Pukë, Rama: Duhet ndryshim i madh e real
PUKË - “Dialogu me Shqipërinë” i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar dje në rrethin e Pukës në komunën Qafë e Malit. Teksa njihet dhe sheh nga afër situatën në zonat e Veriut e ku i duhet të hyjë edhe në komunat më të thella, Rama shprehet se është i nevojshëm një ndryshim real e i madh. “Keni nevojë për një ndryshim real, keni nevojë për një ndryshim që të shkëputeni nga zinxhiri i këtyre viteve që po ju varfërojnë, që po ju humbasin dëshirën për të qëndruar në vendlindjen tuaj, që po ju mësojnë se jeta në këto zona është e pamundur. Unë kam shkuar në shumë fshatra të Veriut gjatë gjithë kësaj periudhe, kam takuar shumë qytetare dhe qytetarë që jetojnë në këto fshatra, sepse pavarësisht se në gjuhën popullore ka qytetarë dhe fshatarë, në gjuhën e Kushtetutës të gjithë jemi qytetarë të Republikës së Shqipërisë, me të drejta dhe liri të barabarta. Por kjo mbetet në letër, sepse, në fakt, qytetarët e Republikës së Shqipërisë që jetojnë në këto zona, nuk kanë as të drejta dhe as liri të barabarta me të tjerët”,- tha Rama, duke vijuar me shembuj konkretë. Më tej, ai shtoi se: “Të jeni të bindur se fqinjët tanë në Jug, në Lindje, në Veri, nuk janë as më të mençur, as më të zotë, as më energjikë, as më të gatshëm për të bërë sakrifica saç jemi ne shqiptarët. Të jeni të bindur se ne mund të jemi në krah të tyre në rrugën drejtë BE, në rrugën drejt zhvillimit dhe mirëqenies, në rrugën drejt të ardhmes së sigurt për çdo fëmijë që sot lind dhe rritet në Shqipëri, pavarësisht nëse lind në Tiranë apo në Tropojë, apo në Konispol, apo në Qafë Mali. Të jeni të bindur se kjo varet nga ne dhe vetëm nga ne”,- tha Rama. Për këtë arsye, ai i është drejtuar banorëve të komunës së Qafë Malit se një politikë e re është e mundshme dhe se ajo fillon pikërisht nga bashkëbisedimi me qytetaret dhe qytetarët e kësaj republike, në çdo qytet dhe në çdo fshat.