Java e 29-të, një rebus me të panjohura
Lushnja e sulmit më të mirë në kampionat (55 gola/28 javë) dhe sulmuesi i saj Doria Bubeqi (22 gola/golashënuesi më i mirë i kompeticionit) mund të komprometojnë një sezon të tërë drejt objektivit “Kategoria Superiore”, në rast se nuk do të shënojnë në Çorovodë ndaj Skraparit vendas. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i Kategorisë së Parë (Bylisi është shpallur kampion dhe automatikisht në Kategorinë Superiore) janë katër skuadra: Elbasani (56 pikë), Kamza (56 pikë), Lushnja (54 pikë) dhe Partizani (54 pikë), që luftojnë midis tyre për ta kapur vendin e dytë (që të çon direkt në Superligë) dhe dy vendet 3-4 (që të çojnë në plejof kundër skuadrave që renditen në vendet 9-10 të Kategorisë Superiore). Dy javë më parë, Skrapari ia doli të bllokojë Elbasanin në një barazim pa gola, dhe Lushnja ndodhet nën një presion të natyrshëm piskologjik se skrapalinjtë (aleatë virtualë të rivalit Partizani) mund të përsërisin të njëjtin rezultat. Barazimi i Lushnjës me Skraparin (apo dhe humbja) e shoqëruar me fitoren e Partizanit me Burrelit në kryeqytet do t’i spostonte lushnjarët në vendin e pestë, teksa në ndeshjen e fundit të kuqtë do të kishin përballë në “Selman Stërmasi” po Skraparin, në një ndeshje që mund të shndërrohej e tëra në një miqësore festive. Pikërisht një gol fitues i Dorian Bubeqit (kandidatit numër 1 për të fituar “Këpucën e artë” të Kategorisë së Parë) është i barazvlefshëm me 22 golat e mëparshëm të tij. Veterani kavajas i Lushnjës, golashënuesi më i mirë i Superligës në sezonin 1997-1998 (me Shkumbinin) e pranon me një deklaratë të bujshme. “Ia fal (Romeo) Hamzajt (të Bylisit) 22 golat që kam bërë tani, vetëm të shënoj një gol në këtë takim (kundër Skraparit) dhe t’i jap pikët e plota ekipit tim”. Ndërsa Lushnja udhëton në Skrapar e Partizani pret në kryeqytet Burrelin, Kamza e vendit të tretë do të udhëtojë në Gjirokastër, ku ndaj Luftëtarit vendas (e të sigurt në të Parën) synon fitoren e shtatë radhazi nën drejtimin e Perlat Mustës. Objektivi i vetëm i kamzalinjve është vetëm fitorja ndaj një Luftëtari të pamotivuar e të renditur në “Top-8”. Po në transfertë do të luajë edhe Elbasani i vendit të dytë, pikërisht ndaj Bilisht Sportit (15 humbje në 28 ndeshje), me synimin se nuk do të gabojë në momentin më të papërshtatshëm. Në takimet e tjera të javës së 29-të të Kategorisë së Parë, Bylisi kampion pret në shtëpi Pogradecin, Ada do të përballet në Velipojë me Memaliaj (thuajse të rrëzuar nga kategoria) dhe Besëlidhja do të luajë në Lezhë kundër Turbinës.
Sopoti (vendi i fundit, tashmë në Kategorinë e Dytë) do të luajë kundër Gramshit, që nga ana e tij shpreson në një hap fals të Skraparit me Lushnjën.
Mali i Zi, lista anti-Shqipëri
Trajneri i Malit të Zi, kroati Zlatko Kranjçar, publikoi listën e 22 lojtarëve të thirrur për ndeshjen miqësore kundër Shqipërisë (25 maj, në Podgoricë) dhe Norvegjisë (29 maj, në Oslo). Në grupin e lojtarëve të thirrur vetëm një lojtar luan në Malin e Zi, 24-vjeçari Luka Pejoviç i Mogren. Futbollistët e tjerë luajnë në Gjermani, Austri (Milan Jovanoviç, shok skuadre me Hamdi Salihin), Zvicër, Portugali, Spanjë, Serbi, Hungari, Rusi, Rumani, por dhe në Korenë e Jugut (Dejan Damjanoviç i Seulit).
Kjo do të jetë miqësorja e dytë e Shqipërisë me Malin e Zi. E para është fituar nga Kombëtarja jonë me rezultatin e thellë 5-0 (1946, trajner serbi Ljubisha Broçiç), një takim i zhvilluar në Shkodër. Mali i zi-Shqipëri ka dhe një sfidë brenda sfidës, pasi kundër njëri-tjetrit janë dy trajnerë kroatë, Josip Kuzhe dhe Zllatko Kranjçar, madje ky i fundit ka qenë edhe një kandidat i përfolur për stolin e Shqipërisë, përpara se Duka të preferonte e të vendoste për Kuzhenë.
8 Maj 2010