Kodheli: “Kjo situatë politike do të jetë turpi më i madh i situatës postkomuniste”
Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, deklaroi dje se situata e krijuar sot në politikën shqiptare do të jetë turpi më i madh i situatës postkomuniste të Shqipërisë. Për këtë, sipas Kodhelit, përgjegjëse është qeveria që nuk pranon t’u japë zgjidhje kërkesave të Partisë Socialiste. “Nuk ka turp më të madh se të shohësh njerëz që sakrifikohen dhe politika shqiptare, kjo qeveri e shurdhër, në vend t’i vërë gishtin kokës, tërheq zvarrë këtë histori të trishtë e të hidhur”. Duke iu referuar gjendjes së grevistëve, Kodheli tha se pavarësisht kushteve të rënda, grevistët në asnjë çast nuk kanë deklaruar tërheqjen nga protesta.
Gjoni, Berishës: “Partia Socialiste nuk tërhiqet nga kërkesat e saj”
Deputeti socialist, Ilir Gjoni, deklaroi se Partia Socialiste nuk tërhiqet nga kërkesat e saj. Ai tha se gjendja shëndetësore e grevistëve është rënduar, por morali i tyre është shumë i lartë. “Mesazhi për veshët e shurdhët të kryeministrit është se ne nuk tërhiqemi pa u arritur objektivi që kemi”, - deklaroi Gjoni. Ai tha se të gjithë grevistët kanë deklaruar se në rast se do të kenë nevojë për ndihmë mjekësore, do ta marrin atë dhe do të rikthehen sërish.
10 Maj 2010