E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodheli: “Berisha nuk ka moral t’u flasë shqiptarëve për varfërinë”



Partia Socialiste akuzoi kryeministrin Berisha se gjatë katër viteve të qeverisë ka punuar vetëm për familjen e tij. Zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, ka qenë dje te sheshi pranë përmendores “Ushtari i panjohur”, ku foli për nivelin e lartë të varfërisë dhe papunësisë në vend. “Sali Berisha, gjatë këtyre katër viteve, mund të ketë bërë shumë për familjen e tij, por jo për shqiptarët, të cilët pas 4 vitesh janë më shumë të papunë”, - deklaroi Kodheli. Ajo theksoi se shqiptarët janë më të varfër se katër vite më parë. Kodheli u shpreh se Berisha nuk ka moral të flasë për zvogëlim të varfërisë në vend në një kohë kur shqiptarët e dinë shumë se si janë varfëruar në këto 4 vite të qeverisjes së tij. “Si mund Sali Berisha të shohë në sy shqiptarët dhe të pretendojë se plani i tij për ekonominë po funksionon? Këta njerëz e dinë shumë mirë se cila është gjendja ekonomike e shqiptarëve”, - tha zëdhënësja e Kryesisë së PS-së. Sipas Kodhelit, të djathtëve u intereson vetëm politika, kurse për të majtët më të rëndësishëm janë shqiptarët. Ajo deklaroi se shqiptarët meritojnë më shumë dhe premtoi se PS-ja do të përmirësojë standardet e jetesës.

14 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›