E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: “Kriza ekonomike globale pasuron xhepat e zyrtarëve të lartë të qeverisë”



Duket se kriza ekonomike nuk ka ndikuar në xhepat e oborrtarëve të qeverisë së kryeministrit Sali Berisha. Pas deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë të qeverisë ka reaguar nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri. Ai ka shprehur shqetësimin se në një kohë kur të gjithë qytetarët shqiptarë vuajnë pasojat e krizës ekonomike, ministrat dhe deputetët e qeverisë pasurohen. Ndërkohë, djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha, për një vit ka fituar 200 000 euro. Për këtë arsye, Tahiri, në emër të PS-së, ka kërkuar që të gjithë zyrtarët e lartë të qeverisë dhe jo të qeverisë të japin sqarime më të detajuara për të ardhurat e tyre.
Reagimi
“Është pak për t’u vënë re se në një kohë kur Shqipëria gjunjëzohet nga kriza ekonomike, kur shqiptarët varfërohen përditë e më shumë, të papunë e pamundësi për të përballuar shtrenjtimin e jetesës, në një kohë kur sipërmarrjet private falimentojnë ose zhyten në borxhe, të vetmit individë që pasurohen janë ministrat dhe qeveritarët, të vetmet biznese që fitojnë miliona euro janë ato të lidhura me kryeministrin, ministrat dhe qeveritarët”, - u shpreh Tahiri, duke shtuar se “ne kemi respekt për të gjithë ata individë, të lidhur ose jo me kryeministrin, të cilët kanë sens të spikatur biznesi, aq sa të fitojnë mijëra e miliona euro edhe në kohë krize, përfshirë këtu edhe djalin e tij, i cili vetëm gjatë këtij viti ka fituar 200 000 euro, por kemi edhe të drejtën të kërkojmë sqarim të detajuar për t’i bërë publikut të qartë se kush na qeveris, po ashtu sa e si i fitojnë paratë e tyre”.
SHISH
Nënkryetari i Grupit të PS-së u rikujtoi kryeministrit Berisha dhe kreut të shtetit, Bamir Topi, deklaratën e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, se vitin e kaluar, mafia, krimi i organizuar dhe shërbimet sekrete të vendeve të huaja kanë sponsorizuar për emërimin dhe ngjitjen në karrierë të qeveritarëve dhe politikanëve. Me shqetësim, Tahiri u shpreh se po këta qeveritarë sot vazhdojnë ende të mbajnë lidhje të ngushta me sponsorizuesit e tyre, mafien, krimin e organizuar dhe shërbimet sekrete të vendeve të huaja. “Për këtë çështje ka marrë dijeni kryeministri dhe Presidenti i Republikës, por asnjëri nga këta të dy ende sot nuk ka marrë asnjë masë ndaj këtyre qeveritarëve e politikanëve që i emëron e i përdor mafia, krimi i organizuar dhe agjenturat e huaja”, - tha Tahiri, duke shtuar se “ndoshta për këtë arsye, thelat e 20 përqindëshit të koalicionit qeveritar po katandisen dita-ditës në trafikantë droge e lloj-lloj kriminelësh që po të mos ishte për policitë e vendeve të huaja, sot do të ishin ende në detyrë në ministri e drejtori”.

7 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›