Milo: Zoti Bosch na e përjashtoi sistemin spanjoll
• Dy partitë opozitare, PDS dhe PAD, nuk i kanë mirëpritur deklaratat e ambasadorit të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, në lidhje me listat e kandidatëve dhe sistemin zgjedhor.Kreu i PDS-së, Paskal Milo, shprehu keqardhje që "prezenca e OSBE-së tejkalon kompetencat e saj dhe dikton se çfarë duhet të bëjnë partitë për reformën zgjedhore". "Kryetari i OSBE-së në një takim me ne, premtoi se institucioni që ai drejton do të sugjeronte se sistemi spanjoll nuk ishte i përshtatshëm për Shqipërinë. Ai duhet të ketë koherencë në qëndrimet e tij dhe të mos bëhet pjesë e skenarëve që sjellin rrjedhoja negative për demokracinë shqiptare. OSBE nuk mund të dalë mbi Kuvendin, mbi forcat politike dhe mbi Komisionin e Reformës Zgjedhore", tha Milo. Ndërsa kryealeancisti Neritan Ceka i konsideroi deklaratat e OSBE-së si thirrje për dialog mes partive dhe jo një mbështetje për dy partitë e mëdha. "Partitë e mëdha po keqinterpretojnë deklaratën e OSBE-së, e cila nuk favorizon partitë e mëdha, duke lënë mënjanë ato të vogla, por ajo është një thirrje për dialog në debatin për sistemin zgjedhor", tha dje për mediat, Ceka. Sipas tij, "OSBE bëri një propozim shumë racional për të diskutuar mbi sistemin proporcional të tipit gjerman, të propozuar nga partitë e tjera". Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, gjatë një takimi dje në Shkodër bëri disa komente mbi debatin për reformën zgjedhore në Shqipëri. Partitë e vogla parlamentare janë shprehur kundër listave të mbyllura që kërkojnë PS dhe PD për kandidatët deputetë, duke dhënë alarmin e monopolizimit të kandidaturave nga kryetarët e partive. a.l