E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Meta të ndalë shantazhet për PS-në

 

TIRANË- Ilir Meta është aleati që ka humbur rrugën dhe qetësinë. Ky është reagimi zyrtar i Partisë Socialiste, ndaj qëndrimit të dy ditëve më parë të kreut të LSI-së, Ilir Meta. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, ka deklaruar dje në një konferencë për shtyp se Ilir Meta nuk po e gjen dot fillin e arsyes. “Mllefi i ka errësuar shikimin dhe egërsuar gjuhën, duke e kthyer vite prapa, tek llogorja e politikës së vjetër, pa sy për të parë problemet reale të njerëzve, pa veshë për të dëgjuar shqetësimet e vërteta të tyre, pa zemër për të ndjerë hallet e mëdha të familjeve shqiptare, që nga politika duan shpresë e jo kërcëllitje dhëmbësh, bashkim zemrash e mendjesh e jo sherr e ulërima për karrige, zgjidhje konkrete për varfërinë e papunësinë, jo gënjeshtra me bisht për Kushtetutën”,- tha Kodheli. Ajo është shprehur se, PS mbetet e keqardhur për shfaqjet jo serioze të tij këto kohët e fundit përpara shqiptarëve. “Përrallën e bashkimit të Ramës me Berishën nuk e beson as vetë Ilir Meta, që nuk ka gjetur dot asgjë me të hajrit për t’u treguar shqiptarëve të neveritur nga 17 vjet politikë shpifjesh, akuzash, sherresh e sherrxhinjsh”,- shtoi ajo. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së ka sqaruar edhe njëherë se PS vazhdon të mbetet për ndërtimin e një bashkimi të ri, me çdo shqiptar që kërkon një politikë të re. “Duke dashur me gjithë zemër normalizimin e sjelljes publike të mikut tonë Ilir dhe duke rikonfirmuar vullnetin për të vazhduar “Dialogun me Shqipërinë” reale e për ndërtimin e një bashkimi të ri me çdo shqiptar që do një politike të re, për një jetë më të mirë, pa përjashtuar në asnjë mënyrë as Ilir Metën e as aleatët e tjerë nga ky bashkim, në përsërisim se rruga e fitores sonë, është rruga e ndryshimit të mundësisë politike në respekt të miliona shqiptarëve që kërkojnë nga politika t’i udhëheqë drejt së ardhmes, jo t’i mbajë peng të së shkuarës”,- tha ajo. Pikërisht për këtë arsye, Kodheli, në emër të PS-së, e ka ftuar Ilir Metën që t’i largohet politikës së vjetër. “Ne e ftojmë Ilir Metën t’i flakë tutje armët e politikës së vjetër duke ndalur diversionet, shantazhet dhe ultimatumet për Partinë Socialiste, duke ulur tonet çjerrëse e duke u ngritur në nivelin e shqetësimeve reale të vendit e të njerëzve për të kontribuar pozitivisht, bashkë me të tjerët, në zgjerimin e frontit opozitar që do fitojë zgjedhjet e do hapë një faqe të re për Shqipërinë”,- tha ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›