Reagon Solana: Kërkesa e qeverisë “Berisha” për zonjën Glover, e papranueshme
BRUKSEL - Pas deklaratës së ODIHR-it në Varshavë, edhe Bashkimi Europian ka dalë në mbrojtje të shefes së misionit vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri, zonjës Glover, pas kontestimeve të qeverisë shqiptare. Zëdhënësja e zotit Solana, Kristina Galak, e ka konsideruar të papranueshme kërkesën e zotit Berisha, duke e konsideruar si të papranueshme për një vend që kërkon të bëhet anëtar në BE. “Është fakt se personi që do të drejtojë delegacionin e ODIHR-it, në një farë mënyre, nuk është pranuar nga qeveria. Është fakt dhe është bërë publik tashmë dhe ja pse Bashkimi Europian del hapur dhe publikisht duke thënë se ‘ne mendojmë se kjo nuk është e pranueshme’”, - tha zonja Galak në një prononcim për korrespondenten e Top Channel në Bruksel. Sipas saj, “ky qëndrim duhet të përmbyset”. “Ne mendojmë se duhet të ketë bashkëpunim të plotë me të gjitha delegacionet vëzhguese, dhe kreu i ODIHR-it duhet të përfshihet plotësisht në këtë proces”, - theksoi zëdhënësja e zotit Solana, e cila më pas shtoi se “Shqipëria aplikoi para pak javësh për anëtarësim në BE dhe se këto praktika nuk kanë asnjë përputhshmëri me një vend anëtar të Bashkimit Europian”.
Zonja Galak theksoi se BE-ja do të bazohet në vlerësimet e saj për zgjedhjet në raportin që do të përgatisë ODIHR-i. “Çfarë kemi parë nga ODIHR-i, ata zhvillojmë procese vëzhgimi ekstremisht profesionale për zgjedhjet dhe ne nuk kemi asnjë dyshim që të themi qartë që tani se ne presim që të ndodhë e njëjta sjellje profesionale e misionit të udhëhequr nga zonja Glover”, - shtoi zëdhënësja e shefit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE. “Ne mendojmë se ajo, me mbështetjen e qeverisë, do të jetë në gjendje që të drejtojë një mision të suksesshëm vëzhgimi të zgjedhjeve”, - përfundoi Galak.
Ky qëndrim vjen vetëm disa orë pas qëndrimit të ODIHR-t. Zëdhënësi i kësaj organizate me qendër në Varshavë pohoi për BBC-në se “qeveritë nuk kanë rol në emërimin dhe përzgjedhjen e kryetarëve të misioneve vëzhguese të ODIHR-it. Kjo është vetëm përgjegjësi e ODIHR-it. Është përgjegjësia e qeverive të organizojnë zgjedhje dhe është përgjegjësi e ODIHR-it për t'i vëzhguar ato”. Misionit të zonjës Glover i ka dhënë mbështetje edhe zyra e OSBE-së në Tiranë. Ambasadorja Glover ka mbërritur më 8 maj në Tiranë bashkë me stafin e misionit prej 14 anëtarësh. Më vonë pritet të vijnë edhe 26 vëzhgues afatgjatë dhe mbi 400 vëzhgues për ditën e 28 qershorit, kur do të bëhet edhe procesi i votimeve. Konflikti mes qeverisë dhe misionit të ODIHR-it nisi pas pretendimeve të qeverisë shqiptare se ambasadorja Glover ka qenë në krye të këtij misioni kur u përgatit raporti kritik për qeverinë “Meksi” për zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996.
A. Gjoka
14 Maj 2009