Dade, apel Presidentit: “Topi të angazhohet në zgjidhjen e krizës politike”
Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të angazhohet në zgjidhjen e krizës politike, pasi Partia Socialiste është gati për dialog mes palëve. Dade theksoi se PS-ja dhe mbështetësit e saj nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre për transparencë zgjedhore, pavarësisht se gjendja e grevistëve është përkeqësuar. “Shpreh keqardhjen e thellë që Sali Berisha vazhdon të këmbëngulë për atë që ka këmbëngulur për nëntë muaj. Partia Socialiste e ka shprehur qëndrimin e saj. Ne jemi të vendosur dhe këtë e tregojnë grevistët, të cilët kanë një moral të lartë”, - tha Dade, duke i drejtuar sërish një apel kryeministrit Berisha që të lejojë hapjen e kutive. Dade informoi se gjendja e grevistëve po rëndohet çdo ditë e më shumë. “Kaloi nata e tetë, sot hyjmë në të nëntën, ndaj priten këto në një grevë urie”, - tha Dade, e cila shtoi ndër të tjera se “edhe sikur të mos ishte bërë greva e urisë, nuk ka shqiptar që të mos besojë që Berisha i ka vjedhur zgjedhjet. Shqipëria ka bërë 20 vjet mbrapa në kolonat kyçe për demokracinë. Ne ripërsërisim kërkesën për transparencë zgjedhore”, - theksoi Dade.
10 Maj 2010