna jonë, si rezultat i goditjes së grupeve kryesore, si rezultat i goditjes së personave të cilët kanë qenë në botën e krimit me emër, të pacënueshëm është arritur që ne të arrijmë të ndalojmë kriminelin dhe të bëjmë një punë parandaluese të madhe”, thotë Kuliqi. “Ne e dimë mekanizmin e ngjarjes. Dimë se si janë kryer këto veprime, por problemi është se këto do t’i kalojmë në prova. Dhe që të kalosh në prova duhet të krijosh rrethana të reja. Duhet të sigurosh provën, duhet të sigurosh dëshminë, në mënyrë që pastaj që personat që do të akuzohen të përballen me drejtësinë. Kemi arritur të mbledhim një minimum të dhënash për to. Janë bërë objekt i analizave të strukturave të Tiranës në strukturat qendrore të Policisë. Janë bërë objekt diskutimi paraprak në strukturat e Prokurorisë, si të Tiranës edhe në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Por akoma ne nuk mendojmë se na janë mbledhur rrethana dhe prova të mjaftueshme, të cilat ne mund t’i referohemi dhe pastaj t’i bëjmë edhe objekt hetimi”, vijon më tej drejtori i Departamentit të Hetimit në Policinë e Shtetit.
Vrasjet e pazbardhura
Ai thotë se “në praktikën botërore, në praktikën e vendeve që janë më të zhvilluara, si në BE ashtu edhe më larg, këto raste janë raste shumë të vështira dhe në tërësi janë raste, që mbeten edhe të pazbuluara. Sepse unë po ju them që në qoftë se ne forcën zbuluese për rastet e vrasjeve e kemi mbi 80 për qind dhe forcën goditëse. Ky është një tregues shumë i lartë i strukturave të Policisë së Shtetit pavarësisht kryerjes së veprës penale, mënyrës së kryerjes dhe mekanizmit. Këto janë ngjarje që kanë ndodhur në kohë, që kanë krijuar vështirësi në marrjen e provës, pavarësisht veprimeve që janë kryer. Kanë krijuar vështirësi në marrjen e deklarimeve, pavarësisht veprimeve që janë kryer. Do të kërkojnë veprime më specifike. Mënyra e mekanizmit është “vrasje mafioze”. Sipas zv/drejtorit të Përgjithshëm brenda pak kohësh do të dalin para drejtësisë autorët e krimeve të pazbardhura në vite. “Shumë shpejt do referohet edhe çështja e Kleanthi Koçit. Kanë filluar veprimet për Koço Dadon. Është një ngjarje që në ‘98 ka tronditur opinionin publik, rrëmbimi i tij. Edhe për rastin e disa ngjarjeve të Korçës, të cilat janë kryer në këtë lloj mekanizmi, me vrasje me pagesë. Shumë shpejt autorët, personat që i kanë kryer këto do të shkojnë përpara përgjegjësisë. Kjo sepse janë grumbulluar rrethana dhe prova të mjaftueshme, që do provojnë vërtetësinë e këtyre ngjarjeve”, tha Kuliqi. Sipas tij, kontribut në zbulimin e krimeve kanë dhënë edhe dëshmitarët. “Të ndërtosh një vendngjarje pas një periudhe kohe nuk është shumë e thjeshtë. Kuptohet sepse duhen kontributi i të gjithë elementët e asaj ngjarjeje. Ne këtë e mbajmë mbi bazën e dëshmive, që mbajmë nga dëshmitarë që kanë qenë okularë në ngjarje, të cilët për një situatë të caktuar, ose për arsye të panikut, nuk kanë arritur që të dëshmojnë më parë. Falë këtij bashkëpunimi, ne sot kemi një numër jo të pakët dëshmitarësh të drejtësisë dhe bashkëpunëtorësh të drejtësisë kemi arritur të zbërthejmë ngjarje, të cilat në vite, nga ‘97 e këtej nuk do të ishte bërë e mundur realizimi i tyre”. Zyrtari i policisë nuk bën publike shifrën e dëshmitarëve të drejtësisë për shkak të sekretit të çështjes. “Ka një shifër, por për arsye të rëndësisë së tyre dhe pozicionit të tyre dhe të ruajtjes së sigurisë së tyre ne nuk mund t’i japim këto”, tha Kuliqi. Ai vlerëson ish-kryeprokurorin e Krimeve të Rënda Andnand Kosova për bashkëpunimin e krijuar me Policinë e Shtetit dhe aftësitë e tij në ndërtimin e proceseve hetimore të rëndësisë së veçantë. “Ne kemi arritur të zbulojmë dhe dokumentojmë falë aftësive të tij personale dhe kontributit të tij personal si person që na ka hapur hapësirë. Po t’i thoshe që kjo është provë, nuk kishte gjykatë që ta hidhte poshtë”, vlerësoi Kuliqi, duke pohuar se zbardhja e krimeve të vjetra është sukses dhe siguri, sepse të godasësh do të thotë që rriten elementët e sigurisë.