Kodheli: “Rritja e pensioneve nuk e mbulon koston e faturës së energjisë dhe të ujit”
Partia Socialiste deklaron sërish se rritja e pensioneve nuk mund të mbulojë koston e faturave të energjisë dhe të ujit. Reagimi vjen nga nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Mimi Kodheli. Ajo tha se në këto kushte, rritja e çmimit të energjisë elektrike me 13% dhe i ujit me 26% nuk mund të justifikojnë rritjen e pensioneve me 4%. “Partia Socialiste ka deklaruar publikisht se rritja e pensioneve është një tjetër gënjeshtër mediatike e kryeministrit që synon t’u hedhë hi syve shqiptarëve në lidhje me gjendjen e rëndë ekonomike në vend. Kjo e ashtuquajtur rritje pensionesh, për të cilën qeveria po fut duart në kursimet e shqiptarëve, jo vetëm që është e vonuar në kohë, por, për më tepër, nuk arrin të mbulojë as rritjen e çmimeve dhe as inflacionin specifik të pensioneve”, - u shpreh Kodheli. Deputetja socialiste deklaroi se që prej janarit të këtij viti, vetëm dy faturat e lartpërmendura janë rritur mesatarisht me 3000 lekë në muaj. Sipas saj, rritja prej 400-600 lekësh në muaj jo vetëm që nuk mbulon as rritjen e faturave të energjisë e ujit, por i ngarkon të gjithë pensionistët me 2400 lekë më tepër shpenzime mujore. “Pensionistët duhet të reduktojnë konsumin e ushqimeve dhe të ilaçeve për të paguar faturat e rritura nga kjo qeveri. Pra pensionistët duhet të hanë ndoshta një apo disa vakte më pak për të mos u prerë dritat e uji. Kjo qeveri, e cila mban përgjegjësi për rritjen e papërballueshme të kostos të jetesës në Shqipëri, nuk mund të fshihet pas një rritjeje pensionesh që është më e vogla në 10 vitet e fundit. Kjo qeveri ka përkeqësuar ndjeshëm standardin e jetesës së shqiptarëve duke u shtuar kosto mbi kosto atyre, si pasojë e paaftësisë së saj për të menaxhuar financat publike dhe çmimet e faturave mujore të familjeve shqiptare”, - u shpreh Kodheli.
7 Korrik 2010